Agjentët e pasurive të patundshme të Malit të Zi pohojnë se këtë vit është rritur kërkesa për vila dhe apartamente luksoze nga të pasurit e Europës Perëndimore në Malin e Zi. Çmimet konkurruese, në raport me shtetet e rajonit dhe cilësia e lartë e ndërtimeve, kanë rritur interesin e blerësve të huaj. Si ndryshojnë çmimet e apartamenteve dhe vilave në Malin e Zi krahasuar me bregdetin shqiptar?
Dorina Azo
Në 5 vitet e fundit, tregu i pasurive të paluajtshme në Mal të Zi ka shënuar rritje të qëndrueshme. Në vitin 2022, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Malit të Zi, shtetasit e huaj kanë blerë pasuri të paluajtshme në vlerë 410 milionë euro.
Pjesa më e madhe e pronave ka qenë në bregdet. Krahasuar me periudhën para krizës së pandemisë Covid-19, transaksionet në pasuritë e paluajtshme nga shtetasit e huaj u rritën 1,3 herë më shumë.
Sipas agjentëve imobiliarë, kontributin më të madh për zhvillimin e sektorit real estate e ka dhënë ndërtimi i ndërtesave të reja me cilësi në nivelin europian, duke tërhequr vëmendjen e blerësve të huaj.
Në Shqipëri, blerjet e pronave jashtë vendit nisën me ritme të shpejta pas vitit 2014. Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 2014 deri në vitin 2018, shpenzimet e shqiptarëve për prona jashtë vendit arritën në 1,5 miliardë euro.
Në periudhën nga viti 1996 deri në 2020, rekordin e mban viti 2019, kur investimet arritën në vlerën e 69,7 miliardë lekëve, apo 606 milionë eurove. Në 24 vitet e fundit (nga viti 1996 deri në 2022) të ardhurat për blerje pronash jashtë vendit nga shqiptarët arrijnë në rreth 5 miliardë euro.
Nga të pasurit e Shqipërisë, më tepër interes për blerje pronash në Malin e Zi ka pasur për apartamentet në qytetin e Tivarit, sipas Stela Dhami, përfaqësuese ekzekutive për Shqipërinë dhe Kosovën në agjencinë “Colliers International”.
Znj. Dhami pohoi më herët për “Monitor” se sezoni më i gjatë turistik në Malin e Zi, që mundëson të ardhura nga qiraja gjatë gjithë vitit, si dhe çmimet më të lira të pronave luksoze se në Tiranë, janë arsyet e rritjes së kërkesës për blerje apartamentesh nga shqiptarët.
Agjencitë imobiliare pohuan më herët se dy vitet e fundit, shqiptarët po investojnë më tepër për blerje pronash në Dubai, për shkak të çmimeve më të lira të pronave luksoze se Tirana dhe norma shumë e lartë të kthimit të investimit nëpërmjet qiradhënies mbi 20 vjet krahasuar me Dubain, që është deri në 10 vjet.
Si ndryshojnë çmimet e apartamenteve dhe vilave në Malin e Zi krahasuar me bregdetin shqiptar?
Çmimet e pronave në qytetet si Budva dhe Kotor janë më të shtrenjtat në Malin e Zi, sipas agjencive imobilare. Ndërsa riviera e Tivarit, po aq e njohur sa ajo e Budvës, ofron çmime më të lira.
Sipas të dhënave të agjencive imobiliare, çmimet e shitjes së apartamenteve të banimit në Budva variojnë nga 1,700 deri në 3,500 euro/m², në qytetin e Kotorit 2,000 – 3,500 euro/m² dhe në Tivar, 1,400 – 3,000 euro/m².
Në Budva, këtë vit, çmimet e apartamenteve luksoze variojnë nga 3,500 deri në 6,000 euro/m²; në Kotor, 3,500 – 8,000 euro/m². Çmimet në këto zona janë rreth 14 deri 56% më shtrenjtë se pronat luksoze në resortet në Sarandë.
