Është për t’u fajësuar arsimi, korrupsioni dhe një ekonomi e madhe në hije, shkruan The Economist
Për gjysmëshekulli, politikat ekonomike në Amerikën Latine kanë qenë zhgënjyese. Ndërkohë, janë shpikur slogane për të përshkruar burimin që pengon rritjen në rajon.
Ekonomistët e parë u ankuan për një “dekadë të humbur” në vitet 1980, gjatë së cilës një sërë krizash fiskale çuan në falimentimin e 16 qeverive në rajon.
Vitet 1990 u kaluan në “kurthin e të ardhurave të mesme”, ku kërcimi i ndërlikuar nga industria e teknologjisë së ulët, në atë të lartë, pengoi zhvillimin e plotë të vendeve.
Edhe në fund të viteve 2000, kur çmimet e mallrave u rritën, filluan ankesat për “mallkimin e burimeve”, i cili godet kur burimet e energjisë dhe minierave, shkurajojnë investimet në prodhim.
Në vitin 1962, të ardhurat e Amerikës Latine për frymë, ishin tri herë më të larta se ato të Azisë Lindore. Deri në vitin 2012, të dy rajonet kishin të njëjtin nivel.
Deri në vitin 2022, Azia Lindore kishte afërsisht 40% të ardhura më të larta se Amerika Latine (shih grafikun 1). Kur merren parasysh dallimet në fuqinë blerëse, PBB-ja e amerikanëve latinë për person ka mbetur në rreth një të katërtën e asaj të fqinjëve të tyre në Shtetet e Bashkuara, për tri dekadat e fundit. Sipas Bankës Botërore, midis viteve 2010 dhe 2020, Amerika Latine ishte ekonomia rajonale me rritjen më të ngadaltë në botë.
Tani gjërat do të përkeqësohen edhe më shumë. Rritja pritet të jetë 1.9% në vitin 2023 dhe të qëndrojë nën nivelin 2% për vitin 2024, krahasuar me mbi 4% në tregjet e tjera në zhvillim.
Banka Botërore parashikon gjithashtu se Amerika Latine do të mbetet në fund të listës për sa i përket rritjes ekonomike për person, deri në vitin 2030. Pandemia e goditi fort Amerikën Latine: ajo pati numrin më të madh të vdekjeve se çdo rajon, midis marsit 2020 dhe tetorit 2021. Që atëherë, rimëkëmbja ekonomike ka ngecur.
Pse ekonomitë e Amerikës Latine janë në gjendje kaq të keqe?
Rajoni nuk ka mungesë punëtorësh, një arsye që jepet shpesh për një ekonomi të ngadaltë. Rritja e popullsisë së Amerikës Latine ka qenë ndër më të fortat në botë.
Disa nga vendet me ekonomitë me rritje më të ngadaltë, si Brazili dhe Meksika, kanë pasur rritjet më të mëdha të popullsisë. Gjatë 30 viteve të fundit, popullsia në moshë pune në rajon është dyfishuar. Raporti i punëtorëve ndaj vartësve, vazhdon të rritet dhe nuk pritet të arrijë kulmin deri në vitin 2030. Në të kundërt, Kina e arriti kulmin e saj në vitin 2011.
Në fakt, problemi duket se është mungesa e produktivitetit të punëtorëve. Ekonomistët e kanë jashtëzakonisht të vështirë të masin produktivitetin, por shumica e matjeve të tyre tregojnë se në Amerikën Latine, ka një produktivitet shumë të ulët. Përpjekjet e Bankës Botërore i rendisin punëtorët e Amerikës Latine si të dytët më pak produktivë në botë, pas atyre në Lindjen e Mesme.
Meksika është vazhdimisht vendi më pak produktiv në OECD, një klub i përbërë kryesisht nga shtete të pasura. Rritja vjetore e produktivitetit në rajon ka rënë midis 0.2% dhe 0.5% që nga viti 2000, sipas Bankës Botërore. Në të kundërt, produktiviteti i Azisë Lindore është rritur me më shumë se 2% çdo vit.
Investimi i dobët është një shkak i mundshëm i produktivitetit të ulët. Nëse politikanët dhe firmat nuk e përdorin kapitalin në teknologjinë, infrastrukturën dhe arsimin e ri, punëtorët mbeten pas konkurrentëve të tyre. Amerika Latine investon një vlerë të barabartë me vetëm 20% të PBB-së së saj rajonale, krahasuar me një mesatare prej 25% të PBB-së për tregjet në zhvillim.
Megjithatë, edhe në vendet ku investimet kanë qenë të larta, PBB-ja është ende në rënie. Investimet e brendshme vjetore të Meksikës kapin vlerën 22% të PBB-së.
