Flet Brano Djurovic, Drejtor i Përgjithshëm i One Albania
Brano Djurevic, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë One Albania, ishte i ftuar në muajin shkurt në Podcast-in Biznes…Plus të “Monitor”.
Në intervistën e tij, z. Djurovic tha se shqetësimet për rritje çmimesh në tregun e telefonisë celulare janë disi të tepruara.
Sipas tij, në një horizont afatmesëm dhe afatgjatë, ndoshta çmimet e shërbimeve celulare do të ndjekin një korrigjim, duke ndjekur tendencat e shumicës së tregjeve në këto vitet e fundit.
Megjithatë, ai mendon se ky proces mund të jetë gradual dhe nuk do të nënkuptojë shtrenjtim drastik të tarifave në një moment të caktuar.
Nga ana tjetër, z. Djurovic mendon se ekzistenca e dy operatorëve të shëndetshëm dhe të konsoliduar do të rrisë mundësitë e tyre investuese dhe kjo do të përkthehet në një shërbim më cilësor për përdoruesit e rrjeteve shqiptare të telekomunikacioneve.
Në vitet e fundit, tregu celular në Shqipëri ka kaluar nëpërmjet një procesi konsolidimi apo përqendrimi. Numri i operatorëve ka rënë në dy. Çfarë ndikimi do të sjellë ky proces te përdoruesit fundorë të shërbimeve të komunikimit?
Ky është zhvillimi, kështu që kjo është një nga fazat e zhvillimit të tregut. Ju e dini nga historia që ky treg ka kaluar nëpër disa zhvillime ekstreme dhe në një pikë në historinë e tij kanë qenë katër operatorët celularë të pranishëm në treg.
Por, vetë tregu e rregulloi në njëfarë mënyre situatën dhe skenarin sepse u pa se nga katër operatorë, dy prej tyre nuk ishin në gjendje të kryenin biznes në një mënyrë të qëndrueshme. Pra, do të thotë se ndoshta tregu vetë, me
karakteristikat dhe me fuqinë e vet blerëse, nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të mbajtur 4 ose edhe 3 operatorë celularë.
Ne kaluam në këtë fazë, nga 4 operatorë në 2 të tillë për momentin dhe përfitimet kryesore që tregu duhet të ketë nga procesi i konsolidimit do të jetë aftësia e operatorëve për të zhvilluar rrjete celulare me cilësi të lartë dhe për të ofruar shërbimin në një standard cilësor, i cili është në nivele të ngjashme me shërbimet më të mira në Europë.
Vitin e kaluar, kur bëmë matjen e cilësisë së rrjetit dhe sinjalit, nga një kompani e pavarur nga Finlanda, që mati cilësinë e rrjeteve celulare në Shqipëri, ato ishin të krahasueshme me cilësinë e rrjeteve celulare në vendet e Europës Veriore, të cilat janë me diferencë me tregjet më të zhvilluara dhe rrjetet celulare më cilësore në Europë.
Megjithatë, në njëfarë mënyre, përdorimi i rrjeteve tona celulare ka tarifa të përballueshme në krahasim me rrjetet Nordike.
Pra, përfitimi do të jetë se cilësia e rrjeteve celulare do të jetë shumë e lartë, e krahasueshme me Europën dhe me vendet shumë të zhvilluara, por nga ana tjetër, kostoja e përdorimit të rrjeteve do të jetë në një nivel të përshtatshëm për tregun vendas dhe për fuqinë blerëse lokale.
Kjo është diçka që presim të ndodhë në afat të mesëm dhe të gjatë, pra nuk ndodh brenda ditës, por ne shohim sidomos me zhvillimet e reja se ky proces mund të ecë më shpejt gjatë viteve në vazhdim.
Por, kur ka më pak lojtarë në treg, kjo do të thotë më pak konkurrencë dhe ka një shqetësim në rritje mes konsumatorëve për shtrenjtimin e paketave të komunikimit. Cilat prisni të jenë dinamikat e çmimeve në tregjet e komunikimit, duke marrë parasysh edhe investimet e pritshme në rrjetet 5G?
