“‘Raiffeisen Bank’ ka deklaruar se brenda tremujorit të parë të këtij viti do të ulë kreditimin e saj me 120 milionë euro, e cila sigurisht, nuk është gjë e mirë për ekonominë tonë dhe bankat e tjera”. Ky ishte prononcimi në publik i ministrit kryesor të qeverisë, atij të Financave, Ridvan Bode, dhe e thënë nga ai, kaq drejtpërdrejtë, tregon se punët nuk po shkojnë mirë për ekonominë e vendit. “Për këtë arsye, unë jam këtu, në Uashington, për të negociuar mundësinë e një kredie të drejtpërdrejtë nga Banka Botërore, pikërisht për të plotësuar këtë mungesë që vjen nga banka perëndimore”, plotëson më tej ministri motivin e vizitës së tij katërditore në SHBA, i shoqëruar nga rrethi i ngushtë i teknikëve që menaxhojnë borxhin në qeverinë shqiptare. Më herët, për të paraprirë vizitën e delegacionit shqiptar, drejtoresha e Bankës Botërore në Tiranë, Ksenya Lvovsky, kishte mbërritur në SHBA, në fillim të muajit prill.
“Ishin takime të planifikuara me kohë, të cilat zhvillohen kryesisht në këtë periudhë të vitit, nga ku ministri shqiptar i Financave po shfrytëzon mundësinë e krijimit të kushteve të marrjes së një kredie. Pra, nuk ka asgjë urgjente, apo të realizuar në ‘minutën e fundit’”, thotë për “Monitor”, një burim zyrtar i bankës këtu në Tiranë.
Para udhëtimit, shpresat ishin të mëdha, madje aq sa Financat tona kishin krijuar bindjen se “të paktën në xhep” do të kishin të garantuar 100 milionë dollarë, nga 300 që është kufiri i lejuar. Duke u interesuar për ditë të tëra rreth bisedimeve, ishte tepër e vështirë të siguroje informacion rreth zhvillimeve, megjithatë, ekspertë të fushës, nisur nga deklaratat e ministrit, të bëra në Uashington, krijuan pritshmërinë se palët nuk kanë gjetur zgjidhje. Dhe në fakt kështu rezultoi.
“Nuk u ra dakord për asgjë. Jemi sërish në pikën ku ishim. Nuk ka marrëveshje për kredi të re”, ishte informacioni përfundimtar që vinte me gjysmë zëri përmes telefonit nga SHBA. Por çfarë ndodhi, pse nuk u gjetën pikat e marrëveshjes? “Ishin kushtet e vendosura, të cilat na ndanë në pikëpamje të ndryshme”, është kjo një përgjigje e shkurtër, ndoshta për shkak të linjës së kufizuar të komunikimit nga SHBA-ja, por megjithatë, e qartë mbi atë çfarë palët nuk kishin bindur njëra-tjetrën.
Qeveria shqiptare po kërkon para për të financuar një buxhet të drobitur nga financat e dobëta dhe keqmenaxhim të të ardhurave. Kriza energjetike, me kostot e saj të mbulimit për importet dhe efektet që vijnë nga jashtë, kanë shkaktuar të tjera turbullira për ekonominë e vendit.
Ku u prish “pazari”
Një muaj më parë kishim të sigurt financimin e bankave private në vend dhe të donatorëve dhe në rastin më të keq, 100 milionë dollarë, kredi të garantuara nga Banka Botërore. Sot, rrezikojmë të mos kemi asnjërën. Bankat kanë ulur financimin, me synim përmirësimin e kapitalit, në rrezik ndaj kredive me probleme, donatorët nuk janë më prezentë si më parë (madje me gjermanët e KfW, ndër kryesorët në vend, situata paraqitet e “ngrirë”), kurse Banka Botërore, që na kishte premtuar se do na ndihmonte, nuk pranoi në fund të jepte kredi për arsye të ndryshme.
Nëse për dy burimet e para të financimit, zgjidhja kërkon kohë, me Bankën Botërore, halli që kishim nuk priste shumë, aq më tepër kur fondi ishte gati, mjaftonte që të binin dakord mbi “dy gjëra”. Por çfarë ishin këto kushte që nuk mundësuan marrëveshjen e shumëdëshiuar?
Meraku i Bankës Botërore qëndronte te stabiliteti i kuadrit makroekonomik të vendit, mbi treguesit e borxhit, shërbimet ndaj tij, deficiti etj. Qeveria shqiptare duhet të pranonte disa kushte, si ulja brenda këtij viti e deficitit buxhetor, nga 3 në 2.5 për qind, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe të angazhohej me një plan afatmesëm për reduktim të borxhit, deri në nivelin 55 për qind, nga 59 për qind të PBB-së, që është aktualisht.