Midis viteve 2017 dhe 2021, ajo tërhoqi Investime të Huaja Direkte vjetore me vlerë mesatare sa 2.8% e PBB-së. Megjithatë, në fund të kësaj periudhe, ekonomia e saj nuk ishte më e madhe se më parë (këtu ndikoi edhe pandemia).
Në çdo rast, FMN-ja mendon se fajësimi i investimeve për rritjen e ngadaltë, ngatërron shkakun me efektin. Sipas analizës së saj, është rritja e ulët e Amerikës Latine ajo që ka shkaktuar investime të ulëta.
Investimet e brendshme mbështeten në kursimet e familjeve, të cilat punëtorët e rajonit i kanë relativisht të pakta, për shkak të pagave të ulëta. Dhe kapitali i huaj është i pakët, sepse investitorët mendojnë se vendosja e parave të tyre gjetiu, do të sjellë kthim më të mirë fitimi.
Ka disa prirje afatgjata që kontribuojnë në problemin e produktivitetit të Amerikës Latine. Një prej tyre është arsimi. Përpara Covid-19, 15-vjeçarët e Amerikës Latine ishin mesatarisht tre vjet mbrapa bashkëmoshatarëve në OECD, në provimet e shkencës, matematikës dhe anglishtes.
Hendeku ka të ngjarë të jetë përkeqësuar tani: sipas UNICEF, fondit të fëmijëve të krijuar nga OKB-ja, shkollat në Amerikën Latine dhe në Karaibe, patën ndër karantinat më të gjata, duke mbetur plotësisht të mbyllura për 158 ditë, nga marsi 2020 deri në shkurt 2021, krahasuar me mesataren globale prej 95 ditësh.
Puna nga ora 9:00 deri kur?
Mundësitë janë të kufizuara për ata që dëshirojnë arsimin më të mirë, pasi rajoni ka pak universitete të klasit botëror. OECD-ja mendon se më pak se gjysma e amerikanëve latinë, kanë aftësinë për të kryer detyrat themelore me një kompjuter.
Kjo ka të ngjarë t’i nxisë firmat që të kërkojnë punëtorë më të lirë në Azi dhe në Afrikë. Kompanitë amerikane të teknologjisë që rekrutonin nga Guatemala dhe Kili, u ankuan në një samit vitin e kaluar, se nuk mund të gjenin punëtorë për të plotësuar vendet e punës.
Një problem i dytë është se rajoni ka shumë oligopole. Në Kili, 50 firmat më të mëdha, përbëjnë më shumë se 70% të PBB-së. Në Kolumbi, konglomeratet shtetërore përbëjnë 25% të të ardhurave të 100 bizneseve më të mëdha. Firmat e Amerikës Latine gëzojnë pjesë më të mëdha tregu se ato në pjesën tjetër të OECD-së.
Qeveritë e përkeqësojnë problemin, shpesh duke i bllokuar hyrjet e reja në industri, ose duke rritur kostot me burokraci. Kështu, për shkak të mungesës së konkurrencës dhe trysnisë për të inovuar, mbijetojnë vetëm kompanitë e vjetra dhe joproduktive.
Sipas Shannon O’Neil, nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, gjatë tri dekadave të fundit, vendet e Amerikës Latine kanë pasur shumë më pak larmi në ato që prodhojnë, sepse eksportet vijnë nga industri më pak produktive.
Ligjet e konkurrencës janë të pakta, ndërsa korrupsioni nuk ndihmon. Në shumë pjesë të rajonit, marrëveshjet e dyshimta midis bizneseve dhe qeverive, lejohen të lulëzojnë.
Megjithatë, problemi më i madh është sektori i madh joformal. Në Brazil dhe në Peru, më shumë se gjysma e fuqisë punëtore punësohet në mënyrë joformale.
Në Bolivi, kjo shifër është 82%, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Sipas një vlerësimi, Amerika Latine ka ekonominë në hije me rritjen më të shpejtë në botë, për sa i përket PBB-së për frymë. Punëtorët joformalë janë më pak produktivë. Për të fluturuar nën radar, firmat qëndrojnë të vogla.
Kjo do të thotë se ato nuk mund të rrisin prodhimin, gjë që do të ulte kostot. Sistemi financiar gjithashtu dëmtohet kur ka shumë firma joformale dhe punëtorë që nuk përdorin bankat konvencionale. Kredidhënia ka ngecur, që do të thotë se më pak firma marrin kredi.
“Informaliteti tregon se një ekonomi është e sëmurë”, thotë Santiago Levy, një bashkëpunëtor në Institutin Brookings. Ashtu si rritja e ngadaltë, ekonomitë ilegale nuk rriten vetë.
