Qeveria shqiptare është duke aplikuar një reformë kurrikulare, e cila synon të pajisë nxënësit me një numër kompetencash që përfshijnë aftësi të larta, si mendimin kritik, nxjerrjen dhe analizën e informacionit nga burime të larmishme dhe përdorimin e strategjive të shumta të nxënies, përfshirë zgjidhjen e problemeve, analizën dhe prezantimin. Kompetencat kyçe që përshkojnë kurrikulën e re janë në përputhje me kompetencat kryesore të të mësuarit gjatë së gjithë jetës, që gjenden në të gjithë Bashkimin Europian.
Ministria e Arsimit sqaroi se për ketë vit të ri shkollor, Kurrikula e re e arsimit parauniversitar do të jetë në vitin e pestë të shtrirjes në sistem gjatë vitit shkollor 2018-2019. Përveç klasës së pestë e cila do të pilotohet, në të gjitha klasat e tjera nga mosha 3-18 vjeç do të aplikohet kurrikula e bazuar në kompetenca. Ky vit shkollor sjell ndryshim dhe në klasën e 12 pasi maturantët do të kenë vetëm 6 lëndë bazë, ndërsa lëndët e tjera do t’i zgjedhin sipas kritereve që do të përcaktojnë universitetet.
Sipas Ministrisë, kurrikula e re largohet nga ajo tradicionale e të mësuarit përmendësh dhe hap një kapitull të ri në mësimin dhe formimin e kompetencave dhe aftësive për jetën duke i bërë nxënësit tanë konkurrues me ata europianë. Kurrikula e re shoqërohet me tekste të standardeve ndërkombëtare për nxënësit nga shtëpi botuese prestigjiozë si “Cambridge”, “Pearson” dhe “Oxford”, pohoi më tej në një sqarim të posacëm dikasteriu i Arsimit. Miratimi i kësaj qasjeje në kuadrin e kurrikulës kombëtare në Shqipëri shihet si një hap i rëndësishëm në modernizimin e kurrikulës. Kjo reformë në kurrikul synon që rezultatet të mos jenë më në bazë të aftësive riprodhuese dhe përsëritëse të nxënësve, por në aftësitë krijuese dhe në fitimin e aftësive të reja.
Por, stafet arsimore duket se janë të përgatitura për këtë reformë. UNESCO ngriti së fundmi shqetësime se, mësuesit në Shqipëri nuk janë trajnuar ose përgatitur si duhet. Për të trajtuar këtë mangësi, Raporti i Analizës së Politikës Arsimore (APA) 2017 rekomandon përmirësimin e futjes në shkollë dhe të mentorimit të kandidatëve për mësues, si dhe rritjen e mundësive për të nxënët bashkëpunues mes kolegëve dhe të formave të tjera të Zhvillimit të Vazhduar Profesional (ZHVP) për mësuesit. Grupi i analizës zbuloi se arsimi parauniversitar në Shqipëri nuk ka cilësi të njëjtë për të gjithë nxënësit në të gjitha zonat e vendit. Ka dallime ndërmjet shkollave në zonat urbane dhe ato rurale në lidhje me cilësinë e punonjësve mësimorë dhe me ekzistencën e burimeve si transporti dhe TIK-u.
Po ashtu, rekomandohet që autoritetet duhet të garantojnë që të gjitha materialet kurrikulare, përfshirë tekstet e reja mësimore dhe burimet në internet, të jenë të përshtatshme për nxënësit shqiptarë. Një rekomandim shtesë në fushën e zhvillimit dhe reformimit të kurrikulës ka të bëjë me nevojën për përmirësimin e sistemeve për monitorimin dhe vlerësimin e pjesëmarrjes, arritjeve dhe përparimit të nxënësit përmes shkollimit. Për shembull, grumbullimi i të dhënave të pyetësorëve të nxënësve mund të japë informacion mbi përmirësimet në vazhdim të klimës së mësimdhënies dhe nxënies në shkolla.
Informacioni i marrë nga PISA 2018 tregoi se, në përgjithësi dhe në një shkallë më të madhe se në vendet e tjera, nxënësit në Shqipëri besojnë se mësuesit e tyre i trajtojnë me drejtësi dhe i dëgjojnë me kujdes. Kjo klimë pozitive në klasë shërben si një situatë e shkëlqyer për përpjekjet aktuale në përmirësimin e rezultateve të të nxënit të nxënësve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.