Dikur tregohej si histori se vajzat që martoheshin larg Beratit, kur vinin te prindërit, nisnin t’u lotonin sytë nga malli sapo shikonin Kalanë. Dhe sikurse historia përsëritet, këtë ndjesi e ka çdo beratas që rikthehet në qytet, ku vërteton shprehjen e vjetër qytetare: “Në Berat, bën rehat”. Një nga mijëra emigrantët e larguar nga qyteti i lindjes thotë: “Sa herë rikthehesh, edhe pse nuk sheh më fytyrat e njohura dikur e mund të ecësh nga fillimi në fund pa përshëndetur askënd, me banorët që kanë ngelur te kënaqësia e xhiros së darkës nga Turizmi te Bab Duda, ndien se je në shtëpi. Edhe pse nuk e ndan dot kohën kur jetuam në Berat nëse ishim apo jo të lumtur, të paktën ishim ngrohtë, se ishim ‘në shtëpi’. Berati është ajo shtëpi, që nuk e gjetëm dot më, sido që shkuam drejt metropoleve…”. Se me mallin, rri bashkë edhe kujtesa, mbetur mes bukurish si Kalaja, Mangalemi, Gorica, që mahnitin çdo turist, po aq sa dhe mrekullitë përqark qytetit, ku natyra e ka mbajtur me “hatër” perimetrin e tij.
Një grup gazetarësh nga Kosova, teksa vizitojnë muzeun “Onufri” në Kala, ndihen mirë, sepse njohin më shumë për tokën mëmë, aq shumë të ndarë. “Kjo mrekulli të lë pa gojë, edhe pse gjen plehra, po si kudo”, shpreh Marku, një shkodran te muzeu “Onufri” në Kala, entuziazmin për takimin me një kulturë të plotë në Berat, po aq dhe pakënaqësinë. Për beratasin qytetar, mësuar me ato rrugicat e pastra të lagjeve, asgjë nuk e justifikon pamjen me mbeturina rrëzë kështjellës, në disa rrugica, apo nën pishat diku më poshtë. Sikurse lagjet e reja, mbirë si “kërpudhat pas shiut” mbi Varrezat e Dëshmorëve, apo mbi agjencinë e vjetër, tek-tuk edhe nëpër lagje, ku njëri, në paligjshmëri, ka ndërtuar sipas kokës së vet. Janë dëshmi që tregojnë papërgjegjshmërinë e pushteteve vendore, që as mbrojtën tokën e pakët në qytet, as detyruan arkitekturën urbane që të lidhte në harmoni bukurinë madhështore që ofrojnë lagjet e vjetra shekullore.
Turizëm kulturor, por dhe histori familjesh qytetare
Pozicioni gjeografik “si xhep” i Beratit, nga njëra anë dhe mosveprimi i pushteteve lokale në këto 23 vjet, nga ana tjetër, i ka tejlodhur beratasit autoktonë, që kanë nisur vitet e fundit ta mendojnë mbijetesën nëpërmjet turizmit. Deri tani, gati 30 banesa të vjetra qindravjeçare në Kala, Mangalem dhe Goricë, pronarët i kanë kthyer në hotele familjare, ku tradita gërsheton bukur gurin dhe drurin. Këtu, turisti nuk befasohet thjesht nga dhomat me baxha, apo mbështetur në shkëmb, siç janë në Mangalem disa shtëpi-hotel si “Kodikët”, “Guva”, “Vruho”, “Osumi”, qerasjet me liko dhe lëng trëndafili, tradita të vjetra qytetare, por përballet me histori familjesh të hershme, gati mistike…
Lorenc Pushi e ka kthyer në hotel familjar në Goricë banesën e vet 500-vjeçare, ndërtuar së pari nga familja pasanike arbëreshe Kapedani, aty hyri nuse një motër e Kostandin Kristoforidhit, i cili jetoi dhe vetë aty për njëfarë kohe dhe para një shekulli u ble nga firmëtari i Pavarësisë, Dhimitër Tutulani. Aty lindën Margarita dhe Kristaq Tutulani e më pas godina u ble nga familja Pushi. Lorenci tregon me pasion në oborrin me pemë dhe lule histori të çuditshme familjesh goricare dhe ti futesh në një botë historike mistike avokatësh, mësues, emigrantësh të parë, që vijnë nga Mesjeta, deri sot. Sot Kalaja, Gorica, Mangalemi, por edhe lagje të tjera mesjetare me vijueshmëri jete si Celepias, Vakëf, Përrua ofrojnë aq shumë histori. Po ashtu, hotel-restoranti i Tomi Mihos, në të ngjitur të Kalasë, është pjesë e sarajeve ndërtuar në shek. XVIII nga Ahmet Kurt Pasha e më pas, pas vrasjes së tij, Ali Pashë Tepelena i shpërbleu për besnikëri Vrionasit. Muret e Portës së Pashait janë ndërtuar me kolonadat e Apolonisë… Sot, mjaft banesa të vjetra janë shitur tek të tjerë, por në Berat, ndryshe nga qytetet e tjera, pronari i ri e njeh historinë e pronës që ka në dorë dhe tregon me respekt. Ja që kështu ndodh në Berat, ndaj aty historitë vijojnë të tregohen gojë pas goje.
