Fluksi i lartë i kërkesave për regjistrim biznesi e ka “detyruar” qeverinë të kërkojë zgjidhje të reja. Kështu, kushdo që do të hapë një biznes të ri tashmë mund ta regjistrojë atë online edhe pranë zyrave noteriale.
Çdo zyrë noteri në Shqipëri tashmë do të shërbejë edhe për të bërë të mundur regjistrimin fillestar të biznesit, me po të njëjtën vlefshmëri që ka pranë çdo sporteli në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Sipas kryetares së Dhomës Kombëtare të Noterëve Mimoza Sadushi, biznesi do të mund të shërbehet pa vonesa dhe me profesionalizëm nga ana e noterëve.
” Duke u nisur nga fakti se në të gjithë vendin operojnë më shumë se 400 zyra noterësh, besojmë se strategjia e gjetur për të lehtësuar regjistrimin online të biznesit do të shkurtojë në një nivel të ndjeshëm radhët dhe pritjet në sportelet e QKR-së.
Ndaj gjej vendin t’ju bëj një thirrje qytetarëve, që të indetifikojnë sa më parë zyrën më të afërt noteriale pranë shtëpisë apo vendndodhjes së biznesit të tyre në mënyrë që të procedojnë me regjistrimin online.”- bëri thirrje kreu i QKR-së.
Ndërsa Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Vasilika Vjero i bëri sërish thirrje biznesit që të regjistrohet, pasi kështu do të mund edhe të formalizohet. Sipas të dhënave që ajo paraqiti në një konferencë për shtyp, gjatë 9-muajve janë regjistruar 23,000 biznese të reja, ndërsa për vetëm për 15 ditët e para të shtatorit numri u llogarit në 8,300 biznese. Sipas znj.Vjero rreth 15% e këtyre bizneve janë regjistruar përmes plaformës elektronike.
Sakaq, kreu i QKR-së bëri të ditura edhe shifrat mbi regjistrimin e bizneseve, si më poshtë:
-Gjatë këtyre ditëve të para të muajit shtator në sportelet e QKR-së vijon të ketë fluks gjithnjë e në rritje të subjekteve të cilët duan të regjistrohen, numri mesatar ditor i veprimeve në sportel dhe online i kalon 2,700;
-Gjatë këtij muaji janë regjistruar 8,371 biznese ose 6.6 herë më shumë se 2014, vetëm gjatë ditës së djeshme (14 shtator) janë regjistruar 865 biznese;
-Për 9 mujorin 2015 numri i bizneseve të regjistruara i kalon 23,697 ose 75% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014, ose 41.6 % më shumë se totali 2014 (16,731);
-Për periudhën Korrik – Shtator 2015 janë regjistruar 15,000 subjekte ose 4.8 herë më shumë se viti 2014. (Lexo: QKR : 500 aplikime online vetëm gjatë ditës së sotme).
Në fund të konferencës, u sqarua edhe një herë për mediat se çfarë sjell regjistrimi online i biznesit:
- Aplikimi do të mundësohet tërësisht nëpërmjet portalit qeveritare-albania.al.
- Noterët, do të asistojnë të gjithë individët/ subjektet tregtare në plotësimin e të dhënave të detyrueshme dhe vullnetare, sipas formularëve përkatës të regjistrimit deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare mbi aplikimin.
- Aplikimi për regjistrim do të kryhet vetëm nëpërmjet mjeteve të sigurta të identifikimit (pasaporta biometrike apo karta e identitetit). Ketu theksoj se të gjitha subjektet tregtare gjatë plotësimit të të dhënave duhet të bëjnë kujdes kur deklarojnë adresën ku zhvillojnë aktivitetin e tyre si dhe dhënien e adresës së postës elektronike vetjake (pra e mailin e tyre personal apo të punës).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.