Me nisjen e ndërtimit të segmentit rrugor që do të lidhë më shpejt Kërçovën– Strugën dhe Ohrit, me portin e Durrësit, maqedonasit kanë nisur të intensifikojnë edhe përpjekjet për të shfrytëzuar maksimalisht infrastrukturën e portit më të madh në Shqipëri. Për këtë qëllim drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual të Durrësit, Selim Belortaja priti në një takim Kryetarin e Odës së Tregtisë të Maqedonisë, Branko Azeski. Belortaja vlerësoi rëndësinë që ka për portin biznesi dhe ekonomia maqedonase, si dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar me tej bashkëpunimin ekzistues. Ndërsa kryetari i Odës së Tregtisë së Maqedonisë, Branko Azeski tha se Porti i Durrësit do të mbetej zgjedhja parësore portuale për biznesin maqedonas dhe se ata janë të interesuar të marrin pjesë me aktivisht në përformance e Portit. “Oda e Tregtisë së Maqedonisë përfaqëson 90% të bizneseve që operojnë në këtë vend, ndërsa zgjerimi i bashkëpunimit me Portin e Durrësit, është kyç për zhvillimin e mëtejshëm të vetë biznesit maqedonas”. Në takim u diskutua edhe identifikimi i rrugëve për zhvillimin e flukseve të shkëmbimit, favorizuar edhe nga klima e përshtatshme e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kriza në shtetin fqinj Greqi, ka ndikuar në rritjen e shfrytëzimit të infrastrukturës së portit të Durrësit nga ana e biznesit maqedonas, për shkak edhe të grevave të shpeshta. Këta të fundit pjesën më të madhe të volumit të transportit të mallrave e realizojnë përmes portit të Selanikut në Greqi dhe Barit në Mal të Zi. Ky i fundit ndjek si politikë zbatimin e tarifave preferenciale për transportuesit maqedonas. Gjithashtu Maqedonia dhe Mali i Zi janë të lidhura mirë si me rrugë tokësore, ashtu edhe hekurudhore.
Rreth 80% e importit të Maqedonisë realizohet përmes portit të Selanikut. Në këto kushte Porti më i madh shqiptar, ai i Durrësit duhet të rrisë përpjekjet për të tërhequr transportuesit nga Maqedonia. E kësaj logjike duket se do t’i vijë në ndihmë edhe një projekt i madh infrastrukturor që po ka nisur të ndërtohet në Maqedoni e që është
Autostrada që do të lidh Kërçovën, Strugën dhe Ohrin, me një arterie moderne rrugore e që do të sigurojë më pas arritjen më të shpejt të Portit të Durrësit. Kjo arterie është pjesë e autostradave të Korridorit 8 që është një nga rrugët më të rëndësishme dhe ekonomikisht më të kapshme në rajon, e që bën lidhjen e portit të Barit në Itali përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë e deri në portet Burgas dhe Varna në Bullgari.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.