Në pjesën më të madhe të rajonit, kostot e larta të punësimit të njerëzve, për shkak të burokracisë, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe pagave minimale, i pengojnë bizneset e vogla dhe të mesme që të punësojnë njerëz zyrtarisht. Në disa vende, si Argjentina, ligjet e rrepta të punës e bëjnë pothuajse të pamundur shkarkimin e punonjësve.
Sipas Bankës Botërore, paga minimale në Kolumbi, është më e lartë se në shumicën e vendeve të OECD-së, në krahasim me nivelet mesatare të të ardhurave.
Korrupsioni brenda sektorëve formalë, për shembull kur një zyrtar doganor kërkon ryshfet, ose kur një oficer policie mbyll një sy ndaj kriminalitetit, gjithashtu ul koston e hyrjes në sektorin joformal. Gratë, të cilat për shkak të normave tradicionale gjinore, shpesh kujdesen për fëmijët krahas punës, kanë prirjen të favorizojnë fleksibilitetin dhe punësimin dhe largimin e lehtë nga këto lloj vendesh pune.
Zoti Levy, i cili dikur ishte kryeekonomist i Bankës Ndër-Amerikane për Zhvillim, mendon gjithashtu se struktura e disa shteteve ku ndërhyn shumë qeveria në ekonomi, si në Brazil, mund ta bëjë joformalitetin më tërheqës.
Ka edhe sisteme që ofrojnë kujdes shëndetësor për punëtorët joformalë, që ndonjëherë konsiderohen edhe më të mira se kujdesi i disponueshëm për njerëzit në punësim me kohë të plotë. Këto sisteme gjithashtu nuk kërkojnë që firmat të paguajnë kontribute shëndetësore për punonjësit e tyre.
Trajtimi i shumicës së këtyre problemeve nuk është diçka që pëlqehet nga politikanët. Rreth 300 milionë njerëz në të gjithë kontinentin, kanë filluar të mbështeten në fondet e shpenzimeve sociale për të ardhurat e tyre, kujdesin shëndetësor ose arsimimin e fëmijëve. Frika e politikanëve nga humbja e votave, do të parandalojë çdo ndryshim të skajshëm në këto politika, të paktën në një periudhë afatshkurtër.
Ndërkohë, shtrëngimi i oligopoleve mund të rrezikojë financimet e fushatave politike. Nxitja e industrive për të qenë më konkurruese, gjithashtu do të ndrydhte fitimet. Përparimi në arsim ka të ngjarë të jetë gjithashtu i ngadaltë, pasi rajoni ka disa sindikata të fuqishme të mësuesve.
Para për asgjë
Amerika Latine ka nevojë për një rishikim të politikës ekonomike. Ndërsa Shtetet e Bashkuara po mundohen të shkëputin industritë dhe teknologjitë nga Kina, fqinjët e tyre jugorë rrezikojnë të izolohen gjithashtu.
Pjesa më e madhe e politikës industriale të presidentit Joe Biden do të vazhdojë përpjekjet për ta rikthyer industrinë në atdhe. Edhe ato pak përfitime që mund të ketë rajoni i Amerikës së Jugut, veçanërisht Meksika, nga zhvendosja e pikave të prodhimit më pranë SHBA-së ose nga rihapja e Kinës, janë në rrezik nëse rajoni nuk mund të gjejë dot punëtorë dhe firma novatore për të plotësuar kërkesën.
Edhe në tranzicionin e gjelbër, ka një kombinim të ngjashëm premtimi dhe rreziku. Nga njëra anë, pasuritë e Amerikës Latine me bakër, minerale të rralla dhe litium, kanë ngjallur interes nga kompanitë shumëkombëshe.
Duhet që këto kompani të mëdha të konvertojnë interesat e tyre nga burimet e rajonit, në industritë e tij. Qeveritë e Amerikës Latine duan t’i detyrojnë kompanitë që vijnë për mineralet e tyre, t’i përpunojnë ato në rajon dhe më pas të ndërtojnë bateri dhe automjete elektrike atje.
Por kjo do të kërkojë politikë mendjemprehtë dhe një mjedis më të mirë biznesi, për t’i nxitur kompanitë të qëndrojnë. Një sektor më i vogël joformal dhe më shumë konkurrencë, do të ndihmonin shumë në arritjen e këtij qëllimi.
Nëse nuk i kuptojnë këto mundësi tani, politikanët janë në rrezik të hyjnë në një dekadë të re rritjeje të ngadaltë dhe do duhet të gjejnë një slogan tjetër për ta përshkruar atë.
Përktheu: Lira Muça