Segmenti i distributorëve, i përqendruar në tregtinë me shumicë të mallrave që lëvizin shpejt nga rafti, e përmirësoi rezultatin financiar në vitin 2021, pas goditjes që pësoi nga pandemia vitin e mëparshëm, i ndikuar nga ndryshimi i sjelljes konsumatore.
Konsumi final i popullatës, sipas të dhënave të INSTAT, u rrit me 4.3% në vitin 2021, pas tkurrjes për herë të para në dy dekada, në -3.5% në kulmin e pandemisë në 2020-n.
Në vitin 2021, pothuajse të gjithë operatorët në këtë segment raportuan rritje të të ardhurave, fitimeve dhe normave të fitimit, në një segment që përgjithësisht vepron me marzhe të ulëta.
“AGNA”, kompania më e madhe distributore, ka deklaruar një fitim prej rreth 721 milionë lekësh (rritje 35%), me një normë prej 4.3%, nga 3.6% një vit më parë. “Alfa sh.a.”, pjesë e të njëjtit grup me AGNA, pa një rritje të fitimeve me 33%, në 896 milionë lekë, me një normë kthimi prej 8% (nga 4% vitin e mëparshëm).
“Marketing & Distribution” raportoi rënie të fitimeve për të dytin vit radhazi, në 190 milionë lekë (-14%). Edhe norma e fitimit ra lehtë në 2.4%, nga 2.9% vitin e mëparshëm. Ndërsa të ardhurat u rritën me 6%, tkurrja e fitimeve erdhi si rrjedhojë e shtimit të shpenzimeve për lëndët e para dhe materialet e konsumueshme.
“Inter Distribution Service” ka deklaruar rritje të fitimeve me 14%, në 238 milionë lekë, me normë fitimi prej 1.6%, i njëjti nivel me një vit më parë. Sipas raportit të saj vjetor, rezultatet kanë ardhur si rrjedhim i përmirësimit të strukturës së shitjeve, organizimit të punës, investimeve në teknologji dhe burime njerëzore.
“Albanian Distribution & Development” rriti fitimet me 15%, në 754 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 14%. “Në vitin 2021, për shkak të lehtësimit të kushteve botërore të COVID-19, dhe të masave të marra nga qeveria shqiptare, por edhe të atyre të vendeve europiane dhe botërore, aktiviteti i shoqërisë u rrit jo vetëm në krahasim me 2020-n, vit në të cilin efekti i këtyre masave ndikoi shumë në aktivitetin e kompanisë, por edhe në krahasim me 2019-n”, thuhet në raportin vjetor.
Kthime të larta raporton dhe “Interbrands” prej gati 12%. Fitimet ishin rreth 226 milionë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm.
Më fitimprurësja në 2020-n vijoi të jetë, për të katërtin vit radhazi, “Inter Trade & Distribution”, norma e përfitueshmërisë e së cilës ishte 18.2%, nga 17.7%, vitin e mëparshëm (fitime në vlerë prej 397 milionë lekësh).
Sipas raportit vjetor, përmirësimi i aktivitetit ka ardhur “kryesisht si rrjedhim i faktorëve të brendshëm, që kanë të bëjnë me përmirësimin e strukturës së shitjeve, organizimit më të mirë të punës, investimeve në teknologji dhe në kualifikimin e burimeve njerëzore.
Një faktor i dytë jo më pak i rëndësishëm janë dhe investimet e mëdha, të kryera me fondet e furnitorëve, por edhe ato të kompanisë në marketing dhe promocion. Së fundmi, një ndikim më të vogël ka sjellë edhe niveli i ulët i kursit të këmbimit, si dhe normës së interesit”.
“Elka sa” raportoi rënie të fitimeve me 15%, në 545 milionë lekë, me një normë prej 11.2%. Kompania thekson se janë ndikuar negativisht nga rënia e Euros. “Stabiliteti i kursit të këmbimit do të luante rol të rëndësishëm në aktivitetin tonë si eksportues, pasi luhatjet e shumta në ulje që ka pësuar kursi i këmbimit, kanë sjellë pasiguri në çmimet e shitjes, duke ndikuar kështu edhe tregun ndërkombëtar në të cilin jemi të pranishëm prej shumë vitesh”, thuhet në raportin vjetor.
Në vitin 2022, sektori po ndien pasojat e inflacionit të lartë, i cili po ndikon në blerje dhe të emigracionit, që ka reduktuar fuqinë blerëse. Faktor pozitiv ishte turizmi, që në muajt e verës ndikoi pozitivisht në rritjen e konsumit.
Rritja e inflacionit, e cila filloi që në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe arriti 8% në vitin 2022, niveli më i lartë në dy dekada, i ka bërë operatorët pesimistë për një frenim të ri të konsumit, siç shprehen në raportet e tyre vjetore. Rënia e Euros ka qenë një faktor pozitiv, i cili ka ndihmuar importuesit për të amortizuar rritjen e çmimeve të importit.
“Te konsumi brenda industrisë FMCG ku ne operojmë vërehet se konsumatorët priren drejt blerjeve ekonomike. Janë më të kujdesshëm në shpenzime. Duket se ka një tërheqje, apo kujdes të shtuar.
Si në bisedat me stafin e shitjeve, që është më pranë klientëve dhe konsumatorëve, edhe në studimet kërkimore me konsumatorët, vërehet se ka pasiguri mes tyre, çka sjell hezitimin në blerje. Emigracioni sigurisht që tkurr ekonominë, si në fuqi punëtore, edhe në konsum”, ka pohuar CEO i “Agna Group”, z. Vasil Naçi.
Lexoni edhe: 200 kompanitë me fitime më të mëdha; Në kurthin e kostove të larta, produktivitetit të ulët dhe emigracionit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.