Ndërsa në qytetin e Tivarit, çmimet e apartamenteve luksoze arrijnë 1,400 deri në 3,000 euro/m², 56% më lirë se pronat e luksit në Sarandë (në një resort të ri që po ndërtohet, çmimet e apartamenteve këtë vit kanë arritur 3,500 euro/m², sipas zyrës së shitjeve).
Në Shqipëri, çmimet e pronave luksoze në bregdet (brenda resorteve turistike) më të shtrenjta se në Malin e Zi, përkatësisht se Tivari janë në Sarandë.
Çmimet e shitjes së apartamenteve në dy resorte në Gjirin e Lalëzit, referuar të dhënave të zyrave të shitjes, variojnë nga 1,900 euro, 2,200 deri në 2,300 euro/m².
Apartamentet luksoze që po shiten më shtrenjtë se në Malin e Zi në Shqipëri janë ato të resorteve të Sarandës.
Në projektin e ri që po zhvillohet në Sarandë, çmimet e apartamenteve, sipas zyrës së shitjes, variojnë nga 3,000 – 3,500 euro/m². Krahasuar me çmimin maksimal të apartamenteve të luksit në Budva, në Sarandë çmimet janë 41% më lirë, krahasuar me Kotorin janë 56% më lirë, ndërsa në krahasim me çmimet e Tivarit, janë 14 deri 53% më shtrenjtë.
Për sa i përket ecurisë së çmimeve të vilave në qytetin e Budvës, referuar të dhënave të agjencive të pasurive të paluajtshme, varion nga 3,500 deri në 10,000 euro/m². Në qytetin e Kotorit janë 4,000 – 7,000 euro/m² dhe në qytetin e Tivarit, çmimet nisin nga 2,000 – 3,500 euro/m².
Në Shqipëri, çmimet e vilave në bregdet, referuar të dhënave të disa resorteve në Jug të Shqipërisë dhe në Gjirin e Lalëzit, përkatësisht në Gjirin e Lalëzit variojnë 3,000 – 3,500 euro/m².
Çmimi më i shtrenjtë i vilave elitare në këtë zonë ka qenë 1,2 milionë euro (referuar çmimit të vjetshëm të shitjeve); në Orikum dhe Palasë çmimet janë 3,500 euro/m² dhe në Sarandë, 4,500 euro/m². Këtë vit, çmimi më i lartë në total për vilat elitare ka arritur në Sarandë, në vlerën 1,6 milionë euro.
Në resortin Portonovi në Malin e Zi, çmimet e pronave luksoze variojnë nga 320,000 euro deri në 15 milionë euro.
Drejtoresha e marketingut, Adrijana Husić, tha se kërkesat e shumta për të banuar në këto projekte që nga vendndodhja strategjike, tërësia e shërbimeve që ofrohen për klientët, dyqanet e produkteve ushqimore, veshjeve, farmacitë, ambiente edukimi për fëmijët (kopshte dhe shkolla), porti i jahteve, aerodromi për uljen e helikopterit, programi i qiradhënies dhe prurja e një ndër markave më të njohura të hotelerisë së Dubait, “One and Only”, reflektohen edhe në çmim.
“Çmimet e shitjes së pronave rezidenciale variojnë nga 320,000 euro (për apartamente sudio) dhe 10 deri në 15 milionë euro për vilat “One & Only”. Çmimet e qirave të apartamenteve variojnë sipas sezoneve turistike. Gjatë sezonit të verës, qiratë nisin nga 450 deri në 7,500 euro/nata”, pohoi znj. Husić.
Duke qenë se pjesa më madhe e klientëve janë të huaj, konkurrenca në çmime nuk është vetëm lokale, por edhe rajonale. Në këtë aspekt, znj. Husić thekson se çmimet për pronat e luksit krahasuar me ato të rajonit, vijojnë të mbeten konkurruese.
Kush po blen më shumë prona në Malin e Zi?
