Nën veshjen firmato fshihet një shasi e projektuar për arritje të larta rrugore. E sigurt dhe e manovrueshme të fton për një drejtim sportiv. Kujdes, është e etur për karburant.Më në fund Alfa i rikthehet sportit dhe realizon një coupé që rivalizon denjësisht në tregun europian. Pritej një makinë e tillë dhe Alfa nuk i zhgënjeu klientët. Stilimi që mban firmën Giugiaro është i mrekullueshëm, shasia është projektuar posaçërisht për të dhënë kënaqësinë maksimale në drejtim, ndërsa motorët janë të një teknologjie të përparuar. Platforma mbi të cilën është realizuar është ajo e modelit 159, por kuptohet, hapi është më i shkurtër dhe peshon disa kilogramë më pak. Kjo ka bërë që Brera të ketë një temperament akoma më të gjallë dhe të paparë deri tani për veturat me tërheqie të përparme. Kësaj i shtohet dhe fakti që një tërheqie e përparme është më intuitive dhe më e lehtë në drejtim kundrejt një veture me tërheqie të pasme.Secili ka masën e tij të besueshmërisë ndaj makinës, por Alfa të bën për vete që në kontaktin e parë. Arsyeja qëndron tek reaksionet e sinqerta, gjithmonë progresive dhe asnjëherë të befasishme dhe të paparashikueshme. Meritë për këtë kanë suspensionet e projektuara në mënyrë të përkryer, të cilat përpara janë sipas skemës katërkëndore, ndërsa mbrapa multilink. Aq mirë e kryejnë punën e tyre sa vetëm në raste të ralla vërehet ndërhyrja e sistemeve elektronike për kontrollin e stabilitetit. Ajo që mbetet u takon kuajve të shumtë të motorit katërcilindërsh me injkesion direkt, i cili shoqërohet me një kuti shpejtësie me 6 marshe që arrin t i përshtatet mjaft mirë motorit Alfa 2200. Mjaftojnë pak çaste për t u bindur. Me një shtypje të butonit Start në qendër të bordit, një shkelje e gazit dhe disa ndërrime të shpejta të marsheve mjaftojnë që motori të tregojë gatishmërinë dhe zhurmën tipike Alfa. Shtytja nuk është nga ato që të ngjeshin pas mbështetëses dhe të lënë pa frymë megjithatë, vlerat kronometrike janë dinjitoze për një motor të aspiruar. Nga ana tjetër, duke konsideruar raportin peshë/fuqi jo të favorshëm (9 kg/kf), vështirë se mund të zbritej ndën rezultatet e arritura.Me 20 kg më pak se modeli 159 dhe me të njëjtën fuqi motorike, do të ishte vështirë të përmbysej rezultat i mirë i Alfa 159. Megjithatë, me 8.5 sekonda në provën 0-100 km/orë, Brera e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin e 159-tës. Në rrotullime të ulëta, motori 2200 nuk është shumë i gatshëm, por mbi 3000 rrotullime ka një progresion të shkëlqyer. Në rrotullimet e ulëta duhet punuar më shumë me marshet për ta mbajtur gjallë. Kutia e shpejtësisë është e përkryer. E shpejtë, pa ngecje dhe në sintoni të përkryer me motorin, lejon edhe keqtrajtime gjatë një drejtimi sportiv. Timoni është vlerësuar akoma më shumë: direkt, i saktë dhe shumë progresiv, të fton për një drejtim sportiv, duke i transmetuar shoferit siguri të plotë dhe një familjaritet jo të zakontë me komandat. Kjo vjen dhe nga pozicioni mjaft i mirë i drejtimit, i ulët dhe me timon të rregullueshëm në lartësi dhe thellësi, gati vertikal dhe i qendërzuar mirë kundrejt pedalierës. Por jo të tëra janë mirë dhe arrihen me lehtësi. Sumë poshtë, përshembull, janë komandat e radios të cilat, sipas rastit, mund të zëvendësohen me ekranin e navigatorit (me kërkesë) dhe akoma më të padukshme ato të klimatizatorit automatik. Për të dyja duhet ulur shikimi nga rruga që, edhe pa këtë, fushëpamja nuk është ajo që duhet. Mjaft i vogël edhe xhami i pasëm. Për fat, nga pas ka vend vetëm për dy të vegjël ndryshe, dy të rritur do ta bllokonin fare shikimin. Më mirë, zona pas shoferit mund të konsiderohet si zgjatim i bagazhit, pasi duke ulur mbështetëset komunikojnë me njëra tjetrën. Dy vetë udhëtojnë mjaft mirë, kanë hapësirë të bollshme dhe suspensionet janë në të njëjtën kohë sportive dhe të rehatshme.Ndën lëkurë Brera është një Alfa 159 me hap të shkurtuar dhe disa kilogramë peshë më pak. Po nga 159-ta ka marrë dhe motorin e benzinës me me katër cilindra (së bashku me atë 3200 përbëjnë gamën Brera), një 2200 me injeksion direkt benzine, i tëri prej alumini, me katër valvola për cilindër, variator faze dhe dy boshte ekuilibrimi kundërrotullues (këta të fundit shërbejnë për të eliminuar vibracionet që shkaktohen nga forcat e alternuara të rendit të dytë). Mjaft i zhvilluar është sistemi shpërndarës Twin Phaser që përbëhet nga dy variatorë faze të vendosur në thithje dhe në shkarkim. Fusha e gjerë e veprimit (50° të këndit të rrotullimit të boshtit motorik), lejon të optimizohet momenti motorik, fuqia, konsumi dhe emisionet ndotëse në regjime të ndryshme. Shumë mirë janë realizuar suspensionet: përpara sipas skemës kuadratike, mbrapa multilink.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.