Kryeministri Edi Rama, në një takim me drejtorët e tatim-taksave gjatë ditës së sotme ka paralajmëruar nisjen e aksionit ndaj informalitetit.
Kjo, ka pohuar Rama, është kryefjala e këtij kapitulli të ri që duhet të çelim, duke shtuar se nuk është betejë kundër biznesit, por një betejë për të mbrojtur konsumatorin, biznesin dhe shtetin shqiptar.
“Ne ju doganat e tatimet do kërkojmë ndihmën e qytetarëve. Të denoncojnë çdo sjellje apo qasje, apo veprim të padenjë të punonjësve të doganave apo tatimeve”, tha Rama.
Sipas deklaratave të kryeministrit, çdo rajon apo degë në sistemin e tatimeve do të ketë një plan të detajuar, me një tabelë rezultatesh të pritshme, të cilat do të krahasohen në mënyrë periodike me rezultatet e arritura.
Rama ka pohuar sërish se nga sondazhet në terren ka rezultuar se një e treta e subjekteve ose nuk janë fare të regjistruar ose nuk kanë kasa fiskale, ose nuk i përdorin.
Qeveria po përgatitet të bëjë thirrje publike edhe për konsumatorët, të cilët duhet të tërheqin kupnin, ndërsa bizneset do të jenë të detyruar të vendosin një tabelë ku i njoftojnë klientët që duhet të tërheqin kuponat tatimorë.
Rama u ka bërë apel bizneseve të regjistrohen dhe të japin fatura. “Të regjistrohen para se të nisë operacioni rrënjësor për këtë sëmundje të patolerushme. Të vendosin kasat fiskale, të mos ju japin më blerësve fatura që s’kanë më asnjë vlerë ligjore”.
Por ai i zbuti disi tonet kur tha se nuk do të mungojë mirëkuptimi. “Të gjithëve ju dua t’ua përsëris, ne duam mirëkuptim dhe bashkëpunim me biznesin jo luftë me biznesin. Duam të mbrojmë çdo konsumator. Duam të jemi në krah të çdo biznesi që paguan taksat dhe që dëmtohet nga konkurrenca e pandershme. Ne nuk duam të ushtrojmë forcën e ligjit, para se të përdorim forcën e arsyes”
Ashtu si dhe ministri i ekonomisë, Arben Ahmetaj një ditë më parë, Rama ripërsëriti se ky operacion nuk ka në fokusin e vet më të vegjlit, por në radhë të parë më të mëdhenjtë. “Nafta, cigarja, tregtia me shumicë do jenë në qendër të përpjekjes sonë frontale, por zinxhiri i informalitetit ka një fillim dhe një fund, nuk do lemë asnjë hallkë pa kontrolluar nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjlit”, tha ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.