Blerësit më të mëdhenj të pasurive të paluajtshme në Malin e Zi në 2022 ishin shtetasit rusë. Sipas analizës së Bankës Qendrore të Malit të Zi, pas fillimit të luftës në Ukrainë, në periudhën shkurt – maj rusët blenë në Malin e Zi prona me vlerë 20 milionë euro. Rusët janë edhe investitorët më të mëdhenj për ndërtimin e pasurive të paluajtshme në Malin e Zi.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore pas fillimit të luftës, deri në fund të muajit maj, investimet në ndërtim në Malin e Zi të rusëve ishin në vlerën e 41 milionë eurove. Pas tyre investitorët më të mëdhenj ishin arabët. Investimet e tyre arritën në 40 milionë euro.
Grupi i tretë i investitorëve më të mëdhenj janë kompanitë malazeze, me vlerë 29,4 milionë euro investime dhe grupi i katërt, kompanitë turke, me investime në vlerë 27,9 milionë euro.
Nga agjencitë e pasurive të paluajtshme pohohet se ketë vit edhe shtetasit europianë dhe amerikanë janë blerësit potencialë të pronave të luksit në bregdetin e Malit të Zi.
Rritja e kërkesës për blerje apartamentesh dhe vilash nga shtetas të Europës Perëndimore, kryesisht gjermanë, austriakë, të Europës Lindore, SHBA-së, rusë dhe ukrainas në Malin e Zi theksohet edhe nga përfaqësuesit e zyrës së marketingut të resortit Portonovi, një investim me vlerë 1 miliard euro në qytetin Herceg Novi.
Drejtuesja e zyrës së Marketingut dhe Komunikimit të resortit Portonovi Adrijana Husić, ku më së shumti blerësit e vilave dhe apartamenteve janë prej vendeve që kanë pasur tradicionalisht interes në Malin e Zi, si vendet e Ballkanit, Rusia, Ukraina.
Për shkak të ndryshimeve dhe sfidave në rang global, por njëkohësisht edhe prej rritjes së promovimit të Malit të Zi në rang global, ka pasur rritje interesi edhe nga vende si Gjermania, Austria dhe shtete të tjera europiane. Ndërsa nga shqiptarët ka pasur kërkesë për apartamentet me qira gjatë sezonit turistik.
Resorti Potonovi është investimi më i ri në turizëm dhe sektorin e pasurive të paluajtshme në Malin e Zi i konceptuar për nga ndërtimi, si qytet brenda qytetit. Resorti shtrihet pranë brigjeve të Detit Adriatik, në gjirin e famshëm të Bokës.
Me sipërfaqe 26 hektarë, ku përfshihen 218 apartamente në tetë blloqe të tipologjisë “village” dhe 5 ndërtesa të ulëta të tipit Marinë, 10 vila unike “One & Only”, hapësira të gjelbra, port jahtesh dhe aerodrom, Portonovi ofron pasuri të paluajtshme jo vetëm me qëllim blerjen e tyre për shtëpi pushimi, por edhe për investim, falë mbështetjes nëpërmjet programit të menaxhimit të dhënies me qira.
Drejtoresha e Marketingut dhe Komunikimit, Adrijana Husić, pohoi për “Monitor” se investimet për blerje prone në këtë resort përveçse si shtëpi pushimi, gjithnjë e më tepër po parapëlqehen edhe për dhënie me qira.
E gjitha kjo shkon në përputhje me strategjinë e investitorit jo vetëm për të ofruar mjedise pushimi në një resort, por të mundësohet edhe një përvojë unike qëndrimi, një stil i nivelit ndërkombëtar për të gjithë rezidentët e tij.
“Shumica e pronarëve të shtëpive, aktualisht i përdorin apartamentet për kënaqësinë personale, për të ndarë momente të çmuara me familjet e tyre dhe duke shijuar çaste qetësie. Ata kanë zgjedhur të krijojnë një parajsë për veten, duke përqafuar qetësinë dhe komfortin e apartamenteve të tyre.
Ndërsa shumica e pronarëve i përdorin pronat për përdorim personal, sigurisht një grup ka vendosur të përfshijnë apartamentet e tyre në programin tonë të qiradhënies.
