Janë shumë gjëra që shoqërojnë procesin e kërkimit të një pune, duke filluar që nga mënyra e paraqitjes së dokumenteve apo CV-së, që ndikon së tepërmi në prezantimin e parë me punëdhënësin. Po cilat janë pyetjet më të shpeshta që shoqërojnë këtë proces? Le t’i hedhim një sy, jo vetëm atyre, por edhe përgjigjeve.
Si të afroheni te një kompani në të cilën doni të punoni, por nuk ka nxjerrë njoftim për punë?
Mënyra më e mirë është që të krijoni njohje me punonjës të rëndësishëm të kësaj kompanie, të paraqisni interes të vazhdueshëm dhe të bini në sy për njohjet në mënyrë që të krijoni bindjen se jeni shumë i interesuar për të punuar aty. Mos hezitoni të takoni edhe shefin apo menaxherin e burimeve njerëzore. Mund t’i dërgoni dhe një letër interesi, ku t’i tregoni personit të duhur se ju jeni i interesuar për të punuar. Por mos u bëni i bezdisshëm.
Çfarë të bëni që CV-ja juaj të bjerë në sy?
Në radhë të parë, ju duhet që të siguroheni që CV-ja juaj të jetë e lehtë për t’u lexuar dhe të duket e këndshme. Tregohuni të kujdesshëm, pasi shpesh CV-të janë jo fort të kuptueshme. Ato shpeshherë kanë mangësi në informacion ose duken shumë të pabesueshme. Ju mund të përdorni edhe ngjyra ose lloje shkrimi të veçanta. Mbani parasysh se punëdhënësit janë më shumë të interesuar për përmbajtjen. Gjëja më e rëndësishme është që në CV të shihen qartë arritjet tuaja dhe aftësitë që ju bëjnë më të përshtatshmin për vendin e punës që ju kërkoni. Mos e dërgoni kurrë CV në anglisht apo në gjuhë të tjera të huaja nëse kjo nuk iu është kërkuar më parë. Kjo gjë krijon bezdi dhe mendimin se keni nënvlerësim për kompanitë vendase dhe se paraqiteni atje nga halli.
Cilat janë gabimet kryesore që bëhen kur shkruhet një CV?
Gabimi më i shpeshtë që bëhet në shkrimin e një CV-je është thjesht shkrimi i një liste të punëve të bëra më parë. Përvoja e vendeve të përparuara tregon se nuk është i rëndësishëm vetëm fakti i pasjes së një përvoje pune pranë një kompanie të caktuar. CV-ja duhet të tregojë arritjet që ju keni pasur gjatë punës në vende të ndryshme. Thjesht fakti se ju keni punuar diku në një kompani dhe keni pasur një detyrë të caktuar nuk do të thotë se jeni i kualifikuar për punën e re. Menaxherët dhe administratorët që merren me aplikimet dhe intervistat e punës duhet të kërkojnë arritjet dhe rezultatet e kandidatit pikërisht në punët e mëparshme dhe të mos konsiderojnë thjesht punët. Shpesh në CV shkruhen gjëra shumë të përgjithshme si p.sh. shprehja “njohuri të mira në kompjuter” nuk mjafton apo njohje e programeve bazë të kompjuterit… Ju duhet të thoni programet që dini të përdorni ose aftësitë e menaxhimit të rrjeteve, mirëmbajtjen e kompjuterëve, njohuritë më të spikatura dhe ato që nuk i keni.
Si të krijomë një rrjet njerëzish që të na ndihmojë në çështjet e punësimit?
Ju duhet të përdorni çdo mënyrë të mundshme. Për këtë mund t’ju ndihmojnë miqtë, familjarët, kushërinjtë, ortakët e biznesit, ish-shokët e klasës etj. Gjithashtu ju duhet të shfrytëzoni çdo situatë që të takoni njerëz të rinj e të bini në sy. Raste të tilla mund të jenë trajnime, punë me kohë të pjesshme, punë vullnetare, pjesëmarrje në organizata jofitimprurëse etj. Kur ju krijohen mundësi të tilla ju duhet t’i shfrytëzoni në maksimum. Prezantoni veten, lërini personit tjetër të kuptojë se çfarë po kërkoni dhe pyeteni nëse mund të takoheni më vonë për të diskutuar për çështje të ndryshme përfshi punësimin tuaj.
Cilat janë të mirat e të këqijat e punës me kohë të pjesshme, kur jeni në kërkim të një pune me kohë të plotë?
Punët me kohë të pjesshme ju ndihmojnë që të zbusni problemet financiare gjatë kohës që ju kërkoni punë. Gjithashtu ju mund të krijoni njohje, por edhe të zhvilloni zotësitë tuaja, duke fituar përvojë pune. N.q.s ju jeni me të vërtetë të mirët, atëherë puna juaj me kohë të pjesshme mund të shndërrohet në një trampolinë për t’u punësuar me kohë të plotë. E vetmja e metë është se puna me kohë të pjesshme ju merr kohë gjatë kërkimit të punës.
Si të sillemi në një intervistë pune?
Gjithmonë mendoni si personi që po ju bën intervistën. Mbani parasysh qëllimet që ka ky person për marrjen tuaj në punë. Ju duhet të tregoni që keni aftësitë e duhura dhe motivimin për të punuar në atë detyrë. Ju duhet të flisni edhe për përvojat tuaja të kaluara, aftësitë etj.
Sa të sinqertë duhet të jemi gjatë një interviste pune?
Sa më të sinqertë që të mundemi. Por bëni kujdes, që të mos jepni informacion që është kundër jush. Kjo varet edhe nga tipi i pyetjeve që ju bëhen. Në vendin tonë, përgjithësisht, intervistuesit për punë nuk janë shumë zhbirues. Por kjo mund të jetë edhe në dëmin tuaj, pasi nuk dalin në pah të gjitha elementet pro jush që duhen për të fituar vendin e punës që dëshironi. N.q.s. punëmarrësit janë të huaj, kujdesi duhet të jetë më i madh. Duhet pasur kujdes që të mos zbulohen gjëra të pavërteta. Kjo do t’ju bëjë të dukeni mashtrues edhe nëse thoni të vërtetën.
Si t’ia bëjmë kur na thonë “je tepër i kualifikuar për këtë punë”?
Kur një punëmarrës ju thotë që jeni shumë i kualifikuar, shqetësimi i tyre është nëse me të vërtetë jeni i interesuar për atë vend pune. Një tjetër arsye është për të provuar motivimin tuaj për atë detyrë, megjithëse paga e privilegjet do të jenë më të ulëta se ato që përshtaten me kualifikimet tuaja në tregun e punës. Në vend që të diskutoni për këtë çështje, ju duhet të tregoni se shqetësimet e personit nuk qëndrojnë. Punëdhënësit tuaj të ardhshëm duhet t’i tregoni se ju jeni me të vërtetë të motivuar dhe se pagesa nuk është gjëja më rëndësishme. Ju duhet të tregoni edhe se duke ju marrë ju në punë, kompanisë i rritet vlera e saj. Kjo pasi rritet një nga asetet më të rëndësishme të një kompanie; cilësia e burimeve njerëzore.