Më 23 shkurt, Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET) miratoi një rezolutë për Serbinë, e paraqitur nga Vladimír Bilčík, duke shprehur “shqetësimin për rritjen e ndikimit të Kinës në Serbi dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në veçanti në lidhje me mungesën e transparencës dhe vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social të investimeve dhe huadhënieve kineze”.
Në Serbi, raporti i Parlamentit Europian rihapi diskutimin mbi natyrën e marrëdhënieve dypalëshe midis Beogradit dhe Pekinit dhe provokoi reagime të ndryshme, nga njëra anë, lëvdata shpesh të ekzagjeruara për Kinën dhe, nga ana tjetër, akuza se Serbia është bërë “provinca e parë kineze në Europë”.
“Është një nder i madh për ne që kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Kinën. Nisma e Rrugës së Mëndafshit solli përfitime të mëdha për popullin tonë, si dhe për popullin kinez”, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pas samitit vjetor midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, i mbajtur nëpërmjet një video-konference më 9 shkurt.
Në një intervistë për stacionin televiziv kinez CCTV-13, Vuçiç pohoi se vlera e eksporteve serbe në Kinë është 50 herë më e lartë se dhjetë vjet më parë, duke shtuar se ai ishte mirënjohës ndaj Kinës për ndihmën e dërguar në Serbi vitin e kaluar, përfshirë pajisje mjekësore dhe vaksina.
“Në vitin 2020, PBB-ja e Serbisë u ul me 1%, ndërsa disa vende regjistruan rënie prej 17% të PBB-së. Në vitin 2021, ne presim që PBB-ja të rritet me 6%. Borxhi publik i Serbisë përbën 57% të PBB-së së vendit, pavarësisht një rritje në shpenzimet publike gjatë pandemisë. Ne kurrë nuk do të kishim arritur dot rezultate të tilla pa ndihmën e Kinës”, tha Vuçiç.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme, Josep Borell, nënvizon se mbështetja e BE-së për Ballkanin Perëndimor është më thelbësore sesa ajo që vjen nga Kina, Rusia dhe Turqia.
“Plani ynë i investimeve për Ballkanin Perëndimor parashikon mbështetje deri në 9 miliardë euro të fondeve për kujdesin shëndetësor dhe ndërhyrjet ekonomike”, tha Borell, duke shtuar se BE-ja po përpiqet gjithashtu të ndihmojë Ballkanin Perëndimor në sigurimin e vaksinave kundër Covid-19, pavarësisht se për momentin po has vështirësi në këtë drejtim.
“Ne e pranojmë se kemi pasur vështirësi, sepse ka një mungesë vaksinash në BE, ndërsa në disa vende të rajonit, si Serbia, po zhvillohet një betejë e madhe diplomatike”, deklaroi Borell.
Më 19 janar, njëzet eurodeputetë, përfshirë Miriam Lexmann nga grupi i Partisë Popullore Europiane (EPP), i dërguan një letër komisionerit të BE-së për zgjerimin, Olivér Várhelyi, duke treguar disa aspekte negative të investimeve kineze në Serbi.
“Ne i bëjmë thirrje Komisionit Europian që t’u kushtojë vëmendje investimeve kineze në industrinë e rëndë në Serbi, sepse ato kanë efekte negative në mjedis dhe në sistemin gjyqësor”, tha Lexmann.
Për sa u përket vaksinave, Lexmann e quajti dorëzimin e 1 milion dozave të vaksinës Sinopharm të Kinës në Serbi si një “investim politik i Pekinit”. “Të gjithë kujdesen për shëndetin. Kur përballen me një kërcënim shëndetësor, njerëzit ndihen të frikësuar dhe të pasigurt. Fatkeqësisht, besoj se jemi duke parë një përpjekje të Kinës për të manipuluar qytetarët serbë”, tha Lexmann.
Ndërsa Europa diskuton mbi ndikimin strategjik kinez në Ballkanin Perëndimor, në Serbi po zhvillohet një debat i ashpër mbi aspektet financiare të rritjes së pranisë kineze në vend.
“Borxhi i Serbisë ndaj Kinës u rrit nga 118 milionë euro në fund të vitit 2011, në 1,1 miliardë euro në fund të vitit 2020, duke marrë parasysh edhe marrëveshjet e huave me vlerë 14 miliardë euro. Është më se e qartë se kush përfiton nga ky bashkëpunim”, thotë Dusan Nikezic, president i komitetit ekonomik dhe financiar të Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP).
Nikezic shpjegon se rritja masive e borxhit të Serbisë ndaj Kinës është për shkak të faktit se gjatë nëntë viteve të fundit, të gjitha projektet e mëdha të infrastrukturës në Serbi janë financuar nga huatë e marra nga Kina dhe të gjitha kontratat u janë dhënë kompanive kineze pa tenderë publikë. Sipas Nikezic, nëse të gjitha projektet e planifikuara do të përfundonin, borxhi i Serbisë ndaj Kinës do të arrinte në 15 miliardë euro.
“Vuçiç nuk e përmend faktin se eksportet e Serbisë në Kinë arrijnë në 329 milionë euro, ndërsa vlera e importeve është 2,88 miliardë euro. Ai gjithashtu nuk e përmend faktin se Serbia regjistroi një deficit tregtar me Kinën në vlerën 2,55 miliardë euro, gati sa gjysma e deficitit total tregtar prej 5,9 miliardë euro”, shpjegon Nikezic.
Strahinja Subotic, studiuese në Qendrën për Politikat Europiane në Beograd dhe autore e një studimi mbi marrëdhëniet dypalëshe midis Serbisë dhe Kinës, duket më pak e shqetësuar për rritjen e borxhit të Serbisë ndaj Pekinit.
“Borxhi i Serbisë ndaj Kinës vazhdon të rritet. Borxhi ynë ndaj Kinës përbën rreth 4% të PBB-së, ndërsa borxhi i përgjithshëm kombëtar përbën rreth 7% të PBB-së. Sidoqoftë, do të thoja se nuk jemi të mbingarkuar me borxhe. Nuk mendoj se Serbia është kali trojan kinez dhe nuk besoj se Kina dëshiron të manipulojë Serbinë nëpërmjet kredive. Ne kemi një borxh të madh ndaj Kinës, por jo të tepruar”, shpjegon Subotic.