Pas rritjes së normës së taksave dhe tani me ashpërsimin e penaliteteve në procedurat tatimore që parashikojnë dënim me burg deri në 10 vite për 15 raste të ndryshme evazioni, Shqipëria bëhet i pari vend në rajon me masat më të ashpra ndaj bizneseve që shkelin legjislacionin tatimor. Ekspertët ligjorë shpjegojnë se, ndryshimet lënë vend për interpretim dhe abuzime. Bizneset: Këto masa do të kthehen në bumerang për ekonominë
Rritja e tatimfitimit dhe tatimit mbi dividentin me 50 për qind në dy vitet e fundit e ka bërë Shqipërinë më pak konkurruese në Ballkan në sytë e investitorëve të huaj, por dënimet e trefishta për një shkelje tatimore dhe dënimi me burg deri në 10 vjet për evazion që nis aplikimin këtë vit po i japin goditjen finale.
Nëse ndryshimet në Kodin Penal do të miratohen në Kuvend sipas variantit që ka propozuar qeveria nga 3-10 vjet burg për elemente të ndryshme të evazionit fiskal, Shqipëria do të renditet si vendi i parë në rajon me masat më të ashpra në procedurat tatimore.
Aktualisht, Serbia është vendi që ka më të ashpra penalitetet në procedurat tatimore, duke shpallur maksimumi deri në 7 vjet burg për evazionin fiskal. Por në Serbi, burgu aplikohet për evazion që i kalon vlerën e 3 milionë dinarëve, i cilidënohet me gjobë ose nga 6 muaj deri në 5 vjet burg.Versioni serb, edhe pse është më i ashpër në këtë drejtim ka lënë opsione lehtësimi, duke marrë në konsideratë edhe gjobën. Ndërsa asnjë vend tjetër në rajon nuk aplikon dënimin me burg në rast të moslëshimit të kuponit tatimor. Në Malin e Zi, penalitetet janë të fokusuara në gjoba, ku vlera më e lartë prej 11 mijë eurosh vihet në rast se, subjekti gjendet i paregjistruar në organet fiskale, ndërsa krahas dënimit me burg, ka si alternativë edhe gjobën. “Në Itali në asnjë rast nuk merret në konsideratë të burgoset për evazion një biznes, që ka 200 të punësuar, i jepet shumë rëndësi dhe aspekteve sociale”, pohojnë juristët.
Praktika shqiptare e penaliteteve tatimore vlerësohet të jetë më e ashpra,pasi për një shkelje parashikohen dënime të trefishta.
Nëse tatimpaguesi që shet me shumicë mallra konstatohet se shet pa faturë, ndaj tij zbatohen 3 penalitete njëherazi, për herën e parë të konstatimit: Gjobë të barabartë me 100% të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës.Gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë. Rivlerësim i të ardhurave për një periudhë 6-mujore. Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, tatimpaguesi procedohet për evazion tatimor dhe rrezikon të dënohet me 10 vite burg. Ky model nuk aplikohet në asnjë vend të rajonit dhe nuk merr në konsideratë proporcionalitëtin në vënien e gjobës.
Biznesi: Ky mund të jetë një bumerang
I ashpër ka qenë edhe reagimi i biznesit, për më tepër kur për hartimin e tyre nuk janë pyetur grupet e interesit. Një pjesë e tyre “kryqëzojnë gishtat” me shpresën që në Kuvend, mazhoranca të mos sigurojë dot shumicën e cilësuar (3/5), që në fakt është e nevojshme për të miratuar këto ndryshime, duke qenë se kemi të bëjmë me një Kod.
Për juristët, ashpërsimi i dënimeve, për shkak të dështimit të shtetit për të rregulluar situatën, është një mjet i padobishëm, aq më tepër kur shteti që në vitin 2008 ka pranuar si ndëshkim edhe masat alternative.
Ndërsa biznesi shkon edhe më tej duke thënë se rrezikohet që e gjithë kjo “reformë” të kthehet në bumerang, ku në fund do të jetë vetë arkitekti (shteti) ai që do të humbasë.
Për presidentin e Dhomës Amerikanë të Tregtisë, Mark Crowford ashpërsimi i masave ndëshkuese kundër informalitetit në Kodin Penal do të frenojnë ekonominë.
Ndërsa Stefan Pinguli, sipërmarrës i birrës “Stela”, është i bindur që në momentin që ashpërsohet lufta ndaj biznesit do të gjenden forma përfitimi nga të tjerët, ndërsa ai që do ta pësojë, do të jetë biznesi. Ai sjell shembullin e SHBA-së, ku sa herë që ka një ashpërsim të luftës kundër drogës, ka një rritje të çmimit të saj, në përfitim të disave.
“Jo vetëm që nuk jam dakord me këto masa, por ato do të sjellin efekt të kundërt të asaj që pritet”, thotë ai.
