Tregjet në zhvillim si India, Lindja e Mesme dhe Afrika konsiderohen nxitësit kryesorë të rritjes së tregut të smartphone, veçanërisht për segmentin ekonomik
Sipas një raporti të Counterpoint Research, dërgesat globale të smartphone-ve pritet të rriten me 3% këtë vit, falë rënies së inflacionit që nxit rimëkëmbjen e kërkesës në tregjet në zhvillim dhe përfshirjes së Inteligjencës Artificiale gjeneruese, e cila tërheq blerësit drejt pajisjeve premium (me çmim të lartë).
Vitin e kaluar, dërgesat globale u tkurrën më shumë se 4%, sipas të dhënave të mëparshme të shoqërisë së kërkimit, pasi konsumatorët kufizuan shpenzimet, për shkak të një ekonomie të paqartë.
Tregjet në zhvillim si India, Lindja e Mesme dhe Afrika konsiderohen nxitësit kryesorë të rritjes së tregut të smartphone-ve, veçanërisht për segmentin ekonomik.
Në vitin 2024, segmenti ekonomik, që parashikohet të rritet me 11%, pas një tkurrje në vitin 2023, pritet të ketë dhe rritje të kërkesës në rajonin e Karaibeve dhe Amerikës Latine.
Segmenti, i përbërë nga telefona me çmime mes 150 dhe 249 dollarë, do të përfitojë nga lehtësimi i inflacionit në rajone si Afrika dhe stabilizimi i monedhave lokale, tha Counterpoint.
Rritja e konkurrencës mes kompanive kineze si Oppo, Vivo dhe Xiaomi dhe rimëkëmbja e kërkesës për pajisje IT kanë nxitur rritjen e segmentit. Segmenti premium, me telefona me çmim mes 600 dhe 799 dollarë, pritet të rritet me 17%.
Sipas raportit, përfshirja e teknologjisë shumë të lakmuar genAI dhe popullariteti i pajisjeve të palosshme do të nxisin kërkesën për këtë segment.
Sipas raportit, Apple dhe kompania rivale kineze Huawei ka të ngjarë të dalin fitues në tregun premium. Kërkesa e qëndrueshme për iPhone, veçanërisht në tregjet në zhvillim, pritet të favorizojë Apple, ndërsa Huawei pritet të ruajë praninë e fortë në Kinë, mbi të gjitha me prezantimin e chipset të tij 5G Kirin, lexohet në raport.
Konkurrenca e Huawei ka sjellë rënie me 24% të shitjeve të iPhone në Kinë në gjashtë javët e para të vitit 2024, sipas vlerësimeve të mëparshme të Counterpoint. Sipas raportimeve të mediave në fillim të marsit, Apple është në bisedime për të përfshirë motorin AI Gemini të Google tek iPhone.
/ Reuters