Te “Pasarela” veç gatimit, shijohet kënga beratase
Migena Duro Hoxha, me të shoqin, drejtojnë prej dhjetë vitesh hotel- restorantin e tyre “Pasarela” në qendër të qytetit, sot i vetmi ku këndohet kënga qytetare beratase nga Ajet Çaushi, Ludmilla Baballëku, që vjen nga Vlora, etj. Ajo thotë se, nëse turisti i huaj vjen në Shqipëri nga kërshëria për të parë vendin e fundit komunist, për Beratin vjen për shumë më tepër. “Sot ka një turist kureshtar dhe ende joelitar, siç duhet të jetë në Berat”, shprehet Migena, e cila i qëndron punës në kokë nga mëngjesi në mesnatë. E diplomuar për marketing turistik ndihet keq nga cilësia ende e ulët në paraqitjen e qytetit te turistët nga zyra e informacionit, apo anglishtja e ciceronëve. Prej dy vitesh, Migena ka shtuar 11 dhoma hoteli dhe aty gjen përditë grupe të vogla turistësh, që duan ta kalojnë natën në Berat, të shijojnë kuzhinën tipike beratase dhe të dëgjojnë këngën qytetare. “Gatimi ka mbetur në traditën e gjysheve, këtu kjo është menyja e parë për turistët si tava e baltës, tava me zogun me lëng, perimet e shumëllojshme, gatuar sipas traditës, tavat, gjellët gatuar me vajin e ullirit të Bilcës, që rregullon shijen”, – shton Migena. Për të produkti vendas është problem që lidhet me prodhuesin direkt. “Fermerët thonë se janë BIO, por sot, pas 23 vitesh, fara vendase ka humbur, ndërsa ofertë-kërkesa në treg nuk ecën dot zinxhir. Por ka mbetur bulmeti dhe mishi, që janë me shije, sepse malësia përreth ka kullota të mira, pa ndotje, ndaj nënproduktet ruajnë ende shijen që duhet ruajtur patjetër”, shpreh mendimin gruaja e cila e ndjek prodhimin dita-ditës. Vetë është blerëse e rregullt e likove, që prej disa vitesh një grup grash beratase e përgatisin dhe marketojnë dhe ua servir turistëve në mëngjes. “I marr te një nikoqire beratase, Margalina Goxhomani, e cila me shumë pasion dhe dashuri bën likotë sipas stinës dhe e ka kthyer shtëpinë në një shkollë të vërtetë të tyre”. Migenës i pëlqen politika që ka nisur qeveria për shkollat profesionale, pasi mendon se punimet artizanale beratase duhet të zhvillohen më tej, sikurse edhe gdhendja në dru dhe gur që po ringrihen.
