Shqipëria synon që deri në vitin 2030 të arrijë një kursim energjie prej 15.5% nga masat për eficencën e energjisë. Këto masa përfshijnë ndërhyrjen në ndërtesat publike, aplikimin e skemave lehtësuese për ndërhyrje në banesat private, masa në sektorin e transportit si dhe një sërë elementesh të tjera. Por të gjitha këto masa kanë pas tyre edhe një vlerë investimi. Referuar dokumenteve zyrtare, Shqipërisë do t’i duhen jo pak, por 228 milionë euro investime për të arritur objektivin e saj të kursimit prej 15.5%. “Për të arritur objektivin e eficencës së energjisë për një kursim të energjisë prej 6,8% në vitin 2020 dhe 15.5% në vitin 2030, është llogaritur përkatësisht një preventiv prej rreth 100 dhe 228 milionë euro investime, duke konsideruar një kosto mesatare të investimit për energji të kursyer prej 0,05 euro/kwh.
Pjesa më e madhe e investimeve të tilla do të jenë financim i drejtpërdrejtë, me mundësinë e ofrimit të garancive të huave, borxhe me interesa të ulëta, financim të diferencës të investimeve ose zvogëlimit të normave të interesit. Detyra kryesore e buxhetit të shtetit është të zhvillojë fushatë ndërgjegjësimi dhe projekte pilot për të promovuar EE-në në të gjithë sektorët ekonomikë”, thuhet në Strategjinë Kombëtare të Energjisë për Periudhën 2018-2030.
Angazhimi për eficencën e energjisë është jo rastësisht një ndër pikat që ka marrë një theks të veçantë, jo vetëm te pjesa e strategjisë, por ka të dedikuar një plan veprimi, i cili rishikohet çdo tre vjet. Kjo vjen si detyrim i angazhimeve të marra nga qeveria shqiptare për në kuadrin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, në ligjin për eficiencën e energjisë (nr. 124/2015) dhe në ligjin e ri për performancën e energjisë së ndërtesave.
Skenari i eficencës së energjisë supozon, gjithashtu, se Shqipëria do të zbatojë Planin e veprimit të dytë dhe të tretë dhe ky skenar përfshin 14 masa specifike të nevojshme për të rritur eficiencën e energjisë, si në anën e kërkesës, ashtu edhe në anën e furnizimit me burime energjetike. “Skenari për eficiencën e energjisë (EE) tregon se ekziston një potencial për të reduktuar importet e energjisë me 19%, konsumin final të energjisë me 28% dhe emetimet e GHG me 27% krahasuar me skenarin bazë”, – vlerësohet në strategji.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.