Rumania ka pezulluar eksportet e drithërave dhe disa produkteve ushqimore drejt vendeve jo anëtare të BE-së, duke filluar nga 10 prilli, deri në fund të gjendjes së jashtëzakonshme të imponuar për të kufizuar përhapjen e sëmundjes së koronavirusit, me urdhër të Ministrisë së Brendshme.
Ndalimi i përkohshëm i eksporteve në këto destinacione bëhet me urdhër të Ministrisë së Brendshme, botuar në Fletoren Zyrtare.
Gruri, elbi, tërshëra, orizi, soja, mielli i grurit, sheqeri, vaji i lulediellit dhe disa produkte pastiçerie si biskotat, nuk do të eksportohen në vendet jo anëtare të BE-së gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, thotë urdhri.
Vendet anëtare të BE-së mund t’i importojnë këto produkte nga Rumania vetëm nëse provojnë se ato do të përdoren brenda vendit ose brenda BE-së dhe nuk do të rieksportohen.
Urdhri përcakton gjithashtu se tregjet bujqësore në Rumani do të qëndrojnë të hapura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Prodhuesit bujqësorë do të kenë nevojë për certifikata për të shitur prodhimet e tyre në këto tregje, dhe janë të detyruar të respektojnë masat e kërkuara të sigurisë dhe mbrojtjes, për të kufizuar përhapjen e infeksionit të koronavirusit.
Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha se ka vendosur të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare edhe për një muaj, deri në mes të majit.
“Është e qartë se ne ende nuk e kemi arritur kulmin e epidemisë, nuk është koha për t’u çlodhur. Ne kemi arritur në përfundimin se duhet ta zgjasim gjendjen e jashtëzakonshme edhe për një muaj më shumë; një dekret do të nxirret javën e ardhshme”, tha Klaus Iohannis, në një deklaratë televizive, të transmetuar nga Digi 24.
Autoritetet rumune fillimisht shpallën një gjendje të jashtëzakonshme 30-ditore në 16 mars, në mënyrë që të mund të përballonin më shpejt shpërthimin e koronavirusit.
Rumania ka regjistruar deri tani 265 vdekje nga 5.467 raste të konfirmuara me COVID-19.