Kapacitetet pritëse turistike në Berat janë ende të pakta përballë një fluksi ditor mesatarisht 80 autobusë me turistë vendas e të huaj, edhe pse janë dhe disa hotele me më shumë dhoma si “Muzaka” në Goricë, “Gega”, “Berat City” që ka ngritur një hotel të ri tek ish-kombinati i tekstileve e në ndërtim janë edhe disa të tjerë. Por mungon organizimi i tregut turistik. “Ende nuk jemi mbledhur bashkë për të krijuar një shoqatë hoteliere beratase, ku të vendosim ca pika të përbashkëta zhvillimi, kjo do të jetë me interes. Berati di të presë mikun, ‘që e lë në qoshe, pa e bërë zot shtëpie’. Në Berat bën rehat, kjo nuk është shenjë inferioriteti, përkundrazi, një butësi, që e sjell historia e zhvillimit të qytetit ndër shekuj, që mirëpriste udhëtarët me hanet e dikurshme”, – shprehet pronarja e “Pasarela”-s, Migena Durro.
Tradicionale janë dhe gatimet te lokali i vogël i Koço Plakut në Kala, ku asnjë beratas nuk mund të rrijë pa shkuar. Por po kaq kënaqësi ndien edhe kur fle në shtëpinë e Kristaq Simsisë aty. Shpejt, beratasit do të hyjnë në garë me njëri-tjetrin në këto fusha, ndoshta dhe me këngën. Të zgjedhur në shijet e tyre, për beratasit kjo përbën dobësinë se përse kënga qytetare nuk këndohet në çdo lokal. Këngëtarja beratase Ludmilla Baballëku e jep përgjigjen: “Këtu nuk këndohet më si dikur, se qytetarët janë larguar më së shumti dhe janë ata që ia dinë vlerën këngës qytetare. Por duhet ndryshim sepse çdokush që vjen këtu, duhet të njohë veç artit, edhe këngën, që është identitet më vete në Berat”. Në pishinën e vetme që ndodhet në kompleksin shkollor “I. Ngjeqari”, të njëjtën përgjigje jep dhe sipërmarrja Resmije Ngjeqari: “Kam ftuar disa herë këngëtarë, por beratasit rrinë ftohtë”, tregon ajo.
Berati ka nevojë për qytetarin, kjo është shpresa
Përgjatë viteve, banesat në lagjet karakteristike mund të ktheheshin me kohë në hotele familjare, ku çdo familje beratase nëse siguron pak financim, e garanton kthimin e dy apo tre dhomave për turistët. Asnjë projekt konkret nuk nisi bashkia, qarku, prefektura apo pushteti lokal. Kërkesa në rritje për të blerë banesa në lagjet karakteristike nga arkitektë, inxhinierë, piktorë e së fundi dhe politikanë, ka nxitur shpirtin mbrojtës beratas për të mos e braktisur qytetin, apo të tjerë që po shikojnë rikthimin aty.
Beratasit ndihen të lodhur që punët ecin kaq ngadalë si punimet në Bulevardin Republika dhe sheshin “Teodor Muzaka” që u mbaroi afati dhe kjo i ka irrituar, ata janë mosbesues se asgjë e re nuk ndodh në qytet. Kritikë për gurin që po shtrohet në bulevard, ndoshta të mësuar me gurin e bardhë shkëlqyes të kalldrëmeve, ndihen të inatosur që guri i bukur i malësive përreth eksportohet në Europë. Për këtë projekt, Fondacioni Shqiptar Amerikan për Zhvillim financon 1,8 miliardë lekë.
