EDITORIAL MONITOR / Kultura dhe muzika ishin të parat që afruan “shpirtërisht” në fillim të viteve ’90, Kosovën dhe Shqipërinë, dy shtete të të njëjtit komb, që fatkeqësisht historia i kishte ndarë për dekada me radhë. Festivalet e muzikës u bënë një, gjuha në këngë kishte pak dallime. Sporti ishte lidhja tjetër e fortë, me futbollistët e Kosovës, të cilët luajtën nën fanellën e Kombëtares shqiptare.
U desh të kalonin dhe gati dy dekada, që lidhja të bëhej më shumë fizike. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, e quajtur saktësisht Rruga e Kombit, në 2009-n solli mundësi të reja, që u shfrytëzuan me shpejtësi, duke i dhënë një tjetër dimension marrëdhënieve mes dy vendeve. Volumi tregtar (eksporte + importe) pothuajse u katërfishua në një dekadë (2018/2008), duke e bërë Kosovën shtetin e vetëm në botë me të cilin Shqipëria ka një bilanc tregtar pozitiv.
Edhe në turizëm, ajo që përfitoi më shumë, ishte Shqipëria, për shkak të rritjes së ndjeshme të hyrjeve nga Kosova, jo vetëm për pushime të gjata, por edhe për fundjavën. Në Shqipëri, në periudhën 2016-2019, erdhën mesatarisht në vit rreth 2 milionë shtetas nga Kosova, duke nxitur dukshëm turizmin dhe ekonomitë familjare shqiptare ndër të tjera.
Në verën e vitit 2020, kur industria turistike vendase po vuante nga kriza e pandemisë, teksa të gjithë operatorët europianë anuluan rezervimet për klientët e tyre, shpëtimi erdhi nga shumë afër. Ishin shtetasit nga Kosova ata që prenotuan hotelet e mbetura bosh, duke zgjatur edhe sezonin, i cili përgjithësisht zbehet nga shtatori. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në 2020-n, hyrjet e shtetasve nga Kosova zunë 53% të totalit, nga rreth 35% që ishte mesatarja e tyre në periudhën 2017-2019.
Në kontrast të afërsisë që krijuan njerëzit, gjuha, kultura, tradita dhe rruga, qeveritë e të dy shteteve, me dashje apo dashje, vetëm sa e kanë shtuar distancën dhe kanë vështirësuar bashkëpunimin ekonomik dhe institucional nëpërmjet barrierave të dukshme e të padukshme dhe mungesës reale të vullnetit për t’i parë të dy shtetet si një treg i vetëm. Ironikisht, nga 130 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, që janë nënshkruar mes dy qeverive në 7 mbledhjet e përbashkëta të zhvilluara, në periudhën 2014-2021, sipërmarrësit nga të dyja anët ankohen se zbatimi i tyre është thuajse zero (lexo shkrimin në faqet e brendshme të revistës).
Bizneset shqiptare ankohen se barrierat tarifore dhe jotarifore me Kosovën kanë mbetur të njëjta në pesë vitet e fundit, megjithëse qeveritë e dy shteteve kanë shprehur vullnetin politik për zgjidhjen e tyre shumë herë. Sipërmarrësit e Kosovës kanë shqetësime të ngjashme, dhe ankohen se hasin në pengesa të shumta në tregtimin e produkteve të tyre në Shqipëri.
Kosova ka sipërfaqe 11 mijë kilometër katrorë dhe popullsi 1.8 milionë banorë, Shqipëria ka sipërfaqe 28 mijë kilometër katrorë dhe 2.8 milionë banorë. Nëse do të unifikoheshin rregullat e tregtisë, taksat dhe politikat ekonomike, tregu i përbashkët do të kishte rreth 5 milionë konsumatorë, në një territor prej 39 mijë kilometrash katrorë. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të krijonin një bashkësi ekonomike më të rëndësishme nga pikëpamja e madhësisë dhe me më shumë mundësi diverisifikimi dhe në mbështetje të interesave reciproke të të dy vendeve.
Duke pasur ende forcën e punës në kulmin e produktivitetit, Kosova dhe Shqipëria, në një treg të integruar, do të ishin një ofertë joshëse për kompanitë e huaja, si në aspektin e tregtar, ashtu dhe në prodhimin e manifakturës. Dëshira e hershme e bizneseve për një treg unik, në fakt, nuk është bërë pjesë e axhendave të përbashkëta të qeverive, edhe pse spektakli në këtë drejtim nuk ka munguar.
Por tani, kur bota është përfshirë në një cikël të gjatë krize, shtete të vogla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje, më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë, sesa për dëshirë patriotike. Kjo do t’i bënte ato edhe më të përgatitura për të përballuar konkurrencën rajonale, që sa vjen e po bëhet më e ashpër.
Ekipi i Kombëtares shqiptare të futbollit, me përfaqësues të të dy shteteve, ka qenë eksperimenti i cili, mund të themi, se shkencërisht e provoi suksesin që sjell integrimi mes nesh. Prandaj le ta nisim “Open Ballkan” më së pari nga vetvetja dhe rezultati pozitiv do të jetë i dukshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.