Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personave ka propozuar disa ndryshime në ligjin “Për të drejtën e Informimit”.
Projektligji përcakton në mënyrë më të detajuar kompetencat e Komisionerit në fushën e së drejtës për informim.
Projektligji parashikon që Komisioneri duhet të të njihet dhe të ketë akses në informacionin dhe dokumentet, objekt ankimi, duke përfshirë edhe informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror”. Në këto raste, ai do të jetë i detyruar të respektojë kërkesat për ruajtjen e “sekretit shtetëror”, sipas legjislacionit në fuqi. Komisionerit do të ketë të drejtën t’i kërkojë, me një vendim të arsyetuar, autoriteteve kompetente të fillojnë një procedurë deklasifikimi, sipas vlerësimeve rast pas rasti. Projektligji parashikon edhe të drejtën e Komisionerit për të vendosur në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, për çështje që lidhen me të drejtën e informimit.
Risi e rëndësishme e propozuar është përcaktimi i Vendimit të Komisionerit për dhënie të informacionit si titull ekzekutiv, me kalimin e afatit të përcaktuar në vendimin përkatës. Në këtë rast, vendimi mund vihet në ekzekutim nga kërkuesi në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile. Kjo do të thotë që, nëse Komisioneri gjykon se refuzimi i një institucioni për të dhënë informacion është bërë në shkelje të ligjit dhe nëse institucioni në fjalë refuzon ta zbatojë vendimin e Komisionerit, kërkuesi i informacionit ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës për nxjerrjen e urdhërit të ekzekutimit të detyrueshëm të vendimit.
Projektligji përcakton në mënyrë eksplicite se çdo autoritet publik duhet të ketë faqen e tij në internet, me qëllim publikimin e programit të transparencës.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e Bordit Këshillimor, i cili do të shërbejë si një mekanizëm rekomandues, mbështetës i Komisionerit mbi zbatimin sa më të drejtë dhe gjithëpërfshirës të ligjit. Sipas projektligjit të propozuar, Bordi Këshillimor drejtohet nga Komisioneri dhe ka në përbërje të tij 2 anëtarë nga fusha akademike, 1 anëtar nga institucionet qendrore, 1 anëtar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe 2 anëtarë nga organizatat e shoqërisë civile. Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë e sanksionimit me gjobë të personit përgjegjës për refuzimin e dhënies së informacionit, në rastet kur Komisioneri gjykon se refuzimi është bërë në shkelje të ligjit. Propozim tjetër në projektligj është përfitimi i një shtese page për natyrë të veçantë pune për koordinatorin për të drejtën e informimit. Në praktikën e institucioneve, zakonisht detyra e koordinatorit për të drejtën e informimit nuk është pozicion i posaçëm në organigramë, por ai i caktohet një nëpunësi të institucionit që mbulon edhe detyra të tjera.
Vetëm vitin e kaluar, Komisioneri për të Drejtën e Informimit mori 992 ankesa për mosdhënie informacioni apo dokumentacioni, në rritje me 39% krahasuar me një vit më parë. Në pjesën më të madhe të rasteve, pothuajse 700 gjithsej, Komisioneri iu ka dhënë të drejtë këtyre aknesave dhe ka bërë të mundur sigurimin e informacionit./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.