Së fundi, Kryeministri Edi Rama në Berat vizitoi punimet në këtë bulevard, ku kërkoi të njihet me cilësinë e materialit që po përdoret dhe njoftoi nisjen së shpejti të dy projekteve të reja, parkun e ri dhe rrugën e lumit. U deshën nëntë vjet që bashkia të hartojë planin rregullues dhe menaxhim të territorit urban, nga 2004-2013. Tashmë plani përfshin statusin e Beratit, si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO, menaxhimin e Qendrës Historike, zgjeron vijën administrative të qytetit, përfshin rrugë të reja, Unazën, që stabilizon qarkullimin e automjeteve, rehabilitimin e shtratit të lumit Osum, zgjerimin e hapësirave të gjelbra, ndërtimin e disa lulishteve, prishjen e gjithë ndërtimeve pa leje, etj. Këto ditë, në Berat u prezantuan disa projekte, mes tyre, Unaza e Re, sistemimi i lumit Osum, restaurimi i fasadave të qytetit, rijetëzimi i Akropolit në Kala, restaurimi i sheshit të Harmonisë Fetare tek ish-stacioni i autobusëve, restaurimi i ish-markatës etj. Ndërsa restaurimet e monumenteve janë përqendruar tashmë te Xhamia Mbret, pjesë e kompleksit të Qendrës Mesjetare, ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në shekullin XV.
“Ka vetëm një ‘kasafortë’ që ta ruajë Beratin: një legjislacion i shkruar dhe i zbatuar. Çelësin e ruajtjes apo kodin e hapjes së saj le ta ‘varin’ atje, te Shën Triadha apo Shën Mëhilli, se kështu, vandalët, që vodhën ikonat dhe vlerat e qytetërimit tonë dhe i shitën nëpër botë, nuk do të guxojnë të afrohen përsëri. Keqbërësit nuk zhbëhen nga duart e ligjit, por nga të njerëzve të edukuar me ligj. Atje ku flet ligji, flet qytetërimi, hesht barbaria. ‘Askush nuk ka obligimin e shenjtë të zbatojë ligjin, më shumë se ata që e hartojnë’, – shkruante Sofokliu”, thotë beratasja Nadia Xheblati, që sot jeton në Nju Jork.
Mimoza Os Kuscly, beratase që jeton në Paris, mendon se turizmi në Berat sot ka shumë vlera ende të panjohura, por nevojitet publicitet promocional i fuqishëm dhe njerëz që ta njohin dhe duan qytetin me pasion. “Sa herë vij, sjell ide dhe sivjet projekti im lidhet me të ardhmen, ku turizmi mbetet prioritet, por duhet zhvilluar me të gjitha anekset plotësuese. Transporti është kryesori që e çliron qytetin nga një makth. Mot do të sjell një grup francezësh, që do të befasohen nga qendra ku qëndrojnë bashkë një kishë dhe xhami, rrallë gjendet në botë. Berati i vjetër, kishat, xhamitë, bashkëjetesa e mrekullueshme fetare që të huajt e kanë kërshëri për të kuptuar arsyet, lagjet, prodhimet artizanale aq të mira, likotë, qëndisjet, punimet në dru nëse do të ringrihen, beratasit do të fitojnë dhjetëfish. Është koha që beratasit të bëhen më luftarakë, të mos presin nga bota, por të ringrenë veten për t’ia servirur vlerat qytetit. Po punoj për të bërë një binjakëzim të bashkisë ku jetoj në kurorën e Parisit, sepse duan të lidhen me një qytet që të jetë 100 kilometra larg metropolit dhe të ketë një lum, që konsiderohet jetë, gjallërim. Osumi këtu në Berat ka nevojë urgjente për rregullim dhe pse jo, të mund të futen dhe anijet e vogla shëtitëse. Të gjitha këto shërbime kthehen në të ardhura për qytetin, se Berati ka pasuri ende të pavlerësuar”.
