Importet e naftës dhe benzinës kanë shënuar një rritje të qëndrueshme gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të 2013-s.
Sipas statistikave tëpublikuara nga Ministria e Financave, për periudhën janar-qershor 2014 kanë hyrë në territorin shqiptar rreth 897 mijë ton karburant, 4.4% më shumë se një vit më parë.
Megjithatë, rekordi i importit të karburanteve është arritur në periudhën 2009-2010, kohë kur kërkesa ishte e lartë për shkak të ndërtimit të veprës madhore Durrës-Kukës.
Tregu i karburanteve është një ndër më të mëdhenjtë në vend, duke qarkulluar mbi 1 miliard euro në vit.
Ky treg është tashmë nën hetim të Autoritetit të Konkurrencës, që ka hapur në maj të këtij viti procedurën e hetimit të thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve.
Vendimi për hapjen e hetimit të thelluar ishte marrë pasi nga një hetim paraprak rezultoi se pothuajse të gjitha ndërmarrjet e naftës janë të integruara vertikalisht në këtë treg. Përqendrimi i tregut mbetet i lartë deri në nivelin e shitjes me pakicë. Ky përqendrim i lartë dhe karakteristikat e tregut si transparenca, homogjeniteti dhe kërkesa e qëndrueshme për produktin bëjnë që elasticiteti i kërkesës ndaj çmimit të shitjes për karburantet të jetë i ulët. Nga hetimi u evidentua se se ndërmarrjet Kastrati SHA dhe Kaspetrol SHA te cilat zotërohen nga të njëjtët aksionerë, si dhe Europetrol Durrës SHA, Taçi Oil SHA, Everest Oil SHA jane ndermarrjet kryesore ne tregun e importit, tregtimit, dhe të aktivitetit importues dhe tregtar në zonën e lirë doganore në Shqipëri. Sipas Konkurrencës, Kastrati SHA është importuesi më i madh i produktit naftë për periudhën objekt hetimi. Pjesa e tregut të kësaj ndërmarrje është rritur në vitin 2013 duke arritur rreth 46,3% të tregut të produktit naftë dhe rreth 37% të tregut të produktit benzinë.
Sipas Autoritetit, struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri është e formës oligopolistike ku një numër i vogël ndërmarrjesh rezultojnë që importojnë dhe tregtojnë karburant në territorin shqiptar.