Spinaqi, i cili ka një përdorim të gjerë në tërë territorin e Kosovës, ka filluar të kultivohet në sipërfaqe mjaft të mëdha nga fermerët vendorë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në tërë vendin, me këtë kulturë bujqësore janë të mbjellë mbi 40 hektarë, ku prodhimtaria vjetor arrin në mbi 260 tonë.
Ylber Elshani nga Suhareka, i cili merret me kultivimin dhe prodhimin e shumë kulturave perimore, tregon se kultivimi i perimeve është mjaft i leverdishëm.
Një ndër perimet, të cilat i kultivon ky ferme, është edhe spinaqi, të cilën e kultivon në dy sezone. “Po me kultivimin e perimeve të ndryshme merrem që disa vite, ku në mesin e tyre e kultivoj edhe spinaqin në një sipërfaqe prej 80 ari, deri sa kjo kulturë kultivohet në dy zezona brenda vitit, në vjeshtë dhe pranverë”, ka treguar Elshani.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural (MBPZHR), në Kosovë kultivohen 40 hektarë me spinaq me një prodhimtari vjetore prej 262 tonë. “Kosova ka kapacitete për prodhimin e perimeve dhe po ashtu ka kapacitete edhe për plotësimin e kërkesave të tregut për periudhë të caktuar kohore gjatë vitit. Kultivimi i perimeve bëhet në dy forma, në fushë të hapur dhe kultivimi i perimeve në serra”, kanë treguar zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë.
Perimet në fushë të hapur kryesisht kultivohen në Rrafshin e Dukagjinit dhe Anamoravës, kurse në serra në tërë territorin Kosovës. Me rritjen e sipërfaqeve me serra dhe zgjatjen e periudhës së prodhimit si dhe rritjen e rendimentit për njësi sipërfaqe për hektarë mund të zvogëlohet në masë të madhe importi i perimeve.
Gjithashtu edhe ruajtja e perimeve për një kohë të caktuar ndikon në zvogëlimin e importit të perimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.