Brunilda Licaj, pedagoge në Departamentin e Turizmit në Universitetin A. Moisiu, në Durrës dhe eksperte për turizmin në ATA, tregon pikat e forta dhe të dobëta që ka sot Berati. “Pikat e forta janë arkitektura e qytetit me tre lagjet, por nëse pozicioni është favorizues, mirëmbajtja lë për të dëshiruar, zona e Kalasë nuk mirëmbahet nga banorët dhe jo çdo gjë të pritet nga projektet. Vetë pozicioni i favorshëm strategjik i qytetit që bashkon Përmetin me Fierin dhe më gjerë nuk favorizohet nga rruga e prishur, që pengon qytetin. Ka investime të mira këtu me krijimin e bizneseve turistike, por sipërmarrja kërkon punonjës të kualifikuar dhe në Berat ka shumë për të bërë në shërbimin në hotele, lokale. Mungojnë objektet artizanale tipike të qytetit aq me emër dikur dhe ndodh që në kala të shiten mallra kineze. Mendoj se duhet ndërhyrë në pjesën muzeore me transformimin e shtëpive në hotele turistike në stil horizontal ku shtëpitë dhe gratë e tyre të bashkohen, duke vendosur punën e tyre në shërbim. Duhet të krijohet një pikë takimi për të organizuar ndarjen e turistëve. Sot ka turizëm tradicional të elitës, ku turisti vjen të shijojë traditën. Në Berat turizmi është element zhvillimi, por duhet ndërgjegjësim. Se vetë qyteti është histori, por mund të kthehen në pikë tërheqëse dhe gojëdhënat dhe legjendat që ka me shumicë”.
Histori Berati-
Vetë historia e Beratit ruan ngjarje dhe periudha, që ngjizën qytetin, deri në vitin 2008 me pasaportën e vyer të UNESCO-s. Berati ndërthur histori të kombit, kultura bizantine me kishat nga fillimet e erës sonë ku syri të shikon pikturat e të famshmit Onufri tek Shën Vllaherna në Kala, xhami që datojnë në shekullin XIV. Gjithçka ka nisur me një legjendë. Dy djem të rinj dashuronin të njëjtën vajzë, Kalanë. Luftuan pasi u betuan se kush do të dilte fitimtar, do të kishte dhe dashurinë e vajzës. Njëri me top dhe tjetri me shpatë, luftuan aq sa ranë të dy, u ngurtësuan dhe mbetën përballë njëri-tjetrit: Tomorri me gropa, dhe Shpiragu me vija. Vajza qau aq shumë, sa me lotët krijoi lumin Osum. Kështu thotë legjenda, por jeta nisi ku mbeti vajza në Kala në agimet e njerëzimit mujëra vite më parë. Të “murosur” në muret ndënë Kala janë dy çekiçët e gurit, mbetje metalike prej bronzi dhe bakri, që i përkasin fillimit të periudhës së bronzit. Aty jeta u zhvillua dhe zbulime të shumta mbetjesh qeramike tregojnë rritjen e ngulmimeve derisa në shekullin IV para Krishtit vendi u transformua në kështjellë, që me bazamente ilire është sot ndër më të mëdhatë e banuara në botë, ndërsa “arkivi” i gurëve tregon varietete stilesh e llojesh të epokave të ndryshme, duke nisur nga ajo romane, bizantine, arbërore, otomane. Përballë Kalasë, në Goricën e së njëjtës kohë (shekulli IV p.K.) vjen një tjetër kështjellë, rrënojat e së cilës 2400-vjeçare vijnë si dëshmi të jetës. Në kohë të ndryshme Berati mban disa emra, si Bargul, Albanorum Oppidum, Antipatrea, Pulcheriopolis. Në Berat, lindi Tolomeo Lagosi, i biri i Filipit të Maqedonisë dhe themeluesi i dinastisë Tolomene në Egjipt, e cila filloi pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, deri në vdekjen e Kleopatrës. Në vitin 200 p.K. qyteti u dominua nga romakët dhe u quajt “Antipatrea” nga Polibio në vitin 216 p.K., si dhe “Albanorum Oppidum” (Fortesa e shqiptarëve). Në vitin 148 para Krishtit, qyteti u përfshi në provincën romake të Maqedonisë, ndërsa gjatë Dioklezianos (shekulli II pas Krishtit), në provincën e Epirit të Ri. Emri “Pulcheriopolis” u