Shkencëtarët kanë thënë se një variant i ri Covid që mbart një “numër jashtëzakonisht të lartë” mutacionesh mund të nxisë valë të mëtejshme të kësaj sëmundjeje, duke shmangur mbrojtjen e trupit.
Vetëm 10 raste në tre vende janë konfirmuar nga sekuenca gjenomike, por varianti ka ngjallur shqetësime serioze mes disa studiuesve, sepse disa prej mutacioneve mund të ndihmojnë virusin të shmangë imunitetin.
Varianti B.1.1.529 ka 32 mutacione në proteinën spike, pjesa e virusit të cilën e përdorin shumica e vaksinave për të nxitur sistemin imunitar kundër Covid-it. Mutacionet në proteinën spike mund të ndikojnë në aftësinë e virusit për të infektuar qelizat dhe për t’u përhapur, por gjithashtu e bëjnë më të vështirë për qelizat imune që të sulmojnë patogjenin.
Varianti u zbulua për herë të parë në Botsvana, ku tani numërohen tre raste. Gjashtë të tjera janë konfirmuar në Afrikën e Jugut dhe një në Hong Kong nga një udhëtar që kthehej nga Afrika e Jugut.
Dr. Tom Peacock, mjek virolog në Imperial College London, postoi detaje të variantit të ri në një faqe interneti për ndarjen e gjenomit, duke vënë në dukje se “sasia tepër e lartë e mutacioneve të proteinës spike sugjeron se ky mund të jetë një shqetësim i vërtetë”.
Në një seri postimesh në Twitter, Peacock tha se “duhet shumë, shumë monitorim për shkak të profilit të frikshëm të proteinës spike”, por shtoi se mund të rezultojë të jetë edhe një “grup i çuditshëm” që nuk është shumë i transmetueshëm. “Shpresoj që të jetë kështu”, shkroi ai.
Dr. Meera Chand, drejtoresha e incidentit të Covid-19 në Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, tha se në partneritet me organet shkencore anembanë globit, agjencia po monitoron në mënyrë konstante statusin e varianteve të Sars-CoV-2 ndërsa ato shfaqen dhe zhvillohen në mbarë botën.
“Meqenëse është në natyrën e viruseve që të ndryshojnë shpesh dhe në mënyrë të rastësishme, nuk është e pazakontë që të lindin një numër i vogël rastesh që shfaqin grupe të reja mutacionesh. Secili variant që shfaq prova të përhapjes vlerësohet me shpejtësi,” tha ajo.
Rastet e para të variantit u mblodhën në Botsvana më 11 nëntor, ndërsa ai më i hershmi në Afrikën e Jugut u regjistrua tre ditë më vonë. Rasti i gjetur në Hong Kong ishte një burrë 36-vjeçar i cili kishte marrë një test negativ PCR përpara se të fluturonte nga Hong Kongu për në Afrikën e Jugut, vend në të cilin qëndroi nga 22 tetori deri më 11 nëntor. Ai rezultoi negativ në kthimin e tij në Hong Kong, por doli pozitiv në 13 nëntor ndërsa ishte në karantinë.
Anglia nuk ka më një listë të kuqe për të vendosur kufizime për udhëtarët që vijnë nga jashtë. Personat që nuk janë plotësisht të vaksinuar duhet të testohen si negativ përpara fluturimit dhe të bëjnë dy teste PCR pas mbërritjes. Ata që janë plotësisht të vaksinuar duhet të bëjnë një test Covid brenda dy ditëve nga mbërritja e tyre.
Shkencëtarët do të mbikëqyrin variantin e ri për çdo shenjë se ai po merr vrull dhe po përhapet më gjerësisht. Disa virologë në Afrikën e Jugut janë tashmë të shqetësuar, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e fundit të rasteve në Gauteng, një zonë urbane që përmban Pretorian dhe Johannesburgun, ku janë zbuluar raste me B.1.1.529.
Ravi Gupta, profesor i mikrobiologjisë klinike në Universitetin e Kembrixhit, tha se puna në laboratorin e tij zbuloi se dy nga mutacionet në variantin B.1.1.529 rritën mungesën e efektivitetit dhe reduktuan njohjen e antitrupave. “Ky sigurisht duket një shqetësim i rëndësishëm bazuar në mutacionet e pranishme,” tha ai. “Sidoqoftë, një veti kryesore e virusit që mbetet e panjohur është infektueshmëria e tij, pasi ky është faktori kryesor që duket se ka nxitur përhapjen e variantit Delta. Shmangia nga imuniteti është vetëm një pjesë e skenarit të asaj që mund të ndodhë.”
Prof. Francois Balloux, drejtor i Institutit të Gjenetikës në UCL, tha se numri i madh i mutacioneve në këtë variant u grumbullua me sa duket në një “shpërthim të vetëm”, duke sugjeruar se ai mund të ketë evoluar gjatë një infeksioni kronik te një person me një sistem imunitar të dobësuar, ndoshta një pacient me HIV/AIDS i patrajtuar me mjekime.
“Unë patjetër do të prisja që ai të mos njihej mirë nga antitrupat neutralizues që lidhen me Alfa-n ose Delta-n,” tha ai. “Është e vështirë të parashikohet se sa i transmetueshëm mund të jetë ai në këtë fazë. Për momentin, duhet monitoruar dhe analizuar me kujdes, por nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar së tepërmi nëse ai nuk fillon të rritet në frekuencë në të ardhmen e afërt.”/ The Guardian