Këta individë kanë zgjedhur të ndajnë kohën në mënyrë të barabartë, duke shpenzuar gjysmën e kohës së tyre këtu, duke shijuar gëzimet te shtëpitë e tyre të zemrës dhe nga ana tjetër, gjysmën e kohës duke dhënë me qira apartamentet e tyre”.
Prej gati 3 vitesh, resorti Portonovi (investimi ka përfunduar në vitin 2019) mirëpret shumë turistë të huaj dhe vendas që jo vetëm kanë blerë prona në këtë resort, por edhe i investojnë në dhënie me qira nëpërmjet planit të menaxhimit të qirasë që ofron kompania.
Nga agjentët e zyrës së shitjes së marketingut të resortit u theksua se së fundmi është vënë re se shumë blerës, duke ditur se vlera e pronës së blerë do të rritet ndër vite, zgjedhin të mos e shesin atë, por të fitojnë duke e dhënë me qira përmes programit të qiradhënies që ofron vetë resorti, që nga gjetja e qiramarrësve, mirëmbajtje dhe strategjia e administrimit të këtyre njësive.
Sipas tyre, në këtë mënyrë, blerësi jo vetëm nuk humbet mundësinë e shijimit të pronës në këtë resort shumë të kërkuar nga të huajt, por i krijon vetes mundësinë që të fitojë më shumë në të ardhmen nga shitja me çmim edhe më të lartë se sot dhe, gjatë kësaj kohe, merr të ardhura të qëndrueshme nga dhënia e pronës me qira dhe menaxhimi i saj që i bën resort “Portonovi”.
Nga përfaqësuesit e zyrës së marketingut u theksua se oferta është e avancuar, duke pasur parasysh të ardhurat, që mund të fitohen nga vënia në përdorim e pronës, e kthejnë në alternativë interesante investimi.
Ndërsa rreziku i humbjes konsiderohet i ulët, për shkak të zhvillimit të sektorit të turizmit në Malin e Zi.
Avantazh për thithjen e blerësve të huaj në Malin e Zi, janë edhe normat preferenciale të taksave krahasuar me rajonin. Nuk ka kufizime për blerjen e pronave nga të huajt, përveç tokës, e cila mund të blihet nga të huajt vetëm nëpërmjet një kompanie nëse është tokë bujqësore.
Normat e tatimit në pronë janë gjithashtu tërheqëse për të huajt, sepse norma e tatimit për transferimin e pronës është 3%, dhe niveli vjetor i tatimit në pronë është midis 0,1% dhe 1% të vlerës së tregut të pronës.
Mali i Zi ka nënshkruar gjithashtu traktate të taksimit të dyfishtë mbi të ardhurat dhe pronën me më shumë se 40 vende.
Si po e zgjidh problemin e mungesës së fuqisë punëtore Mali i Zi?
Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit po ndihet edhe në Malin e Zi. Bizneset në hoteleri, bare dhe restorante, sidomos në zonat e bregdetit, po hasin vështirësi në gjetjen e punëtorëve.
Shkak i mungesës së fuqisë punëtore, sipas përfaqësuesve të bizneseve të hotelerisë – është kërkesa e lartë e hoteleve dhe resorteve për punonjës në Malin e Zi, ndërkohë që shumë prej të rinjve, për shkak të pagesave më të leverdishme, zgjedhin të punojnë në sektorin e hotelerisë në Kroaci.
Drejtoresha e marketingut, Adrijana Husić, nënvizon se janë ndjekur politika stimuluese për të rinjtë gjatë sezonit turistik, me qëllim riaftësimin e tyre si fuqi në sektorin e hotelerisë dhe turizmit.
“Çmimet e pronave në Malin e Zi reflektojnë standardet ndërkombëtare”
Flet Drejtoresha e Marketingut dhe Komunikimit, Adrijana Husić
Çmimet konkurruese për pronat e luksit në Malin e Zi kanë shtuar kërkesën e të pasurve nga Europa Perëndimore për blerje të tyre në resortin Portonovi.