shfaq në shekullin V, nga emri i motrës së perandorit të Lindjes Teodosio II i riu, sinonim: “i bukur”, “i fortë”, “i pasur”, “i ndritshëm”, iu dha qytetit që po bëhej kryeqendër me nivel të lartë kulturor e dëshmi historike zhvillimi, që kapën majat me Kodikët e Purpurt të Beratit të Mesjetës së hershme. Më pas, fillon një periudhë e errët për Beratin, që mbetet i vetëm, por qyteti mbijetoi falë rrjetit rrugor të Shqipërisë së Mesme rreth tij dhe pozicionit gjeografik, si pika ku bashkohen fusha me malet me agrikulturë dhe blegtori. Pas rënies së Perandorisë Bizantine, Berati u bë një nga qendrat kryesore të autoriteteve religjioze të Epirit dhe rezidenca e Mikele i Angelo Komneno, zot i Dioqezës së Epirit, që shënohet në hyrje të Kalasë në portën jugore, ku gjendet monograma prej gurësh: një kryq e katër germa ku shkruhet M.H.L.K., emri i dhespotit, M. (i) H. (a) L. K. (Omneni). Për perandorin bizantin, Berati ishte kaq i rëndësishëm, sa u mor prej Anzhuinëve që e mbajtën zaptuar qytetin për 10 muaj në vitin 1271 dhe disfata e tyre u festua me gëzim në Berat dhe Kostandinopojë. Me këtë fakt lidhet ngritja e Kishës së Shën Mërisë së Vllahernës, brenda Kalasë. Rritja e qytetit tregohet në Kodikët antikë të Beratit të vitit 1280, ku jepet lajmi i parë për shtirjen e qytetit jashtë mureve të kështjellës dhe ndërtimet e reja jashtë Kalasë. Në vitin 1345-1346 kur Perandoria Bizantine u zhduk nga skena politike shqiptare, nisi dominimi i mbretit serb, Stefan Dushan, që e vuri Beratin nën mbikëqyrje, duke i ndryshuar emrin në “Belgrad”. Më pas, qyteti kaloi nën dominimin e Muzakajve, një ndër familjet më të fuqishme shqiptare të Mesjetës. Në vitin 1417, Berati u pushtua nga turqit. Sipas regjistrit turk të vitit 1431, në Kala ndodheshin 227 familje me rreth 1500 banorë. Nga shekulli XVI, qyteti i Beratit zgjeroi ndërtimet jashtë Kalasë, dhe përtej lumit, në kodrën e Goricës. Në fund të shekullit, qyteti kishte 1019 shtëpi, me rreth 8000 banorë, zhvillim të madh të artizanaleve dhe një treg të lulëzuar. Gjatë pushtimit otoman e deri në shek. XX, Berati mbeti një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, me infrastrukturë të mirë si nyje lidhëse drejt Lindjes dhe Kostandinopojës e drejt Jugut për Janinë, e prej andej, në gjithë Greqinë. Në Kala gjenden 42 kisha e mjaft mbetje rrënojash të kishave shumë të vjetra, tashmë të shkatërruara, ku kapitele dhe kolona dëshmojnë ekzistencën e kishave paleokristiane në Berat në shekullin IV-VI, si bazamenti i Kishës Shën Todri, dhe ku kishat përgjatë shekujve XVI–XVIII janë ndërtuar sipër themeleve më antike.
Ndërtimet më të rëndësishme në shekujt VII-XV janë tri kisha bizantine të ruajtura mirë: Shën Maria e Vllahernës dhe Shën Triadha brenda qytetit të vjetër dhe jashtë Kalasë edhe Shën Mëhilli, ndërtuar mbi një shkëmb të thepisur, dëshmi se qyteti ka qenë qendër e rëndësishme kishtare. Në një prej tyre u gjet një prej veprave të rrallë, “Epitafi i Gllavenicës”, vepër e famshme arti e vitit 1373, një qëndisje në ar, argjend e mëndafsh, ku me finesë shikohet Krishti i vdekur me kurorën me gjemba e rrethuar nga shkrime në greqisht, qëndisur prej Aranit Komenit. Kishat e Kalasë së Beratit, të pasura me afreske të periudhës bizantine e postbizantine, kanë vepra të autorëve të ndryshëm, nga të panjohurit e shekullit XII-XIV deri te mjeshtrit e mëdhenj të shekullit XV si Onufri dhe i biri Nikolla në Kishën e Shën Marisë.
Nini MANO
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.