Që kur Kosova u bë shtet më vete 9 vjet më parë, shqiptarët dhe qeveritë e dy anëve të kufirit kanë dështuar për të krijuar marrëdhënie normale tregtare. Në të gjithë historinë e saj të tregtisë së lirë me jashtë, Shqipëria nuk njeh aq konflikte sa me Kosovën. Gjithashtu, edhe Kosova nuk njeh pengesa në tregtinë me jashtë sa me Shqipërinë. Rezultati final ka qenë në dëm të krijimit të një tregu të përbashkët, prej të cilit do të vinin të mirat ekonomike për të dy anët e të njëjtit komb. Qeveritë e dy shteteve kanë firmosur mbi 50 marrëveshje bashkëpunimi në letër, por në vend të lehtësimit, konfliktet po thellohen për ditë.
Për Shqipërinë, partnerët tregtarë janë vendet e BE-së që zënë 61,8% të së gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 36,2%, Turqia me 7,9%, Kina me 7,8% dhe Greqia 6,2%.
Edhe për Kosovën, partnerë kryesorë tregtarë janë vendet e BE-së, me të cilat realizohet 13.7% e eksportit dhe 43.1% e importit.
Për vitin 2015, Kosova realizoi përqindjen më të madhe të importit nga Serbia me 13.8%, Gjermania 12.1%, Turqia 9.3%, Italia 9.1%, Kina 8.2%, Shqipëria 6.6%, Maqedonia 5.4% etj.
Shifrat tregojnë qartë se, pavarësisht se pjesë të të njëjtit komb, tregtia ndërmjet vendeve mbetet modeste dhe shembujt tregojnë se, konkurrenca për tregjet ndërmjet vendeve ka penguar zgjerimin e tregtisë.
Marrëdhëniet me konflikte kulmuan në vitin 2013, kur u përfshinë edhe autoritetet shtetërore të dy vendeve. Për herë të parë që nga viti 1999, marrëdhëniet tregtare shënuan rënie në vitin 2013, për shkak se, bllokimi i qumështit shqiptar në tregjet në Kosovë u pasua me bllokimin nga pala shqiptare të importit të mishit dhe të miellit nga Kosova. Më tej, konflikti vijoi nga pala kosovare me bllokimin e materialeve të ndërtimit. Gjatë verës së vitit 2013, qeveria kosovare zhvendosi pikat e zhdoganimit të mallrave, duke krijuar probleme për eksportuesit shqiptarë.
Sipas një studimi për tregtinë e jashtme, Kosova ka barrierat më të larta tregtare me Shqipërinë, pasi duhet të plotësohen 8 dokumente, ndërsa me vendet e tjera nuk janë më shumë se 6 a 7 të tilla.
Në vitin 2013, eksportet e qumështit dhe bulmetit nga Shqipëria në Kosovë ranë me 62%, pa rikuperim të mëtejshëm në vijim. Në përgjigje të bllokimit të miellit nga Shqipëria, Kosova nxori nga tregu dy linjat shqiptare të qumështit në mars të vitit 2013, Primalat dhe Fast, me pretendimin për nivelin e lartë të Aflatoksinës. Kompanitë shqiptare të qumështit, që u përfshinë në këtë konflikt, praktikisht kanë falimentuar. 23 tonë qumështi prodhim shqiptar u asgjësua. Rreth 6 mijë familje fermerësh dhe mbi 14 milionë euro investime u dëmtuan seriozisht. Po në këtë periudhë, Shqipëria e bllokoi sërish importin e miellit nga Kosova me pretendimin se dyshohej për Aflatoksinë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.