Drejtoresha e Marketingut dhe Komunikimit e resortit Portonovi, Adrijana Husić, pohon se kërkesa për blerje pronash nga europianët është rritur për shkak të ofrimit të çmimeve konkurruese për apartamentet dhe vilat luksoze, si dhe përfitimit të sigurt dhe të rregullt të të ardhurave nga dhënia e tyre me qira.
Shqiptarët shfaqin interes për apartamentet me qira gjatë verës.
Znj. Husić, sa është vlera totale e investimit për resortin Portonovi, sipërfaqja e ndërtimit dhe sa godina gjenden në të?
Investimi total për ngritjen e resortit Portonovi është në vlerën e rreth 1 miliard eurove. Sipërfaqja totale e resortit është 26 hektarë dhe aty ndodhen 218 apartamente në tetë blloqe të tipologjisë “village” dhe pesë godina të ulëta të llojit Marina.
Portonovi është gjithashtu shtëpia e parë në Europë e markës së hotelerisë “One & Only” dhe 10 shtëpive vilave unike “One & Only”.
Si është kërkesa për prona në resortin Portonovi në Malin e Zi?
Kërkesa për prona luksi në Malin e Zi ka qenë në rritje në mënyrë të qëndrueshme në këto vite. Gjiri i Bokës, pranë të cilit është ngritur resorti, njihet për bregdetin mahnitës, malet piktoreske dhe qytetet historike.
Të gjithë këta faktorë, të kombinuar me ofertën luksoze dhe ekskluzive te Portonovi, janë një ndërthurje që gjithmonë do të gjejnë rrugën e vet për te klientët.
Ne jemi shumë të kënaqur me numrin në rritje të blerësve. Gjëja e dytë shumë e favorshme për Portonovin është shumëllojshmëria e pronave të patundshme dhe njerëzit që njohin cilësinë mund të blejnë, në varësi të buxhetit të tyre dhe preferencave, që nga apartamentet deri te vilat private.
Kërkesa për blerjen e pronave kryesohet për qëllim përdorimin e tyre si shtëpi banimi rezidenciale, apo për investim për përfitim nga dhënia me qira?
Shumica e pronarëve të shtëpive, aktualisht i përdorin apartamentet e tyre për kënaqësinë personale, për të ndarë momente të çmuara dhe qetësie me familjet e tyre. Ata kanë zgjedhur të krijojnë një parajsë, duke përqafuar qetësinë dhe komfortin që ofrojnë këto prona.
Ndërsa shumica e pronarëve i përdorin pronat për përdorim personal, sigurisht një grup ka vendosur, të përfshijnë apartamentet e tyre në programin tonë të qiradhënies.
Këta individë kanë zgjedhur të ndajnë kohën në mënyrë të barabartë, duke shpenzuar gjysmën e saj, për të shijuar momente të gëzueshme me familjarët te shtëpitë e blera, dhe nga ana tjetër, gjysmën e kohës duke i dhënë me qira.
Nga cilat vende janë klientët tuaj, pavarësisht nëse ata blejnë pronat apo i japin me qira?
Mali i Zi, duke përfshirë Portonovin, prej kohësh ka qenë një destinacion për turistët, veçanërisht ata të ardhur nga rajoni dhe Europa Lindore.
Shumë turistë të diasporës së Ballkanit, gjithashtu, të cilët i kanë rrënjët në këtë zonë, kur kthehen në shtëpi gjejnë gëzim të madh duke kaluar pushimet me ne.
Ne krenohemi që ofrojmë një përvojë mikpritëse dhe pozitive për këta turistë, duke ju ofruar jo vetëm ndjenjën e lidhjes së trashëgimisë kulturore të vendit të tyre, por edhe kënaqësinë me vendndodhjen e jashtëzakonshme të resortit.
