Nuk ka ende asnjë datë se kur mund të nisë viti i ri shkollor në institucionet publike të Kosovës. Punonjësit e arsimit, ashtu si edhe shërbyesit civilë, janë në grevë, me kërkesën për rritje pagash, përkatësisht për 100 euro shtesë. Greva në arsim po vazhdon që nga 25 gushti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë bërë thirrje që të fillojë mësimi nëpër shkolla.
Kurti e Nagavci në fshatin Llugë në Podujevë në përcjellje të kryetarit të komunës, Shpejtim Bulliqi, kanë inauguruar gurëthemelin e shkollës së re “Ilir Kunushevci” në këtë fshat.
“Kemi nevojë për më shumë mësim, shkolla, për më shumë mësimdhënësie e mësimnxënie. Nga situata aktuale duhet të dilet vetëm duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar në shkolla mësimdhënësit e po ashtu nxënësit. Meqenëse nuk zhvillohet vendi pa arsim, ekonomia nuk zhvillohet pa mësim e edukim. Kemi ndëmarrë si asnjë Qeveri më herët, masa të ndryshme për përmirësimin e pozitës sociale të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësit”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se si Qeveri bëjnë gjithçka që është e mundur në përputhje me buxhetin e shtetit, ku theksoi se për dallim nga qeveritë e kaluara kësaj here buxheti nuk cenohet nga korrupsioni.
E ministrja Nagavci po ashtu ka thënë se duhet filluar viti shkollor.
“Edhe nga këtu, si në çdo paraqitje time, i bëjë thirrje mësimdhënësve të jenë pranë nxënësve e bashkë me nxënësit. Të mos humbet më asnjë orë mësimi, pasi dëmet e shkaktuara janë të mëdha”, ka thënë Nagavci.
Greva e punonjësve të arsimit dhe shërbyesve civilë ka nisur më 25 gusht, por që nga ajo kohë nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar nga ana e këtij këshilli si tërësi.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili është pjesë e këtij këshilli, ka thënë se zgjidhja e grevës arrihet vetëm përmes dialogut social.
Nënkryetari i Këshillit Grevist, Ali Gashi, ka treguar se greva do vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve.
“BSPK-ja është jashtëzakonisht e interesuar që të negociojë me zyrtarët e Qeverisë. Prandaj, i bëjmë apel ekzekutivit që të reflektojë që të gjendet një zgjidhje për të dyja palët ”.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Rreth 8.3 milionë euro në muaj do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës kërkesa e grevistëve – 100 euro në muaj për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, deri në miratimin e Projektligjit për paga.
Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83.000. Nga 100 euro në muaj, buxhetit të Kosovës i kushton rreth 8.3 milionë euro
Paga mesatare bruto në sektorin publik në Kosovë është rreth 480 euro.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar më 3 shtator se do t’i mbështesë punonjësit e sektorit publik me nga 50 euro në muaj deri në fund të vitit, për shkak të krizës me rritjen e çmimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.