Propozimet e Bashkimit Europian për të ndërhyrë në tregun e energjisë elektrike kanë si synim të mbrojnë faturat e energjisë së konsumatorëve nga luhatjet afatshkurtra në çmimet e karburanteve fosile, deklaroi të hënën Komisioni Europian.
BE po reformon tregun e saj të energjisë, në përpjekje për të shmangur përsëritjen e situatës së vitit të kaluar, kur ndërprerja e furnizimeve me gaz nga Rusia bëri që çmimet e energjisë elektrike në Europë të arrinin nivele rekord, duke rritur faturat për familjet dhe duke detyruar disa industri që të mbylleshin.
Në një konsultim publik të nisur të hënën, Komisioni paraqiti opsione të shumta për të ndërhyrë në mënyrën se si termocentralet shesin energjinë elektrike, si pjesë e reformës së këtij tregu që do të propozohet në mars.
“Ne duhet të mundësojmë që tregu i energjisë elektrike të jetë i përshtatshëm për të ardhmen, duke ofruar përfitimet e energjisë së pastër e të përballueshme për të gjithë,” tha komisionerja e BE-së për energjinë, Kadri Simson.
Propozimi i BE-së do të synojë që të rrisë përdorimin e kontratave afatgjata në Europë, të cilat u ofrojnë termocentraleve një çmim fiks për energjinë e tyre – “kontratat për diferencë” (CfD) dhe marrëveshjet e blerjes së energjisë (PPA), tha Komisioni.
Përdorimi i këtyre llojeve të kontratave do të krijonte një hapësirë kohore për reflektimin e çmimeve të paqëndrueshme në tregjet afatshkurtra të energjisë te konsumatorët, duke bërë që faturat e energjisë të jenë më të qëndrueshme për familjet dhe kompanitë
Komisioni dukej sikur po shmangte disa nga problematikat në lidhje me vendosjen e kufizimeve të çmimeve, të cilat ishin bërë të qarta nga disa pjesëmarrës të tregut, tha analisti i Rystad Energy, Fabian Ronningen.
“Ata kërkojnë një fokus te kontratat afatgjata, CfD dhe PPA, të cilat do të ishin zgjidhja më normale nëse objektivi është që të reduktohet paqëndrueshmëria e çmimeve kur ka më shumë burime të rinovueshme, bërthamore dhe hidrocentrale,” tha ai.
Stabiliteti për konsumatorët mund të arrihet përmes vendosjes së rregullave specifike në BE lidhur me CfD-të, si dhe duke i dhënë mundësi qeverive kombëtare që t’i përdorin ato, ose duke u kërkuar termocentraleve të reja që marrin mbështetje nga shteti për të nënshkruar CfD-të, tha Komisioni.
Ndryshimet më radikale, të tilla si lejimi i qeverive kombëtare për të imponuar kontratat CfD për disa termocentrale ekzistuese, mbeten gjithashtu një mundësi, megjithëse Komisioni tha se kjo mund të krijonte pasiguri dhe rrezikonte që të pengonte investimet në energjinë e rinovueshme.