Në anën tjetër është nxitur kërkesa në rritje për blerje pronash në Portonovi nga blerës nga Europa Perëndimore, për qëndrimin gjithashtu në hotelin “One & Only” dhe në e Malin e Zi.
A kanë shfaqur interesim shqiptarët për të blerë prona në këtë investim?
Ne i kushtojmë rëndësi të madhe respektimit të privatësisë së të gjithë turistëve dhe pronarëve të shtëpive. Për rrjedhojë mbajmë një politikë strikte për të mos zbuluar kurrë informacionin e tyre personal.
Ndërsa ne nuk mund të japim detaje specifike në lidhje me pronarët e shtëpive tona, mund të ndajmë se aktualisht nuk kemi pronarë shtëpish nga Shqipëria brenda komunitetit tonë. Megjithatë, gjatë kësaj vere, kemi vërejtur rritje të dukshme të interesit për apartamentet tona me qira.
Sa variojnë çmimet e shitjes së apartamenteve dhe vilave, si dhe qiratë?
Çmimet e pronave variojnë nga 320,000 euro për blerjen e apartamenteve të llojit “studio” dhe 10 deri në 15 milionë euro për vilat unike “One & Only”. Çmimet e qirave variojnë nga sezoni, gjatë verës janë nga 450 euro deri në 7,500 euro/nata.
Në raport me rajonin, a janë këto çmime konkurruese?
Çmimet e shitjes dhe qirave përputhen me standardet ekskluzive të ofruara, duke reflektuar jo vetëm cilësinë, por edhe një përvojë të jashtëzakonshme qëndrimi. Ne krenohemi që raporti çmim/cilësi, duke përfshirë gamën e shumtë të shërbimeve dhe komoditeteve, mbetet i drejtë dhe konkurrues.
Duke pasur me kujdes parasysh tendencat e çmimeve të tregut, si dhe duke vlerësuar veçoritë dhe përfitimet dalluese që ofron komuniteti ynë, kemi vendosur çmime që pasqyrojnë vërtet vlerën e pakrahasueshme të ofertave tona.
Ne besojmë se vlera jonë e tejkalon shumë investimin monetar, pasi çdo aspekt i ofertave tona është projektuar me kujdes për të tejkaluar pritshmëritë dhe për të krijuar momente të paharrueshme.
A keni bërë ndonjë llogaritje se sa ka përfituar ekonomia e Malit të Zi nga ky investim?
Ne si kompani krenohemi shumë që e mbajmë angazhimin tonë ndaj përgjegjësisë financiare dhe praktikave etike.
Gjithashtu, me kënaqësi themi se i përmbushim detyrimet tona, duke paguar të gjitha taksat dhe detyrimet, në mënyrë të menjëhershme dhe të rregullt.
Së dyti, si punëdhënës, ne e kemi prioritet krijimin e një mjedisi të sigurt për punonjësit tanë. Ne jemi të përkushtuar për të ofruar një vend pune që nxit besimin, respektin dhe mirëqenien, duke siguruar që të gjithë të ndihen të vlerësuar dhe të mbrojtur.
Po fuqia punëtore, a keni probleme me gjetjen e tyre dhe pse?
Gjetja e punonjësve të aftë dhe të kualifikuar së fundmi është bërë një sfidë e përbashkët për të gjithë punëdhënësit.
Ne e dimë rëndësinë e gjetjes dhe mbajtjes në punë të punonjësve të talentuar, të cilët përputhen me standardet tona të përsosmërisë.
Pavarësisht kësaj pengese, ne mbetemi të përkushtuar ndaj misionit tonë, për të krijuar një mjedis përmbushës dhe shpërblyes, si për profesionistët tanë me përvojë, ashtu edhe për të rinjtë e talentuar që aspirojnë të punojnë me ne, por dhe për punonjësit që punojnë këtu gjatë gjithë vitit.
Gjatë periudhës së sezonit, ne punësojmë një fuqi punëtore të konsiderueshme, duke ofruar mundësi të vlefshme për të rinjtë, për të fituar përvojë në resortin tonë luksoz.
