Testimet e para të Shell Upstream Albania B.V. (Shell) në pusin vlerësues Shpirag-4 në afërsi të Beratit, konfirmojnë potencialin e prurjeve të një zbulimi të rëndësishëm nafte të lehtë, tha kompania në një njoftim për shtyp.
Burime nga kompania pohuan se nafta është zbuluar që në vitin 2013, por nuk dihej potenciali i saj. Pas testimeve të ditëve të fundit është konfirmuar se potenciali është prej disa mijëra fuçive nafte në ditë.
Sipas njoftimit për shtyp, “Zbulimi i Shpiragut për Shell është i pari në tokë në një brez tektonik të rrudhosur dhe të mbihypur në Shqipëri (struktura gjeologjike ku gjendet rezervuari i hidrokarbureve)”, tha Marc Gerrits, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv i Shell për Eksplorimin. “Ne jemi të gjithë të kënaqur që këto testime të para kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim të rrisim biznesin tonë në Shqipëri.”
Testimi disa ditor i pusit u krye sipas pritshmërive, me një prurje potenciale të disa mijëra fuçive nafte në ditë. Volumi komercial i rikuperueshëm i naftës nga Shpiragu duhet përcaktuar më tej përmes aktivitetesh të tjera vlerësuese.
Zbulimi i Shqipragut, në një rezervuar karbonatik të frakturuar, është në një strukturë gjeologjike të njëjtë me fushat e mëdha të Val D’Agrit dhe Tempa Rossas në Itali, ku Shell ka një pozicion të rëndësishëm jo-operues.
Hapi tjetër në programin vlerësues është kryerja e një testimit vlerësues të gjatë në pusin Shpirag-4, pasuar nga shpimi vlerësues në pusin Shpirag-3. Paralelisht Shell planifikon të kryejë shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve që ka të drejta për të testuar potencialin e tyre.
Kërkimet
Zbulimi i Shpiragut u konfirmua në vitin 2013 nga pusi Shpirag-2 i cili tregoi prezencën e një kolone nafte të lehtë në të paktën 800m në rezervuar.
Rezultatet e suksesshme të hapave të mëtejshëm të programit vlerësues do të cojnë në shpimin e më shumë puseve vlerësues, ndërtimin e një Sistemi Pilot Vlerësimi dhe potencialisht kalimin në zhvillim të plotë të shfrytëzimit, hap ky që do të varet nga një vendim përfundimtar investimi.
Shell u bë partner në projekt në vitin 2012 dhe tani zotëron 100% të interesave në bllokun 2-3 dhe do të marrë efektivisht 100% të të drejtave në Bllokun 4 përgjatë vitit 2019. Hapësira e përbashkët e Blokut 2-3 dhe Bllokut 4 është 4,084km2.
Brenda kësaj hapësire janë identifikuar burime të tjera të mëdha hidrokarbure, ende të pavlerësuara, por që sigurojnë mundësi për aktivitete të mëtejshme eksploruese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.