Unë mund të ndaj edhe mendimin tim personal, por dhe atë të kompanisë, në njëfarë mënyre. Një gjë të tillë e kam dëgjuar nga dita e parë kur iu bashkova kompanisë në Shqipëri. Pra, e di që ka një shqetësim publik për rritjen e çmimeve të komunikimit.
Mendimi im është se ky shqetësim është pak i ekzagjeruar. Pra, shqetësimi se do të ketë rritje të ndjeshme të çmimeve në tregun celular.
Të gjithë jemi dëshmitarë të tendencave globale dhe lokale që po ndodhin, sidomos inflacioni, i cili me kalimin e viteve po rritet me një ritëm vërtet të qëndrueshëm.
Ne gjithashtu shohim ndryshimet në zinxhirin global të ofertës, luftërat që po ndikojnë në çdo treg, në çdo mjedis dhe padyshim që është tendencë afatgjatë, nëse shohim pas. Kështu që standardet e industrive, indekset e industrive, çmimet e industrive, norma e inflacionit prej vitesh janë të gjitha në rritje.
Mënyra se si e shoh, duke folur më shumë në horizont afatmesëm dhe afatgjatë, është se çmimet e industrisë celulare duhet të ndjekin tendencën e përgjithshme të zhvillimit të tregjeve.
Megjithatë, edhe pse po operojmë në një treg me dy lojtarë prej më shumë se një viti, tregu nuk ka përjetuar ndonjë ndryshim dramatik që ka të bëjë me politikën e çmimeve, me çmimet në përgjithësi apo ndryshime në atë pjesë të portofolit të shpenzimeve, kur bëhet fjalë për shërbimet e telekomunikacionit.
Kështu që vërtet besoj se shqetësimi është i ekzagjeruar dhe mendoj se koha do të tregojë që tregu do të ketë përfitime, që do të jemi në gjendje të përdorim rrjete cilësore, me nivele çmimesh të përballueshme.
Sidoqoftë, mendoj se tregu është i hapur dhe nëse do të ketë ndonjë investitor, i cili do të jetë i interesuar për të hyrë në treg, edhe mundësia për të pasur lojtarë të rinj është gjithmonë e hapur dhe po ashtu, mekanizmat se si mund të rritet konkurrenca janë të rregulluara. Pra, ka dy anë të medaljes, duke e parë nga ky këndvështrim.
AKEP ka filluar konsultime për dhënien e frekuencave të para, ku pritet të zhvillohet teknologjia 5G. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë proces dhe kur mendoni se përdoruesit shqiptarë mund të fillojnë të përdorin rrjetet e para 5G?
Ky ishte proces i shumëpritur dhe ka filluar që vitin e kaluar me shprehjen e interesit për përdorimin e frekuencave 5G. Dhe ne jemi vërtet të kënaqur që procesi ka nisur zyrtarisht dhe publikisht.
Shpejtësia dhe ritmi i procesit tani është në dorën e rregullatorit dhe gjithashtu të ministrisë dhe të qeverisë. Ekzistojnë disa kufizime kohore se si hapa të caktuar në proces duhet të ndërmerren.
Nëse flasim me pritshmëri, mendoj se deri në verë, deri në mesin e këtij viti, po flasim deri në qershor, korrik, ky proces mund të finalizohet dhe nëse procesi ecën sipas pritshmërive, pas kësaj është çështja e shpejtësisë së industrisë celulare, sa shpejt ata mund të vendosin dhe të implementojnë shërbimin 5G.
Por, në cilindo nga skenarët po flasim për këtë vit, nuk bëhet më fjalë më për një të ardhme të largët. Pra, ndoshta gjatë këtij viti, shqiptarët do të fillojnë të përdorin
rrjetet 5G, që është një arritje domethënëse në zhvillimin e industrisë celulare dhe gjithashtu rreth transformimit të mënyrës se si industria funksionon, sepse 5G është një teknologji e re, është pak a shumë transformuese dhe do të ndryshojë shumë, le të themi organizimin, investimet kur bëhet fjalë për industrinë celulare.
