Punëtorët në Kosovë nga e premtja në protestë për 300 euro

07/09/2020 2:57 PM 0 komente

Punëtorët teknik dhe punëtorët e sigurimit nga e premtja do të dalin në protestë.  Ata po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të paguhen me nga 300 euro shtesë. 

Një protestë të tillë e kanë paralajmëruar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, pasi deri më tani policëve nuk iu janë paguar 300 euro nga pako emergjente.

Punëtorët teknik dhe punëtorët e sigurimit nga e premtja do të fillojnë me refuzimin e kryerjes së punëve në qendrat spitalore, qendrat mjekësisë familjare dhe ambulanta, në shenjë proteste për mosstimulimi e këtyre punëtorëve me nga 300 euro.

Kështu u bë e dituar pas takimit të Këshillit të Përgjithshëm të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi tha se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë lëvizur në kërkesën e kësaj sindikate lidhur me stimulimin e punëtorëve teknik dhe punëtorët e sigurimit të stimulohen me një pagë prej 300 euro, ashtu siç stimulohen mjekët në nivel të Kosovës.

“Të gjithë punëtorët e sektorit privat që kryejnë punë qendra spitalore, qendrat e mjekësisë familjare dhe ambulanta nga e premtja për një orë nuk do të kryen qendrat spitalore, në qendrat mjekësisë familjare dhe ambulanta, nga e premtja, një orë nuk do të kryejnë shërbime sepse ne konsiderojmë që me vendimin e qeverisë, gjegjësisht ministrit të Shëndetësisë përpos që jemi diskriminuar si punëtorë, jemi diskriminuar edhe në aspekt njerëzor sepse në të njëjtën dhomë ku një pacient i shtrirë me Covid, ku ka qasje mjeku, punëtori i sigurimit dhe ka qasje edhe punëtori i teknik”, tha ai

Azemi ka ka thënë  se Ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë falje për këtë diskriminim.

“Jemi të vendosur që nga fundi i kësaj jave do të fillojmë me veprime më të buta dhe do të shkojmë me ato më të larta. Ne jemi të interesuar që shëndetin e çdo pacienti ta ruajmë por në rend të parë, kemi ardhur në pozitë që, meqë shteti nuk po ruan shëndetit tonë, atëherë ne jemi të obliguar ta ruajmë shëndetin me aq sa mundemi e sa dimë“, tha ai.

Sipas tij, për këtë protestë është konsultuar me të gjitha qendrat e mjekësisë familjare nëpër komuna dhe kanë përkrahje të gjerë por kanë vendos një hapësirë tre ditore për vetëdijesimin e Qeverisë.

Protestat nisin në gjithë QKMF-të në Kosovë, nga ora 13:00 deri në orën 14:00.

Edhe Policia në protestë për 300 euro

Sindikata e Policisë së Kosovës ka paralajmëruar protesta, në rast se Qeveria e Kosovës brenda një jave nuk ua përmbush kërkesat e tyre.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se deri më tani policëve nuk iu janë paguar 300 euro nga pako emergjente e as orët shtesë.

“Këshilli Drejtues i Sindikatës të Policisë së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur me datë 04.09.2020 ka shqyrtuar situatën e krijuar dhe vazhdimin e pakënaqësive të shumta të pjesëtarëve të policisë lidhur me mospërfshirjen në pakon emergjente (që është e përcaktuar me ligj), ku përfshihen tani mos pagesa prej 300 eurove, mos pagesa e orëve shtesë, mos pagesa e shujtës dhe mos pagesa e ndërrimit të natës sipas ligjit. Duke e ditur dhe duke u bazuar në kushtet e vështira dhe në rrethanat në të cilat po vazhdon të punon Policia e Republikës së Kosovës në këtë situate pandemie, Sindikata e Policisë së Kosovës, fillimisht me datë 21.07.2020 iu është drejtuar me një kërkesë urgjente Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hotit si dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu me të cilin ka realizuar një takim, me qëllim të realizimit të kërkesave tona sindikale”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit thuhet se pasi që Sindikata e PK-së deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare dhe veprim konkret drejt realizimit të kërkesave, nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, Sindikata e Policisë përmes takimit të fundit të mbajtur me 04.09.2020 me këshillin drejtues ka marrë vendim.

Sindikata e Policisë së Kosovës beson se Qeveria do ta marrë parasysh kërkesën emergjente dhe të njëjtën do ta trajtojë me prioritet drejt realizimit të saj, në mënyrë që të mos ketë nevojë që Këshilli Drejtues i Sindikatës të marrë veprime tjera përfshirë protestën”.

Kujtojmë se, personeli mjekësor, policët, zjarrfikësit, ushtarët, doganierët, inspektorët dhe punëtorët e dyqaneve ushqimore kanë qenë disa nga përfituesit të Pakos Emergjente Fiskale, e cila ishte miratuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. Vlera totale financiare e kësaj pakoje ka qenë 179.65 milionë euro.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of