Banka Botërore ka rishikuar projektin e saj lidhur me shërbimet mjedisore duke u ndalur në progresin që kanë shënuar komponentët dhe arritja aktuale e objektivave. Referuar raportit të fundit nënvizohet se një pjesë e mirë e masave të dakordësuara në misionin paraardhës ishin realizuar ndërkohë që ato që ende nuk kishin kapur afatet u përmbyllën në muajin nëntor me programet e menaxhimitt të prokurimeve. Deri më tani Banka nënvizon se janë disbursuar vetëm 39 për qind e fondeve nga totali i projektit që në katër komponentë të tij përfshin një financim prej 20 milionë dollarësh.
“Një mision i përbashkët që mbështet zbatimin nga Banka Botërore dhe Agjencia Ndërkombëtare Suedeze e Zhvillimit u mbajt mes 12 dhe 23 nëntorit 2018. Arritjet kyçe në takim për Objektivat e Zhvillimit të Projektit përfshijnë : përmirësimin e 5893 hektarë tokë pyje dhe kullota, sezonale (punësimi i 1847 përfituesve direktë, kompletimi i masave në terren për Inventarin Kombëtar të Pyjeve, kontraktimi i AIFIS (Sistemi Shqiptar i Informacionit për Pyjet) dizejnimi i software dhe hardware, kompletimi dhe aprovimi i regjistrimit për 242 hektarë pyje dhe tokë kullotash për 16 bashki dhe pagesat për përfituesit e thirrjes së parë për pylltarinë nga grantet e IPARD. Shumica e veprimeve të dakordësuara në misionin e fundit ishin kompletuar në kohë por për ato me vonesë u bë publikimi i planit të menaxhimit të prokurimeve. Mundësimi i aktiviteteve për planifikim identifikimi i katër bashkive që do ntë të mbështeten, dizejnimi i bazë së brendshme të të dhënave dhe përgatitja e termave të referencës u kompletua në kohën që ishte prezent misioni. Disbursimi për të tre burimet ishte në nivelin 39 për qind të fondeve” thuhet në raport.
I njëjti nënvizon se mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe asaj për Turizmin dhe Mjedisin ka pasur diskutime për disa ndryshime të mundshme por që deri më tani asnjë shkresë me këto ndryshime nuk i ishte dërguar Bankës.
Projekti për shërbimet mjedisore u bë efektiv në janar 2015 dhe sipas kalendarit aktual pritet që të mbyllet 30 shtator 2019.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.