Por, nga ana tjetër, do të ofrojë përmirësim domethënës në përvojën e klientit, cilësinë e shërbimit dhe të tjera veçori dhe funksionalitete do vijnë në një fazë të mëvonshme të zhvillimit.
Ne jemi shumë pozitivë për procesin, kemi marrë pjesë në konsultimin publik, pra ne do ta ndjekim dhe do të japim më të mirën për të bërë pjesën tonë.
Çfarë do të sjellë 5G dhe koncepti i Internetit të Gjërave në rolin e kompanive të telekomunikacioneve dhe në shërbimet që këto kompani i ofrojnë shoqërisë?
5G është një fjalë kryesore prej një kohe të gjatë, por tashmë është maturuar disi si koncept dhe me disa tregje, sidomos SHBA dhe madje edhe në tregjet aziatike ka arritur një nivel të rëndësishëm depërtimi dhe ka disa elemente që 5G mund të sjellë për klientët.
Një nga elementet e dukshme për të gjithë është padyshim kapaciteti i lartë i rrjeteve. Kemi rrjete me shpejtësi aksesi në rendin e gigabitëve, pra, me një gjerësi të madhe brezi, sasi të mëdha të të dhënave, të cilat pajisjet tuaja mund të konsumojnë. Por kjo është njëra anë e medaljes.
Ana tjetër varet nga disponueshmëria e pajisjeve. Është shumë e rëndësishme të dini se jo të gjithë telefonat inteligjentë sot mund të përdorin 5G.
Pra, varet se sa shpejt do të aktivizohen telefonat e rinj 5G, më tej edhe se sa shpejt do të adoptohet teknologjia e re.
Përveç shpejtësisë dhe kapacitetit, ka përfitime të tjera nga përdorimi i kësaj teknologjie.
Latenca, vonesat, do të reduktohet në nivelin e milisekondës që do të nënkuptojë veçanërisht për lojërat fillimisht, por gjithashtu aplikacionet që mundësojnë kontroll pothuajse në kohë reale.
Mund të ketë kontrolle të pavarura të makinave, etj.
Pra, duhet të jemi gati për të ofruar atë cilësi shërbimi që mundëson vërtet vonesë shumë të ulët.
Dhe ju përmendët IoT, Interneti i Gjërave. Është gjithashtu e pritshme që rrjeti 5G do t’u mundësojë operatorëve të kenë miliona klientë të lidhur në rrjete. Dhe kur them klientët, nuk janë vetëm personat dhe njerëzit siç i konsiderojmë sot, kur Shqipëria ka dy apo tre milionë, në varësi të sezonit.
Po flasim rreth ndoshta dhjetëra milionë pajisje të lidhura. Mund të jenë të gjitha llojet e pajisjeve inteligjente, sensorë të cilët mundësojnë lidhje me rrjetet 5G dhe kjo do të ndryshojë dinamikat
Por, siç thashë, ky është një udhëtim zhvillimi që do të ndjekë disa faza, ndoshta nga faza e parë me kapacitet të lartë rrjeti dhe pastaj do të vijojë me faza të tjera dhe natyrisht në varësi nga kërkesat e tregut, sepse rrjeti nuk mund të ndërtohet
në një mënyrë që nuk kërkohet nga tregu, do të ndjekë nevojën dhe kërkesat e tregut. Për të përmbledhur, në përgjithësi, ne besojmë se 5G do të jetë një nxitës i madh për ekonominë.
Do të jetë nxitje e madhe për industrinë, nxitje e madhe për inovacionin, për ekosistemin e start up-eve, nëse duan ta përdorin për të zhvilluar shërbimet e reja, të cilat bazohen në teknologjinë 5G. Do të krijojë numër të rëndësishëm të mundësive të reja në të gjithë tregun, në mënyrë direkte dhe indirekte.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.