Pa vendosjen e kufijve, do të mbingarkoheni shpejt. Ja si t’i vendosni ata, pa i tjetërsuar njerëzit.
Shumë individë, të cilët bëjnë punë shumë të kërkuara, besojnë se vetmja mënyrë për t’u bërë të suksesshëm, është t’i thonë “po” çdo gjëje, edhe pasi ndihen burnout apo të lodhur.
Por, ekzistojnë mënyra për të bërë punën që ju pëlqen, si dhe të ndiheni energjik dhe të emocionuar njëkohësisht.
Kufijtë janë gjëja më e rëndësishme, që mund të përfshini në biznesin tuaj. Ata janë më të rëndësishëm se klientët, më të rëndësishme se paratë.
Kufijtë e shëndetshëm ndikojnë në mënyrën se si ndihemi çdo ditë. Ata ndikojnë në mënyrën e të punuarit, në energjinë që kemi, për gjithçka dhe për të gjithë të tjerët rreth nesh.
Kufijtë janë të nevojshëm për çdo profesionist që punon, por ata janë të domosdoshëm për njerëzit, që janë të vetëpunësuar. Sepse kur keni një biznes, duhet t’i vendosni ju rregullat.
Ju mendoni se mënyra e vetme për t’u rritur, është të merrni më shumë punë përsipër. Ndiheni sikur po bëni diçka të gabuar, kur nuk jeni duke punuar.
Kalendari i punës
Një nga gjërat më të mira e të pasurit një biznes, është se JU keni kontroll mbi kalendarin tuaj. Jeni ju që duhet të vendosni se si do të duket dita juaj.
Prandaj është shumë i rëndësishëm zbatimi i një sistemi automatik kalendarik. Gjithashtu, zgjidhni një ditë pa telefonata ose takime. Përdoreni atë ditë për të dërguar fatura, për të finalizuar kontratat dhe për të bërë gjërat, që ndihmojnë në funksionimin dhe rritjen e biznesit.
Gjithashtu, ju duhet kohë ndërmjet takimeve, rreth 15 -30 minuta, që të mund të përgatiteni për takimin e ardshëm. Mënyra më e shpejtë për ta bërë një klient të ndihet sikur nuk po e merrni seriozisht, është të paraqiteni vonë për një takim apo telefonatë.
Së fundi, vendosni se kur mbaron dita juaj. Kuptoni kur dëshironi, që dita juaj të përfundojë, dhe bllokoni kalendarin tuaj në përputhje me rrethanat. Mos harroni, ju punoni për veten, prandaj ju duhet të ndërtoni një orar, që ju ndihmon.
Klientët
Një nga ankesat më të mëdha, është se njerëzit e vetëpunësuar ndihen sikur klientët janë duke përfituar prej tyre. Kjo i ndodh çdo sipërmarrësi, veçanërisht kur ata fillojnë të punojnë për herë të parë, sepse zakonisht janë aq mirënjohës për punën, saqë harrojnë të mbrojnë veten.
Marrëdhëniet tuaja me klientët duhet të ndihen bashkëpunuese dhe mbështetëse.
Faktori më i rëndësishëm për t’u marrë parasysh, kur bëhet fjalë për vendosjen e kufijve me klientët, është njohja e ‘flamujve të kuq’ (red flags*).
Gjithashtum duhet të keni kontrata dhe propozime të detajuara, që përshkruajnë qartë fushën e punës, orarin e pagesave dhe orët e punës.
Fuqia e të thënit JO
Shumë prej nesh besojnë se e vetmja mënyrë, për të qenë sipërmarrës të suksesshëm, është nëse i themi ‘po’ çdo mundësie, edhe kur e dimë se nuk është e duhura. Të thuash ‘jo’ mund duket e frikshme, sikur po refuzojmë shumë para dhe njohje të shkëlqyera profesionale.
Por, duhet parë në një këndvështrim tjetër: mendoni për gjërat, që po u thoni PO, kur thoni JO.
Kur thoni ‘jo’ për diçka, që nuk është e duhura për ju, po u thoni ‘po’ kohës më familjen, kohës për të pushuar dhe, më e rëndësishmja, po u thoni PO, mundësive që do të jenë të përshtatshme për ju.
Mund të shkruani një shprehje kur doni të refuzoni diçka si, “Faleminderit shumë që menduat për mua. Fatkeqësisht, nuk jam në dispozicion.” Është e respektueshme, e shkurtër dhe e vështirë për t’u debatuar.
Edhe pse këto këshilla mund të duken të pazakonshme për një sipërmarrës, por kur vendosni kufij rreth orarit dhe marrëdhënieve me klientët, si dhe ndiheni mirë duke thënë JO – do të ndiheni më energjik për punën. / Inc
* Term metaforik, që tregon shfaqjen e një problemi ose diçkaje që perceptohet si problem.