Edi Rama, kryeministri i ri i shqiptarëve, për katër vitet e ardhshme, arriti me sukses të mbajë në të njëjtat nivele entuziazmin e publikut dhe shpresën se gjërat mund të ndryshojnë për mirë shumë shpejt, kur shpalosi programin e socialistëve në parlament. Në fakt, ai ishte kopje besnike e projektit elektoral të Ramës që gjatë fushatës dhe kjo ka sensin e vet pozitiv, sepse edhe pse kohët rrodhën që nga qershori, qëndrimi politik i kryeministrit të ri mbetet konsekuent dhe vullnetplotë. Për hir të vërtetës ishte një program i bukur si nga stili ashtu dhe pritshmëritë e larta që krijonte. Edhe sikur të konkludonim të kundërtën, në fund të fundit ishte vota masive e shqiptarëve që e beson këtë përfundim. Kjo përsa i përket anës emocionale, që gjithsesi nuk mund të neglizhohet sepse është e nevojshme për të frymëzuar reforma të mëdha ashtu edhe sikundër kanë premtuar socialistët. Përsa i përket reformave, sërish programi mbetet tejet shpresëdhënës sepse socialistët këtë herë kanë prekur çështje për të cilat pretendojnë zgjidhje, që konsideroheshin patatja e nxehtë e çdo qeverisje përpara tij, siç janë çështja e pronave, legalizimeve, reformat shëndetësore, investimet kulminante të paprekura më parë në bujqësi etj. Socialistët tentojnë të ri-kompozojnë burimet e rritjes ekonomike dhe ky është një projekt i madh, që së pari kërkon vullnet të paepur politik, por edhe një hartë të rrugëtimit të kësaj qeverie me piketa të dukshme. E meqë kjo hartë nuk u dëgjua në publik të paktën deri tani, shpresat e transmetuara tenton t’i ndrydhë. Së pari, sepse programi i prezantuar së fundi nga kryeministri nuk i ka kaluar caqet e platformës politike edhe pse brenda tij ka elementë të objektivave sasior dhe cilësor. Qeveria e re ende nuk ka treguar me shifra konkrete se si dhe sa vlerësohet projekti i saj nga pikëpamja buxhetore, cilat janë burimet që do të mbështesin këto projekte dhe cilat do të jenë përfitimet ekonomike, që në tërësi do të krijojnë një mjedis ekonomik më të shëndoshë, të portretizuar sipas mënyrës që shpalosin të majtët. Socialistët pretendojnë se kanë një program qeverisës ambicioz, dhe në fakt ashtu është, sikundër edhe pohojnë edhe grupet e ndryshme të interesit, por ende nuk kanë dëshmuar të paktën në letër sesi do të jetë mënyra, cilat do të jetë hapat, që do të hedhin njëri pas tjetrit, deri në objektivin final. Thuhet se në fund të katër viteve, aq sa është edhe një mandat, do të arrijnë gjithçka, por për këtë duhen prova, jo për të qenë kritizer, por për të besuar sepse në fund të fundit , marrëdhënia e qeverisë është marrëdhënie besimi që u transmetua përmes votës. Nga ana tjetër, një rezultat ka kuptim dhe vlerë kur e ka edhe sensin e kohës, në të kundërt ai kthehet në një kosto, në vend që të ishte një vlerë e shtuar. Duke u rreshtuar në anën e atyre që guxojnë vepra të mëdha, sepse besojmë se mund të arrihet gjithçka, na bën skeptik mjedisi i sotëm ekonomik. Të dhënat më të fundit flasin për rënie të ndjeshme të të ardhurave buxhetore dhe projeksionet e vitit të ardhshëm nuk janë optimiste, qeveria e re është nën presionin e rritjes sërish të kufirit të borxhit, dhe shkurtimeve drastike të shpenzimeve të paktën për këtë periudhë të mbetur të vitit; kredia për ekonominë si asnjëherë tjetër është më e ulëta në një dekadë; biznesi është zhytur në mungesën e thellë të likuiditetit, të gjitha këto burime që rrisin ekonominë -dhe së fundmi, vjen dëshmia e INSTAT se kriza ekonomike ka prekur thellë edhe familjet duke rritur numrin e të varfërve. Të gjitha këto të vërteta të zyrtarizuara e implikojnë negativisht për gjetjen e përgjigjeve: kur dhe si dhe me çfarë socialistët do të realizojnë programin e tyre. Ky mjedis aspak favorizues, nga njëra anë, dhe një program ambicioz nga ana tjetër të sjellin në kushte kur ndoshta vetëm magjia mund të kryejë punë. Ndoshta kryeministri Rama dhe ekipi i tij qeverisës e kanë magjinë e tyre, por më parë duhet t’i tregojnë publikun “trukun” që njerëzit të besojnë .
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.