Flet Ilir Konomi, Albania Property Group
Si ka qenë ecuria e tregut të pasurive të patundshme në bregdet në 2015? Çfarë problematikash pati tregu?
Niveli i shitblerjeve në bregdet mendoj se ka ruajtur ritmin e vitit të mëparshëm. Ka pasur edhe disa aspekte pozitive që kanë dalluar nga më herët, por si gjithmonë, statistika të sakta mungojnë në këtë drejtim. Theksoj praninë e klientëve ukrainas dhe francezë që kanë qenë pak ose aspak prezentë në Shqipëri më herët.
Ndryshe nga vitet e mëparshëm, bie në sy interesi në rritje nga qytetarë ukrainas, të cilët përveçse kanë vizituar vendin tonë edhe si turistë, kanë investuar në vendin tonë duke blerë apartamente në bregdet. Blerjet e tyre janë përqendruar më shumë në Sarandë dhe Durrës në apartamente me çmime nga 30.000-50.000 euro.
Pjesa më e madhe e ukrainasve kanë eksploruar vendin tonë me makinat e tyre familjare, por ndërkohë ka pasur edhe një pjesë tjetër që ka vizituar vendin tonë përmes paketave turistike ofruar nga agjenci ukrainase. Këto të fundit kanë organizuar edhe fluturime direkte me charter nga Kievi.
Ndikim sigurisht ka pasur konflikti që vazhdon ende në Lindje të Ukrainës. Ka familje të shtresave të mesme, të cilët kërkojnë një pronë në një vend të sigurt për çfarëdo eventualiteti, por edhe një vend ku mund të pushohet pranë detit.
Për shkak të një linje ajrore të vendosur nga AdriaAirlines vitin e kaluar ranë në sy edhe prania në rritje e turistëve francezë. Destinacioni kryesor i tyre ishte Riviera Shqiptare.
Lidhur me patundshmërinë, interesi i tyre përsëri ishte në zonën e Rivierës në Dhërmi, Qeparo, Himarë. Por në këtë pikë, oferta jonë në bregdet që mund t’i përgjigjet kësaj kërkese mungon, pasi në shumicën dërrmuese të rasteve ne ofrojmë apartamente, ndërkohë që kërkesat e tyre janë më së shumti për shtëpi në fshatrat e bregut.
Në përgjithësi një kërkesë e tillë është shumë e vështirë të kënaqet. Deri para dy viteve më parë mund të kishte oferta të tilla në Qeparo, apo në Vuno, me gjithë problemet e pronave që njihen tashmë në ato zona dhe që sillnin vështirësi në përfundimin e transaksioneve.
Por çmimet e pronave në shitje (shtëpi të rrënuara, me ose pa oborr) filluan të rriten shumë më shpejt se kërkesa në nivele të pajustifikueshme.
Saranda vazhdon të jetë e preferuar nga norvegjezët, të cilët janë blerës të mirë të apartamenteve në vijën e parë në qytet.
Në përgjithësi preferojnë apartamente të mëdha me dy dhoma gjumi. Dhe çmimet që ata paguajnë shkojnë mbi 65.000 euro.
Ndikim mjaft të mirë në promovimin e Sarandës si destinacion turistik ka agjencia suedeze Apollo, e cila operon si në Suedi edhe në Norvegji. Por si blerës të pronave, deri tani norvegjezët janë në nivel shumë më të lartë në numër se nacionalitete të tjera në vendet nordike. Norvegjezët e parë kanë blerë apartamente në Sarandë që në vitin 2008.
Gjatë vjeshtës 2015 është vënë re një kërkesë në rritje për apartamente me qira në Sarandë dhe Vlorë.
Këto vijnë nga njerëz të moshuar në Europën Qendrore e Veriore, të cilët duan të kalojnë pushimet në vende të ngrohta dhe me kosto jetese të ulët.
Vendi ynë ofron mjaftueshëm në këtë drejtim. Mendoj që 2016 dhe 2017 do të sjellin një rritje të qiradhënieve jashtë sezonit ku jemi mësuar të ketë kërkesë për apartamente pushimi vetëm në 2-3 muaj të verës.
Çfarë pritet të ndryshojë në panoramën e shitjeve ose qirave në bregdet në 2016?
Rritja e sektorit të turizmit në Shqipëri do të vazhdojë të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e shitjeve në zonat bregdetare edhe gjatë 2016.
Ndryshimet e pritura me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit do të kenë peshën e vet në këtë aspekt, edhe pse konkretizimi me hapjen e një aeroporti të dytë apo të tretë në Jug do të dojë ende kohë.
Është e arsyeshme të pritet një rritje e turistëve rusë për shkak të ngjarjeve në SharmEl Sheik (Egjipt), si dhe të acarimit të marrëdhënieve Rusi–Turqi. E vërteta është që oferta jonë turistike është tepër modeste krahasuar me resortet turke, por natyrshëm Shqipëria do të ketë një rritje të numrit të turistëve prej këtyre zhvillimeve.
Shqipëria është i fundit vend me dalje në det në Jugun e Europës e cila ofron ende mundësi të mira investimi në prona të paluajtshme. Afrimi me Komunitetin Europian do të bindë përherë e më shumë qytetarët europianë të investojnë në shtëpitë e dyta në Shqipëri.
Ukrainasit
Bie në sy interesi në rritje nga qytetarë ukrainas, të cilët përveçse kanë vizituar vendin tonë edhe si turistë, kanë investuar në vendin tonë duke blerë apartamente në bregdet. Blerjet e tyre janë përqendruar më shumë në Sarandë dhe Durrës në apartamente me çmime nga 30.000-50.000 euro. Ndikim sigurisht ka pasur konflikti që vazhdon ende në Lindje të Ukrainës. Ka familje të shtresave të mesme, të cilët kërkojnë një pronë në një vend të sigurt për çfarëdo eventualiteti, por edhe një vend ku mund të pushohet pranë detit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.