Për qeverinë shqiptare, ulja e deficitit brenda këtij viti e detyron të heqë dorë nga investimet në nivele të konsiderueshme, të paktën nga 30 miliardë lekë dhe natyrshëm të reduktosh fondet e mbështetjes ndaj biznesit në kohë krize është veprim që ndikon negativisht në rritjen ekonomike. “Për ne, kushtet janë të forta”, shton një burim i Kryeministrisë, i cili mbikëqyr situatën financiare në vend.
100 milionë dollarët e kërkuar te Banka Botërore ishin si një lloj serumi për ekonominë, në pritje të mbylljes së 6-mujorit të parë dhe bërjes së analizës mbi treguesit dhe dështimet. KESH kërkon nga qeveria të paktën 10 miliardë lekë, në rast se bie dakord për të “ndihmuar” CEZ-in, ndërsa nga ana tjetër, mungesa e të ardhurave në buxhet, e detyron ministrin të marrë të tjera veprime drastike me shkurtimet.
Ministri: Shtohen rreziqet
Në kushtet kur edhe bankat në vend nuk japin kredi aq sa duhet, situata duket tejet alarmante. Për qeverinë shqiptare, risqet janë shtuar shumë dhe ngado që të kthejë kokën për zgjidhje, has në vështirësi serioze.
Të dhënat tregojnë se 60 për qind e stokut të borxhit të qeverisë qendrore mbahet nga kreditorë vendas dhe 40 për qind nga kreditorë të huaj. Për të kuptuar rolin e bankës “Raiffeisen” në ekonominë tonë, mjafton të kemi parasysh faktin se mban rreth 33 për qind të borxhit të brendshëm dhe ku natyrshëm çdo lëvizje e saj dikton sjelljen e aktorëve në treg. Jo më kot, ministri e konsideron levën e financimit të buxhetit dhe ndikimin që ka banka austriake te bankat e tjera në vend.
Tjetër rrezik është rritja e borxhit. Kredia që do të merrej te Banka Botërore nuk ndikonte në deficitin buxhetor, pasi ishte planifikuar brenda kufirit të miratuar nga Kuvendi, por sakaq, shërbimet ndaj kredive të marra në vite vijnë duke u rritur. Mjafton të shikojmë raportin tjetër, se sipas monedhës, 59 për qind e stokut është në lekë dhe 41 për qind në monedhë të huaj. Ministri pranon, se goditjen e rritjes së borxhit apo të shërbimeve ndaj tij po na e jep kursi i këmbimit.
“Zhvillimet në krizë ekonomike globale çuan në një rritje të borxhit publik shqiptar, për shkak të mbivlerësimit apo raportit të kursit të këmbimit midis lekut dhe euros, duke qenë se borxhi në euro bën të kemi një borxh më të lartë”, thotë Bode. Për këtë vit, pagesat për shërbimin ndaj borxhit arrijnë deri në 50 miliardë lekë, që sipas shefit të financave janë më të ulëta në raport me PBB-në, krahasuar me disa vite më parë. Por ministri nuk e fsheh faktin se, aktualisht niveli i borxhit publik në Shqipëri është relativisht më i lartë se ai në vendet e rajonit, 58,7 për qind dhe kjo rritje lidhet me krizën e shërbimit të borxhit në vendet e rajonit, përfshi Greqinë.
Pikat e përplasjes
Në programin afatmesëm 2015, borxhi publik synon të jetë nën 55 për qind, duke ulur vit për vit deficitin buxhetor. Bode thotë se, vitin e kaluar, vendi pati një deficit buxhetor 3.5 për qind, në 2012 do të jetë 3 për qind e PBB-së, kurse në 2013-n, pritet të ulet nën 2 për qind. E thënë nga ministri ynë i Financave, duket se qeveria ka pranuar të ulë që vitin tjetër shpenzimet, vetëm të pranojë kushtet me Bankën Botërore për kredinë. Duke pasur parasysh se 2013-a është vit fushate e madhe elektorale, për qeverinë, ulja nën 2 për qind e deficitit konsiderohet hapi dhe njëkohësisht tolerimi më i madh që bëhet ndaj kushteve të vendosura nga një institucion i huaj (kujtojmë se me FMN-në nuk u ra dakord). Por BB kërkon që ulja e deficitit të nisë që këtë vit, si shenjë besimi për stabilitetin makroekonomik të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.