Me përfundimin e kuotave të eksportit që në muajt e parë të vitit, industria e përpunimit të peshkut dorëzohet, ndërsa qeveria prej krizës politike ka harruar problemet e biznesit.
Rreth 4 mijë vende pune rrezikohen që të mbyllen, ndërkohë që industrialistët po bëjnë gati valixhet për t’u shpërngulur në rajon.
Nga Ledina Loga
Ndërmarrjet shqiptare të përpunimit të peshkut po përgatiten të shpërngulen në rajon. Kjo industri, e cila numëron afërsisht rreth 4 mijë të punësuar, për shkak të zgjerimit në vitet e fundit, përmbush më shpejt kuotat e eksportit drejt BE-së.
Mark Babani, i kompanisë më të madhe të përpunimit të açugeve “Mare Adriatik” sh.p.k., tregon se pasi përfaqësues të industrisë kanë kërkuar tryezë bisedimi me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Bujqësisë, nuk kanë marrë asnjë përgjigje si do të zgjidhet situata me kuotat e importit.
Aktualisht, kuota e importit pa tarifë është 1600 tonë açuge e përpunuar. Për 2016-n, kjo kuotë u plotësua në muajin gusht, ndërsa pjesën tjetër të vitit e plotësuan duke importuar produkt gjysmë të gatshëm. Ndërkohë këtë vit kuotat po përfundojnë shumë më shpejt se parashikimi dhe industrialistëve që të mos mbyllen, ju mbetet vetëm një alternativë: Shpërngulja.
Pra, mijëra punëtorë të kësaj industrie do të përfundojnë në rrugë, tha zoti Babani. Zgjidhje të vetme për të dalë nga situata ai ka gjetur zhvendosjen në rajon. Konkretisht, zoti Babani ka marrë në shqyrtim blerjen e dy fabrikave të përpunimit në Malin e Zi dhe në Kroaci. Në këtë të fundit, si vend anëtar i Bashkimit Europian nuk do të ketë kufizime në sasinë e açugeve të importuara. Ai nuk e përjashton as mundësinë e shpërnguljes në Maqedoni, që edhe pse gjendet në krizë, i është ofruar shumë herë hapësirë më shumë se në Shqipëri.
“Edhe pse jemi e vetmja industri që importojmë mall agro-ushqimor shqiptar në BE, ne si industri nuk kemi gjetur mbështetjen e duhur, madje na kanë përcjellë me premtime që nuk i kanë mbajtur”, tha Mark Babani.
Ndërsa Artur Mata nga “Konservimi Adriatik” sh.p.k., tha se zgjidhje këtij problemi duhet t’i japi qeveria. Me krizën aktuale politike, problemet e biznesit nuk janë më në planet e qeverisë. Unë nuk e di se çfarë do të bëj nëse situata vazhdon kështu.
Kujtim Shkreli, i cili drejton kompaninë “Eurofish” sh.p.k., që vetëm bën përpunimin e açugeve (lëndën e parë e merr nga jashtë) thotë se pasi të përmbushet kuota do të vazhdojnë të operojnë me humbje, vetëm që të mos humbasin klientët. Nëse situata vazhdon kështu, zoti Shkreli tha se do të reduktojnë numrin e punonjësve dhe do të mbyllin fabrikat e përpunimit.
Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, në vitin 2015, kuotat e eksportit u përmbushën që në tetor, ndërsa në 2016-n që në gusht.
Pas plotësimit të kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht ato kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane, çdo kategori produkti do të taksohet.
Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend. Sipas zotit Babani, mungon forca e argumentit nga pala shqiptare për të zgjeruar kuotat, në një kohë kur vendet e Magrebit (Afrika veriore) mund të eksportojnë drejt Europës pa taksa.
Aktualisht, industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge.
Ky ngërç është krijuar, pasi në treg janë zgjeruar dhe kompanitë që funksionojnë si fason, pra përpunojnë lëndën e parë për llogari të industrialistëve europianë, kryesisht italianë, dhe taksohen vetëm mbi vlerën e punës.
Zgjidhja që japin industrialistët në këtë rast është ndarja e tyre në kategori, në produkt shqiptar dhe produkt i huaj, i cili në Shqipëri ka të shtuar vetëm vlerën e punës.
Në bazë të këtij regjimi, importohet peshk i papërpunuar, kryesisht nga Kroacia dhe Italia, përpunohet dhe ambalazhohet në Shqipëri dhe eksportohet në BE.
Burime nga Ministria e Ekonomisë thanë se do të kryhet një studim i tregut dhe për këtë i janë drejtuar INSTAT-it. Rezultatet e këtij studimi do të paraqiten në institucionet përkatëse në formën e argumenteve për të kërkuar rritje të kuotave nga Bashkimi Eurppian.
Nga ana tjetër, industrialistët prej më shumë se një viti kanë ngritur problemin e kuotave, si kërcënim serioz për vazhdimin e aktivitetit të tyre. Ndërsa zgjidhjet e problemit ata ua adresojnë vetëm qeverisë shqiptare.
Bashkimi Europian ka refuzuar hapjen e negociatave me argumentin se në objektivat e saj është reduktimi i zënies së peshkut në Mesdhe.
Sipas prodhuesve shqiptarë, pala shqiptare duhet të tregojë më shumë forcë në negocim. Ata janë të mendimit se negociatorët kanë shkuar të papërgatitur në negociata.
Çfarë kërkojnë industrialistët
Përveç negocimit të kuotave të importit, industrialistët kërkojnë dhe ndarjen e produktit në dy kategori, në produkt shqiptar dhe produkt i huaj, i cili në Shqipëri ka të shtuar vetëm vlerën e punës.
Kuotat e vjetra nuk janë koherente me ndryshimet që ka pësuar kjo industri. Pranvera Kastratit, drejtoreshë e Tregtisë me Jashtë në Ministrinë e Ekonomisë ka pohuar më herët për Monitor, se negocimi i kuotave të açuges ka qenë prioritet për palën shqiptare. Për shumë vite, kuotat prej 1000 tonë peshk të përpunuar nuk janë shfrytëzuar. Mirëpo industria është zgjeruar dhe kjo nuk është reflektuar në ndryshimin e kuotave. Sipas zotit Mark Babani, kjo ka treguar paaftësi për të parashikuar potencialin e industrisë. Ai shton se qeveria duhet të kishte kufizuar dhënien e licencave të reja, në mënyrë që të parandalohej kaosi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.