Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Zj. Elisa Spiropali së bashku me delegacionin nga dogana shqiptare, zhvilloi një takim bilateral me Drejtoren e Përgjithshme të Doganave Greke Zj. Eirini Yialouri e shoqëruar nga delegacioni përkatës. Në këtë takim u diskutua në nivel teknik mes dy stafeve për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, thjeshtimin e procedurave, përmirësimin e infrastrukturës në të dy anët e kufirit, si dhe luftën e përbashkët kundër krimit doganor dhe evazionit përmes shkëmbimit elektronik të informacionit.
Në fjalën e saj Zj. Spiropali vlerësoi bashkëpunimin korrekt dhe të frytshëm të deritanishëm mes dy administratave, ndërsa shtoi që duhet vazhdohet me ndërtimin e raporte të reja edhe në nivel personal, për të patur një vizion të përbashkët për të ardhmen. Drejtorja e Përgjithshme e Doganave informoi palën greke për zhvillimet e reja në legjislacionin shqiptar si në thjeshtimin e procedurave apo konceptin e operatorit ekonomik. Znj. Spiropali duke e konsideruar si prioritar, propozoi rishikimin e marrëveshjes bilaterale të deritanishme me shtetin fqinj, në mënyrë që t’i përshtatet sa më mirë marrëdhënies ekzistuese mes dy administratave. “Lufta kundër evazionit fiskal është prioritet për Administratën Doganore Shqiptare ashtu siç jam e bindur që për administratën tuaj kjo çështje është parësore”, u shpreh Zj. Spiropali. “Për këtë arsye kërkoi që të ngrihet një grup pune mes dy administratave për të rritur efikasitetin dhe fleksibilitetin në drejtim të shkëmbimit të informacionit inteligjent.”
Ndërsa Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Greke Zj. Yialouri u shpreh: “Mes dy administratave ekziston një bashkëpunim shumë i mirë ndër vite, ndërkohë që shpresoj që ky takim që po zhvillohet t’i shërbejë zhvillimit ekonomik të rajonit, lehtësimit të procedurave doganore në ndihmë të biznesit dhe rritjes së sigurisë në luftën kundër trafiqeve.”
Në fokus të veçantë gjatë takimin ishin Degët Doganore të dy administratave. Kryetarët e Degëve Doganore në kufirin Shqipëri-Greqi, të të dyja palëve, pasi vlerësuan profesionalizmin dhe marrëdhënien e mirë të krijuar mes tyre si në nivel institucional ashtu edhe në nivel personal, diskutuan për zgjidhjen e menjëhershme të problemeve teknike dhe administrative të hasura herë pas herë. Nga të dyja palët pati një angazhim të menjëhershëm për ofrimin e bashkëpunimit për zgjidhjen e menjëhershme të çdo lloj shqetësimi qytetar. Lehtësimi i procedurave dhe shërbimi profesional ndaj qytetarëve dhe bizneseve ishin kryefjala e diskutimeve gjatë takimit të zhvilluar.
Njëkohësisht, dy delegacionet prezantuan edhe projektet për zhvillimin e infrastrukturës doganore nga të dyja anët e kufirit. Drejtorja e Përgjithshme Doganave Shqiptare u shpreh: “Infrastruktura fizike është shumë e rëndësishme dhe i jep dinjitet shërbimit ndaj qytetarëve dhe punonjësve të doganave”. Në planin afatmesëm u diskutua konkretisht për mundësinë e zhvillimit të infrastrukturës në pikat doganore të Kapshticës, Kakavijës dhe Tre Urat.
Të dyja palët ranë dakord për nënshkrimin e një dokumenti të ri bashkëpunimi për shkëmbimin e informacionit dhe më gjerë, i cili do të shërbejë për rritjen e luftës ndaj trafiqeve të paligjshme dhe lehtësimin e procedurave për biznesin e ndershëm. Zj. Spiropali e ftoi Zj. Yialouri për një vizitë në Shqipëri, ndërkohë që i propozoi edhe zhvillimin e një takimi me biznesin grek në vendin tonë.