Sektori i IT-së do të transformojë ekonominë në rajonin e Kluzhit, duke “rritur efikasitetin e bizneseve dhe jetën sociale”, por politikat publike të paqëndrueshme dhe mungesa e strategjive qeveritare afatgjata në e-qeverisje do të thotë se inovacionet lokale të IT-së mund të mos arrijnë t’i plotësojnë kërkesat e qytetarëve dhe kompanive në Rumani, shprehet Stelian Brad, president i grupit të IT-së së Kluzhit, “Cluj Innovation Days”.
Deri më sot, investimet publike në e-qeverisje nuk janë bazuar në një strategji të qartë kombëtare dhe madje as infrastruktura më bazike në sektorin e IT-së, nuk mirëmbahet dhe nuk përmirësohet rregullisht.
Si rezultat, sistemet e IT-së së qeverisë, nuk janë më të qëndrueshme, u shpreh z. Brad për Science | Business.
Një rast që duhet përmendur është infrastruktura e IT-së e ANAF-it, agjencisë kombëtare përgjegjëse për mbledhjen e taksave, e cila po punon me 99% të kapacitetit të saj, shumë herë më shumë se niveli i rekomanduar teknik prej 70%. Agjencia frikësohet se pa një përmirësim, sistemi i tij i IT-së mund të prishet dhe një pjesë e mirë e të dhënave tatimore mund të humbasin.
Qeveria ka shpenzuar më shumë se 11 milionë euro në eRomania, një portal online që duhej të shndërrohej në një qendër të shërbimeve dixhitale në vend, por ajo dështoi. Gjatë një auditimi të kryer në vitin 2014, u zbulua se kjo faqe online ishte braktisur dhe se pjesa më e madhe e nënfaqeve të saj nuk ishin të plotësuara as me informacionin bazë.
Vitin e kaluar situata arriti kulmin e saj, kur ish-kryeministri Dacian Cioloş, mblodhi së bashku mbi 1,000 ekspertë të IT dhe 40 kompani për të rregulluar sistemet ekzistuese të e-qeverisjes dhe për të zhvilluar të reja. Por, në janar të këtij viti, pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re, kjo nismë u ndërpre.
Brad po bën thirrje për konsultime publike për të arritur një qasje të integruar kombëtare për zhvillimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike, por ai gjithashtu pret që autoritetet lokale të marrin në kontroll situatën dhe të bien dakord mbi një plan veprimi së bashku me qeverinë.
Në vijim të kësaj, autoritetet lokale në Kluzh janë bashkuar me kompanitë e IT-së për të zhvilluar një sistem parkimi të zgjuar në të gjithë qytetin dhe një sistem të dixhitalizuar të mbledhjes së taksave. Edhe pse ka shumë pak kohë që këto dy sisteme janë bërë aktive, fillimi i këtij viti, kanë qenë me mijëra përdoruesit të cilët e kanë përqafuar këtë teknologji.
“Njësoj si Liza në Botën e Çudirave, edhe ne duhet të lëvizim sa më shpejt të jetë e mundur, u shpreh kryebashkiakui Cluj-Napoca, Emil Boc, i cili ka qenë kryeministër gjatë periudhës 2008-2012. Ai është duke bashkëpunuar me grupin e IT-së për të zbatuar sistemet teknologjike, të cilat po i japin këtij qyteti shumë pikë, madje po e vendosin atë edhe shumë përpara kryeqytetit të Bukureshtit.
Ai vazhdoi më tej duke thënë se ata duan të përdorim teknologjinë për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Brad shpjegoi se grupi i IT-së së Kluzhit ka krijuar kontakte të rëndësishme në sektorin e IT-së në Holandë dhe po mundohet që të marrë nga përvoja e tyre e lartë në këtë fushë.
Grupi i Kluzhit tani po ndihmon edhe qytete të tjera në rajon për të zhvilluar e-qeverisjen dhe sistemet e zgjuara të qytetit.
Vitin e kaluar, grupi u bashkua me autoritetet lokale në Oradea për të zhvilluar strategjinë e parë të integruar të qytetit të zgjuar në Rumani. “Ky projekt është kompleks, madje ndër më kompleksët në vend”, tha menaxheri i qytetit të Oradeas, Eduard Florea.
Ristrukturimi i sektorit të IT-së
Në 20 vitet e fundit, sektori i IT-së në këtë vend të rajonit ka nënshkruar kontrata të shumta jashtë kufijve për realizimin e projekteve të thjeshta programuese, si pasojë e kostove shumë të ulëta me të cilat ai i ofronte këto shërbime. Por tani, ky grup ekspertësh IT-je dëshiron të forcojë bashkëpunimin e tij me universitetet lokale për të nxitur projekte të reja, shprehet Andrei Kelemen, drejtori ekzekutiv i grupit.
Shumë kompani vendase, po mendojnë të zhvendosen në qytete ku kostoja e jetesës është më e ulët se në Rumani, p.sh. në vendet fqinje si Bullgaria dhe Ukraina, pasi kostoja e jetesës në Kluzh është në rritje dhe ekspertët e IT po kërkojnë gjithnjë e më shumë paga më të larta.
Kompanitë kryesore do të vazhdojnë t’i kenë selitë në Kluzh, por produktet dhe shërbimet që ato do të ofrojnë, do të jenë shumë të specializuara, shprehet Brad.
Kostoja e jetesës po rritet me një ritëm më të shpejtë sesa vlera e kontratave të jashtme, e cila po e detyron sektorin e IT-së të ristrukturohet.
Kompanitë po punojnë në zhvillimin e software-ve si dhe kërkojnë partnerë jashtë vendit.
Këtu mund të përmënimin aplikacionin PONY dhe algoritmet tepër të sakta të zhvilluara nga kompania vendase Zetta Cloud, të mbështetura nga një grant i dhënë nga Google.
Brad pret që në vitet e ardhshme, këto kompani do të dalin me produkte dhe me shërbime edhe më inovative në qeverisjen elektronike, software-t industrialë, në sektorin e transportit apo edhe në analizimin dhe menaxhimin e informacioneve të rëndësishme.
Për të mbështetur këtë lëvizje, ky grup IT-je po punon ngushtë me departamentin e teknologjisë të Universitetit Teknik të Kluzhit.
Por kohët e fundit, studentët e universitetit zgjedhin të bashkohen me firmat e mëdha të IT-së duke i lënë përgjysmë studimet e tyre.
Ndryshimet e fundit në këtë sektor po i forcojnë edhe më shumë lidhjet e kompanive të ndryshme me sektorin e IT-së, ndërsa universitetet po inkurajojnë studentët e talentuar për të konsoliduar aftësitë e tyre të të menduarit kreativ, duke i përfunduar studimet e tyre në këtë fushë.