Nuk është e natyrshme që një grup njerëzish të futen në burg, kjo krijon elemente negative në ekonomi. “Nuk mund të ashpërsosh masat jashtë logjikës, duhen marrë masa paralajmëruese, parandaluese dhe pastaj vepruese”.
Edhe Pinguli, ashtu si shumë sipërmarrës, është tepër i pakënaqur që në qendër të goditjes së aksionit antiinformalitet është biznesi dhe jo administrata tatimore. “Populli dhe biznesi nuk është fajtor që administrata e ka edukuar gabim këto 20 vjet. Shteti ka në dorë administratën, jo popullin”, pohon ai, duke shtuar se duhet të jetë administrata ajo që duhet të kalojë nën një regjim të fortë, përndryshe do të jetë ajo e “fituara” e këtyre masave.
Ndërsa për ndërtuesin Hajredin Fratari, ky nuk është gjë tjetër veçse një mentalitet diktatorial. “Atë që Turqia e bëri për 10-15 vjet ne kërkojmë ta bëjmë brenda ditës. Qeveria duhet të merret me sistemin dhe jo t’i zgjidhë gjërat me burg. Biznesit nuk duhet t’i tregohet ‘kërbaçi’, sepse ai do të ndalojë investimet, për t’i ndërmarrë ato në një kohë më të mirë. Të mos harrojmë që pas dy vitesh janë zgjedhjet parlamentare dhe kjo klimë nuk është aspak e favorshme. Madje mund të them se një ashpërsim i tillë i Kodit Penal është i pakonceptueshëm, i denjë për një mentalitet diktatorial”.
Për Gjergji Liqejzën, biznesmen në aktivitetin e fasonit, ligji duhet të zbatohet i barabartë për të gjithë. “Mënyra sesi po ndërmerren këto masa nuk është e mirëstudiuar. Biznesi nuk duhet të penalizohet në këtë mënyrë. Është e vërtetë që Italia ka penalitete më të forta dhe më të ashpra, por ajo nuk i trajton bizneset me dashakeqësi. Në Shqipëri, biznesi paragjykohet, trajtohet apriori si evazor dhe kontrabandist. Nëse masat ashpërsohen dhe zmadhohen, të jeni të bindur se kjo do të përkthehet në shtim të rrezikut për afera korruptive nga administrata doganore apo tatimore. Në çdo rast duhet të pranojmë se ligji është mirë të zbatohet, por jo në mënyrë selektive”.
Donika Mici, administratore e fabrikës së këpucëve “Donniana”, thotë se “masat që po propozohen si ndryshime në Kodin Penal mund të vlerësohen si ekstreme dhe unë nuk mendoj se do të arrijnë rezultatet e kërkuara. Këto ndryshime duhen rishikuar ose të garantohet zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë. Unë nuk besoj se këto ndryshime do të mund të marrin miratimin e Kuvendit”.
Rënia e besimit paralajmëron tkurrjen e konsumit dhe investimeve
Në një tregues se aksioni anti-informalitet ka ndikuar negativisht në psikologjinë e njerëzve, indeksi i besimit të bizneseve dhe konsumatorëve shënoi rënie në tremujorin e tretë të vitit
me 2.7 pikë nga tremujori i kaluar. Ecuria e treguesit në tremujorin e tretë u ndikua negativisht nga rënia e besimit në sektorët e industrisë e të shërbimeve, si dhe nga rënia e besimit konsumator.
Nga ana tjetër, rritja e besimit në sektorët e ndërtimit dhe të tregtisë dha kontribut pozitiv në tremujorin e tretë, por të pamjaftueshëm për të kompensuar rënien e besimit në sektorët e tjerë.
Treguesi i Besimit të Konsumatorëve (TBK) u ul me 3.9 pikë përqindje në tremujorin e tretë të vitit 2015, duke u pozicionuar pranë mesatares së tij afatgjatë. Banka e Shqipërisë raportoi se kjo rënie pasqyroi përkeqësimin e të katër komponentëve përbërës të treguesit të agreguar, u diktua kryesisht nga përkeqësimi i pritjeve të konsumatorëve për situatën e përgjithshme ekonomike në vend (-8.4 pikë përqindjeje) dhe gjendjen e tyre financiare në tremujorin e ardhshëm (-3.8 pikë përqindje).
Bizneset raportuan pritshmëri të ulët për investime dhe konsumatorët për konsumin, çka do t’i jepte aksionit anti-informalitet një rezultat krejt tjetër nga ai që pret qeveria. Përsa kohë që biznesi (i trembur dhe i terrorizuar) nuk investon e hap vende pune dhe konsumatorët nuk shpenzojnë, ekonomia mund të hyjë në një cikël rënës, duke mos gjeneruar as të ardhura në buxhet dhe duke bërë realitet parashikimet e bizneseve për një efekt bumerang.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.