Për operatorin më të ri të telefonisë celulare, PLUS, 2012-a ishte viti i dytë i plotë i aktivitetit. Ky vit përkoi me ngadalësimin e ekonomisë vendase nga njëra anë, që pritet të ketë ritmet më të ulëta të rritjes në dekadën e fundit dhe ashpërsimin e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare ku veprojnë katër operatorë, nga ana tjetër. Megjithatë, në këtë mjedis të vështirë, PLUS ia arriti që të katërfishojë xhiron dhe të zgjerojë bazën e konsumatorëve.
Në një intervistë për “Monitor”, drejtori ekzekutiv dhe administratori i “PLUS Communication”, Julien Coustaury, flet për ecurinë e kompanisë në vitin 2012 dhe planet për 2013-n.
Si i konsideroni arritjet e deritanishme të PLUS? Cilat konsideroni si pikat tuaja më të forta?
Ne jemi më të lirët në tregun e telekomunikacionit, ofrojmë vlerën më të mirë për paratë e shpenzuara. Kemi mbulimin me rrjet më të mirë në treg, që do të thotë më të mirë se të konkurrentëve tanë. Dhe krenaria jonë është një shërbim i shkëlqyer ndaj klientit.
Si do ta vlerësonit vitin 2012 që lamë pas?
2012-a ishte një vit shumë i mirë për ne. Jemi rritur 300 për qind dhe kjo është domethënëse në një treg konkurrues si ky i telefonisë celulare. Pa dyshim, ekonomia ka problemet e saj, kriza po jep efektet edhe në tregun shqiptar. Nuk e mohoj që rritja mund të kishte qenë edhe më e lartë, por, nga ana tjetër, jemi të bindur se kemi ndërtuar themele të forta.
Si e sheh veten PLUS në krahasim me konkurrencën? Cilat janë avantazhet që ju sillni në lidhje me konkurrencën?
Nuk është e lehtë të flasësh për konkurrencën. Janë disa aspektet që na diferencojnë ndaj kompanive të tjera në treg. PLUS ka aktualisht rrjetin me mbulimin më të mirë. Ka disa probleme me konkurrencën në këtë treg. Konkurrentët tanë kanë investuar më pak në zhvillimin e rrjetit dhe synim kryesor kanë pasur dërgimin e fitimeve tek kompanitë mëmë. Ndërsa në rastin e PLUS, fitimet do të qëndrojnë po në Shqipëri. Ne e kemi parë si prioritar investimin në rrjetin PLUS, kemi investuar fuqishëm, cilësia është e shkëlqyer dhe padyshim, kemi gjithashtu ende vend për t’u rritur dhe po punojmë fuqimisht në këtë drejtim.
Si e masni suksesin në një treg si ky i telefonisë celulare?
Suksesi nxitet nga një numër faktorësh. Një prej tyre është numri i përdoruesve, por mbi të gjitha, sa të kënaqur janë këta përdorues me shërbimet tona. Ne konsiderojmë se një tjetër përfitim në terma më të gjerë është të riivestosh, që do të thotë të kthesh në përfitim më të gjerë për vendin fitimet e kompanisë. Siç e dini, ne jemi një kompani 100 për qind shqiptare, mjaft unike, dhe kjo do të thotë shumë për ne.
Ndryshe nga konkurrentët tanë, që fitimet e tyre i kanë dërguar për 20 vitet e fundit jashtë vendit, PLUS do t’i bëjë një shërbim Shqipërisë, duke ruajtur dhe riinvestuar fitimet brenda vendit.
Me tarifa më të mira, ne ofrojmë shërbim e cilësi më të lartë dhe në të njëjtën kohë, i bëjmë një shërbim Shqipërisë, duke krijuar hapësira të reja të një zhvillimi social dhe ekonomik brenda saj. Dhe ky për ne është një parametër për të matur suksesin.
A është gati PLUS për licencën 3G?
Qeveria shqiptare i siguroi 50 milionë euro nga dhënia e licencave 3G për telefoninë celulare, pra nuk është një përfitim i vogël. Tashmë është koha për t’u fokusuar tek garantimi i konkurrencës, krijimi i një hapësire të ndershme në treg. Lajmi i mirë është se rrjeti PLUS është totalisht 3G, pasi aksionerët ishin largpamës dhe zgjodhën të investonin paraprakisht për teknologjinë më të fundit. Të nesërmen e ditës që marrim licencën, jemi të përgatitur të ofrojmë shërbimet 3G dhe ky është një propozim i fuqishëm nga ana e PLUS, që do të thotë më shumë konkurrencë dhe liberalizim të plotë të këtij tregu, që do të thotë tarifa gjithashtu më të lira për këtë shërbim. Nuk dua të kujtoj situatën duopol aq të dhimbshme për konsumatorët shqiptarë. Hyrja e “Eagle Mobile” zbuti disi situatën, ndërsa hyrja jonë në treg dha një ndikim akoma më të madh. Çmimet u ulën me 30 deri në 40 për qind me hyrjen tonë në treg, si dhe presioni për produkte dhe tarifa më të mira gjithashtu u rrit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.