Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat dhe e ardhmja e saj është në Bashkimin Europian, deklaroi presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen. Ajo shtoi se para fundit të këtij viti do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.
“E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian. Ne kemi parë të ardhmen, vajzat, djemtë dhe e ardhmja e Shqipërisë është në BE, ne kemi miq dhe partnerë dhe ne duam që të bashkëpunojmë. Shqipëria i ka kryer detyrat, e di që ka qenë një rrugë e gjatë dhe tani jemi ne ata që duhet të bëjmë pjesën tonë. Ky është borxhi që ne i kemi rinisë shqiptarë që besojnë tek BE dhe e shikojnë vetën si qytetarë të ardhshëm të BE. Ne kemi punuar fort për çeljen e kësaj konference të parë qeveritare dhe ritheksoj se ju i keni bërë detyrat tuaja. Ne do të bëjmë gjithçka që të kapërcejmë ato vështirësi e pengesa. Shpresoj që ne të fillojmë me konferencën e parë ndërqeveritare para fundit të 2021. Ky është synimi im”, tha presidentja e KE.
Kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një situatë absurde, si një pengmarrje, si rezultat i vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, pasi ajo ka kryer gjithçka i është kërkuar.
“Sot kemi folur edhe për integrimin, kemi folur për situatën absurde që ndodhet Shqipëria në këtë moment si rezultat i vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, si një pengmarrje, ku vendet i kanë kryer të gjitha detyrat. Von der Lyen është një avokate e palëkundur e procesit dhe është një ndër ata që janë të bindur për natyrën strategjike të Ballkanit Perëndimor në BE.
Komisioni Europian ka disa vite që jep rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, komisioni është i rreptë, por është dhe i parashikueshëm, pasi bazohet në fakte e prova e në raportime që realizohen në përmbushjen politike të detyrave. Duhet konsensus, po nuk ranë dakord 27, mjafton njëri për ta bllokuar siç ndodh me Bullgarinë, që ka marrë peng procesin dhe mua s’më ngelet gjë tjetër, veçse të falënderoj presidenten për punën që po bën në këtë situatë.
Kemi folur edhe për ecurinë e procesit të bashkëpunimit rajonal, dihet se Von der Leyen është një nga bashkëpunëtoret e ngushta të Merkel, e cila nisi Procesin e Berlinit dhe për këtë arsye presidentja e njeh mirë procesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Në këtë aspekt në vigjilje dhe të samitit të Ballkanit Perëndimor kemi diskutuar për të gjitha, e njohja e Kosovës kërkon dialog kërkon bashkëpunim e besim reciprok mes palëve”, – tha Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.