Janë rreth 29 mijë profesionistë të lirë që ushtrojnë profesionin në vend, sipas të dhënave zyrtare. Mes tyre ka kontabilistë, ekspertë kontabël, avokatë, juristë, agjentë të pasurive të paluajtshme, dentistë, mjekë etj. Ata janë të regjistruar kryesisht si biznese të vogla dhe të vetëpunësuar, ndërsa…
Shtetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë një mbështetje të lartë për lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Kompania e njohur ndërkombëtare e sondazheve, Gallup, ka publikuar sondazhin e fundit “Vlerësimi i Liderëve Botërorë, SHBA kundrejt Gjermanisë, Kinës dhe Rusisë”. Kosova është shteti…
Qeveria shqiptare ka kërkuar një tjetër kredi pranë Bankës Botërore për një shumë 80 milionë dollarë, e cila pritet të miratohet në fund të këtij viti nën emërtimin “Rritja e Qëndrueshmërisë 2 dhe Zhvillimi i Gjelbër”. Kjo kredi parashikon mbështetjen e qeverisë në disa aspekte…
EDITORIAL MONITOR / Më e pakta, parulla e shumëdeklaruar e barazisë fiskale ishte një keqdashje dhe aspak masë për të luftuar evazionin fiskal “Në parim, të gjithë do të duhet të japin kontributin e tyre në shpenzimet publike, në funksion të kapacitetit të…
Qeveria shqiptare, Banka Botërore dhe grupet e interesit janë duke diskutuar ndryshime në reformën e pensioneve, të cilat do të jenë gati deri në fund të vitit. Burimet nga entet që po punojnë për reformat pohuan se ndryshimet që po diskutohen përfshijnë uljen e viteve…
Banka Botërore dhe Qeveria Shqiptare janë në një fazë intensive të bisedimeve, për një reformë të re në skemën publike të pensioneve. Emanuel Salinas, Menaxheri i Zyrës së BB në Shqipëri, në një intervistë të posaçme për “Monitor”, tha se propozimet finale do të jenë…
Ndryshimet e reja në skemën e pensioneve synojnë të nxisin skemat private për profesionistët, duke ofruar stimuj për profesionet e lira dhe të vetëpunësuarit. Institucionet financiare ndërkombëtare po nxisin skemën profesionale ku të gjithë të vetëpunësuarit janë anëtarë të paracaktuar. Për të inkurajuar marrjen e…
“Në parim, të gjithë do të duhet të japin kontributin e tyre në shpenzimet publike, në funksion të kapacitetit të tyre kontribuues”. Kuptimi i kësaj shprehjeje shpesh varet…
Aleksandër Risilia, Co-Managing Director & Co-Founder i kompanisë “Ritech International AG”, që ofron shërbime IT për tregun në SHBA tha për podcast-in “Business Plus” se normat e reja tatimore për profesionet e lira do të ndikojnë në uljen e numrit të kompanive IT. Z. Risilia…
Sot në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet në mes të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit. Edhe në këtë takim, temë kryesore…
Frika e Europës nga emigrantët mbizotëron politikën e saj të jashtme. Tregtia, ndihma dhe vizat për vendet e varfra, po kushtëzohen gjithnjë e më shumë nga…
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe institucionet e saj duhet të ndërmarrin masa të balancuara që adresojnë nevojat e ekonomisë dhe të konsumatorëve, duke mbajtur nën…
Banka e Japonisë, e mbajti të pandryshuar normën e politikës monetare, në 0%-0.1%. Ndërsa lëvizja pritej, kjo vjen pasi inflacioni i prillit në Tokio, ishte më…
Një udhëtim në kohë Eda Meta, MSc. International Finance German Banking Industry Historia e Inteligjencës Artificiale daton që në lashtësi. Njerëzimi ka ëndërruar gjithmonë për…
Sipas një studimi të fundit të European Sponsorship Association (ESA) në bashkëpunim me Nielsen Sports, tregu europian i sponsorizimeve u rrit në 30.9 miliardë euro, duke…