Fermerët të mos bien pre e abuzuesve. Çdo fermer para blerjes së fidanëve të kërkojë dokumentacionin e nevojshëm, si, etiketën e ngjitur mirë mbi fidan, ku të cilësohet edhe gjendja fito-sanitare e fidanit që blen, dokumentin e origjinës së mallit, kur fidanët blehen tek tregtari.Shqipëria kërcënohet seriozisht nga importi i drufrutorëve dhe kontrabanda e tyre, nga prodhimi dhe tregtimi i tyre jashtë çdo kushti e standardi. Tregtarë të ndryshëm, duke parë vetëm fitimin dhe duke mos menduar asgjë tjetër, sjellin drufrutorë të paçertifikuara, pa treguar vend origjinën e tyre. Dhe burimi më i madh i këtyre drufrutorëve është Serbia dhe vende të tjera pranë saj. Rreziku që nuk ndjehet sot por pas disa vitesh, vjen nga drufrutorë me sëmundje të ndryshme që hyjnë në vend kontrabandë edhe shpërndahen nga tregtarët për te fermerët që s para janë të kujdesshëm kur blejnë drufrutorë me sëmundje, s kërkojnë çertifikatat e fidanëve, pasi as ata vetë nuk e dinë se çdo fidan që blejnë ka dokumente shoqëruese.Nuk e teprojmë të shprehemi se rrënimi i pemtarisë shqiptare në vitet e pluralizmit nuk ka qenë i paqëllimshëm. Të gjithë i kujtojnë plantacionet me mollë të Korçës, mollët e Peshkopisë. Edhe nëpër dyqane e rrugë të dehte era e mollëve. Ndërsa sot, importi ka mbytur gjithçka. Jo vetëm që s vjen erë molle në asnjë dyqan, por nuk ka as edhe kujdes për përmirësim të gjendjes. Plantacione pa fund u prenë në kohën e prishjes së kooperativave dhe fermave. Dhe kush fitoi. Tregtarët e vendeve fqinje, askush tjetër. Vërtetë që Shqipëria do të importojë banane se nuk prodhohen këtu, por është absurde të importohen mollë. Rrushi vjen me shumicë nga Maqedonia, Greqia e Kosova edhe për fabrikat e pijeve të vendit. Po ne kemi importuar edhe pras, edhe qepë, edhe bar për bagëtitë… Sepse ka qenë i interesuar dikush që të mos prodhohet këtu, por vetëm të konsumohet këtu, pra të importohet gjithçka. Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatorit, aktualisht e ka fushë prioritare pemtarinë dhe vreshtarinë. Është detyrë e jona që të mbrojmë fermerët nga kontrabandistët që sjellin fidane kontrabandë nga vendet fqinje, nëpër pikat e kalimit kufitar, por edhe në rrugë ilegale nga kufiri tokësor, fidana të paçertifikuara dhe krejt të dyshimtë, shprehet ministri i MBUMK, Jemin Gjana. MBJELLJET NË VENDÇDO VIT 400-450 ha me vreshta të reja2 milion rrënjë fidanë hardhie mbi 500 mijë rrënjë pemë frutore, 180 mijë rrënjë ullinj,80 mijë rrënjë agrume Vitet 2001-2002 Import 120 mijë rrënjë fidanë frutore, 130-140 mijë rrënjë fidanë ullinj, 700 mijë rrënjë fidanë hardhi, 120 mijë rrënjë fidanë agrume, Viti 2005 59 mijë rrënjë fidanë ulliri, 81500 rrënjë fidanë frutore, 53 mijë rrënjë fidanë agrume, 380 mijë rrënjë fidanë hardhi.Në vend prodhojnë fidane aktualisht 110 subjekte, numër ky i ulët për të plotësuar kërkesat e fermerëve si dhe për të krijuar efektet pozitive të konkurrencës së lirë mbi cilësinë dhe çmimin e fidanëve në treg.Mbështetja e ulët e prodhimit vendas dhe lejimi i futjes së pakontrolluar të fidanëve nga jashtë nuk ka qenë e paqëllimshme, shprehet ministri Gjana, i cili shton se MBUMK “ ja është e ngazhuar për ta ndryshuar këtë gjendje në favor të prodhimit dhe prodhuesve vendas që dëshirojnë të ofrojnë produkte cilësore dhe të punojnë sipas legjislacionit që po synojmë ta përafrojmë me atë të BE-së.Për identifikimin e këtyre abuzimeve MBUMK ka ngritur disa grupe kontrolli, me specialistë të MBUMK, Enti Shtetëror i Fara-Fidanëve (ESHFF) dhe DRBUMK-ve, të