Rritja ekonomike e Maqedonisë këtë vit do të kufizohet në 2%, për shkak të vazhdimit të krizës politike. Pas zgjidhjes së saj, që pritet nga fundi i vitit, rritja për vitin e ardhshëm duhet të jetë nga 3.3%, në 3.7% në vitin 2018, parashikon Banka Botërore në Raportin më të ri ekonomik për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore.
Në raport theksohet se situata politike mbetet faktor kryesor i rrezikut, ndërsa rreziku i rritur fiskal për shkak të rritjes së shpejtë të borxhit shtetëror mund të ndikojë negativisht në rritjen e afatit mesatar. Sipas Bankës Botërore, zbatimi i konsolidimit fiskal, duke ndjekur politikën e frenimit fiskal dhe zvogëlimit të borxhit publik do të ndihmojnë për ballafaqimin me rreziqet e tilla.
Sipas Bankës Botërore, pritet që trendi i zvogëlimit të varfërisë të vazhdojë, duke e ndjekur tempin e rritjes ekonomike. Rritja e pagave dhe punësimet e reja do të kenë rol kyç në zvogëlimin e varfërisë, thuhet në raport.
Nga vendet në rajon parashikohet rritje më e madhe këtë vit dhe vitin tjetër; Kosova me 3.6% dhe 3.9%, ndërsa në vitin 2018, Kosova dhe BeH-ja me rritje të projektuar prej 3.7%.
Për këtë vit, rritja e ekonomisë në Kroaci do të jetë 2.4%, vitin e ardhshëm 2% ndërsa në 2018; do të jetë 2,4%. Në BeH, për këtë vit rritja është projektuar në 2,8%; për 2017-n 3,2% dhe për vitin 2018 është projektuar 3,7%. Në Serbi parashikohet që rritja të jetë 2,5% për këtë vit; për vitin 2017 – 2,8% dhe në vitin 2018 të jetë 3,5%. Në Bullgari, rritja ekonomike do të jetë 2.7%, vitin e ardhshëm 2.9% dhe në vitin 2018 do të jetë 3.1%. Në Mal të Zi, rritja e ekonomisë për këtë vit, sipas Bankës Botërore, do të jetë 3.2%, në vitin 2017, 3.6% ndërsa në vitin 2018 do të jetë 3%.