cilat deri tani kanë ushtruar kontrolle në pikat e shitjes, prodhimit dhe importit të fidanëve në disa zona të vendit. Gjatë dy muajve të fundit janë kontrolluar rreth 75 subjekte kryesore që merren me prodhimin dhe tregtimin e fidanave në rrethet Tiranë, Kavajë, Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë, Berat, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Mallakastër, Pogradec etj. Fermerët dhe bujqësia shqiptare në tërësi kërcënohen nga fidana të pakontrolluara pasi në shumicën e rasteve fidanat shiten të pa shoqëruar me etiketën e lëshuar nga Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanave (ESHFF). Shumë subjekte prodhuese deklarojnë sasira më të vogla fidanash për etiketim sesa prodhojnë në të vërtetë, për të mos paguar çmimin e etiketës. Kjo vjen edhe nga që pjesa më e madhe e fidanave shiten direkt nga prodhuesi te përdoruesi pa kaluar në rrjetin e shitjes.Etiketat e lëshuara nga ESHFF nuk ngjiten në fidane, por mbahen në sirtar ose janë lehtësisht të heqshme, duke lënë mundësinë e ripërdorimit të tyre për fidanë të pamiratuar për shitje. Një pjesë e madhe e pikave të shitjes nuk disponojnë dokumentacion shoqërues të furnizuesit të fidanëve ose e kanë false. Mungojnë regjistrat e hyrje-daljeve duke lejuar fshehjen e abuzimeve me sasitë e fidanëve të miratuar për shitje. Shumë prej etiketave nuk përmbajnë informacionin e nevojshëm të shërbimit fito-sanitar mbi gjendjen shëndetësore të fidanit. Bashkë me fidanët e miratuar për shitje në pikat e shitjes gjenden dhe fidanë jashtë standardit.Fidanat ruhen dhe tregtohen në mjedise të papërshtatshme, të pashartifikuar, pa bukë dheu, dhe në kushte temperature e lagështie të papërshtatshme. Në shumicën e rasteve fidanët prodhohen pa garancinë e nevojshme mbi pastërtinë varietore të nënshartesës dhe mbishartesës, gjë e cila vjen dhe si pasojë e problemeve me blloqet mëmë të varieteteve të pastra, të cilat ose mungojnë fare, ose ato ekzistuese nuk mbahen nën mbikëqyrje nga organet kontrolluese e çertifikuese. Çertifikatat janë dhënë vetëm nga kontrolle vizive, pa analiza të përshtatshme. Për vitin 2005 nuk rezulton asnjë kampion i dërguar për analizë në Institutin e Mbrojtjes së Bimëve. Fidanat e importuar nuk shoqërohen me çertifikatën e origjinës, çertifikatën fito-sanitare dhe dokumentet e nevojshme që vërtetojnë pastërtinë varietore, nuk mbahen në kushtet e nevojshme gjatë zinxhirit të marketingut, paraqesin cilësi të dobta fizike, ambalazhim të papërshtatshëm etj., (me përjashtim të atyre të ardhur nga Italia). Për dy muaj MBUMK-ja ka ndëshkuar abuzuesit në 53 raste, duke bllokuar kontigjente të ndryshme fidanash. Rreziku është më i madh tani kur është faza e mbjelljes së fidanave. Informojmë fermerët të mos bien pre e abuzuesve. Çdo fermer para blerjes së fidanëve të kërkojë dokumentacionin e nevojshëm, si, etiketën e ngjitur mirë mbi fidan, ku të cilësohet edhe gjendja fito-sanitare e fidanit që blen, dokumentin e origjinës së malllit, kur fidanët blehen tek tregtari, si dhe të konsultohen më parë me specialistët e DRBUMK-ve. Me fidanët duhet kujdes sepse fidanat drufrutorë nuk mbillen sot për sot dhe pas tre muajve mbjell diçka tjetër. Fidanat nuk janë si prasi apo qepa a lakra. Fidanët mbillen për brezat dhe janë pasuri kombëtare, të cilën boll na e kanë shkatërruar të tjerët me duart tona. Me fidanat duhet kujdes që të mos na ndodhë si në atë historinë e atij fermerit që bleu farë qepësh dhe i mbinë pras.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.