Skema aktuale e pensioneve nuk ofron më asgjë, ndërsa rrezikohet falimentimi për shkak të faturës së lartë. Ekspertët gjykojnë se shpëtimi i vetëm është derdhja e një pjese të kontributeve në privat
Të dhënat zyrtare tregojnë qartë se kontribuuesit e skemës së pensioneve nuk janë në nivelin e duhur, ndërsa përfituesit (pensionistët), përveçse shtohen në numër, nuk marrin atë që u takon.
Analizat e shumta dalin në përfundimin se raporti kontribuues-përfitues duhet të jetë 4 me 1, kur në fakt është 1 me 1, ose diçka më pak, duke detyruar qeverinë të derdhë çdo vit nga paratë e taksapaguesve dhjetëra miliardë lekë për të kompensuar humbjet.
Situata vijon të përkeqësohet, pavarësisht mekanizmave lehtësues (me taksat) nga qeveria, pasi kemi një brez të ri gjithnjë e më mosbesues ndaj skemës, kurse nga ana tjetër, në vitet e ardhshme numri i pensionistëve do të rritet edhe më shumë,
duke rrezikuar në njëfarë mënyre kolapsin financiar. Zërat për një rishikim të skemës janë shtuar shumë, sidomos nga organizmat e huaj, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Aktualisht, në vendin tonë, operon skema me dy kolona, ku e para është derdhja e kontributeve me detyrim 100 për qind në shtet, dhe kolona e dytë, kontributi vullnetar te skemat private, në mënyrë që të përfitosh më shumë kur del në pension.
Kolona e parë, e cila përdoret më shumë për shkak të detyrimit ligjor, nuk jep efektet e duhura financiare, pasi përfitimi është gati rreth 30 për qind, nga 75 për qind që duhet të ishte, kurse kolona e dytë, te privati po ecën me ritme jo të pritshme.
Ajo çfarë sugjerohet nga ekspertët është vendosja e një kolone të tretë, ose një e mesme, ku një pjesë e kontributit që derdhet me detyrim në shtet të kalojë te privati, po me detyrim. Për këtë arsye, ekipi i Bankës Botërore,
që vizitoi Tiranën tri javë më parë po shikon mundësinë e gjetjes së alternativës më të mirë. Sakaq, shumë shtete të Europës dhe rajonit po shkojnë drejt skemave private, pasi shteti është i pafuqishëm të japë atë përfitim në raport me kontributin e dhënë.
Në Shqipëri, skemat private të pensioneve janë pak të zhvilluara. Aktualisht Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka dhënë tri licenca për shoqëritë e para të administrimit të fondeve të pensioneve vullnetare,
“Raiffeisen Invest – shoqëri administruese e fondeve të pensionit dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive” sh.a, shoqëria administruese e fondeve të pensionit “Sigal-Life Uniqa Group Austria”
sh.a dhe shoqëria administruese e fondeve të pensionit “SiCRED” sh.a Kompanitë private të pensioneve deri tani kanë pasur një ecuri minimale.
Të dhënat zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) bëjnë të ditur se, deri në fund të vitit 2011, regjistrohet një total të ardhurash nga kontributet prej 177 milionë lekësh, ku 44 për qind paguhet nga anëtarët,
ndërsa pjesa tjetër nga punëdhënësit. Vlera mesatare e kontributit mujor të derdhur në fondet e pensioneve private vullnetare gjatë këtij viti ka variuar nga 2,000 lekë deri në 13,600 lekë, në varësi të fondit.
Në vitin 2011, numri i anëtarëve aktivë, ose anëtarëve që kanë kryer të paktën një derdhje kontributi, është 5,275 nga 6,295 anëtarë gjithsej që janë të regjistruar deri më 31 dhjetor 2011 në këto fonde, kur në 2009-n ishin afro 4500 vetë.
Numri konsiderohet i vogël, për shkak edhe të mentalitetit dhe mungesës së informacionit, dhe në këtë pikë subjektet private gjykojnë se qeveria duhet të ndërhyjë me ligj, për ta bërë kontributin në këtë skemë si të detyruar.
Në vitin 2009, Ministria e Financave dhe AMF hartuan një ligj, duke parashikuar lehtësi për individët që zgjedhin skemën e pensionit privat, duke limituar taksat dhe disa favore të tjera, por sërish ecuria e numrit kontribuues nuk ka qenë e duhura.
Naim Hasa, ish-drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore
Dy modelet e skemës dhe tri
alternativat e daljes nga kriza
Duke iu referuar përvojës së zhvillimit të këtij sistemi, dalin në pah dy tendenca, ose dy modele, të ndërtuar në mbështetje të kushteve konkrete të çdo vendi.
Modeli i parë dhe më i përgjithshmi, synon sistemin me tri skema ose (sipas përkufizimit të Bankës Botërore) me tri kolona. Kolona e parë, një sistem bazë shtetëror të detyrueshëm, i cili të mbulojë 35-40 për qind të pensionit;
kolona e dytë, sistem privat i detyruar, ku një pjesë e kontributit kalon në llogarinë individuale të çdo të siguruari, i cili të mbulojë 20-25 për qind të pensionit dhe kolona e tretë, sistemi vullnetar privat, i cili të mbulojë 10-15 për qind të pensionit.
Këtë model ndjekin vendet si Polonia, Bullgaria, Hungaria, Kroacia, Estonia, Rumania, Sllovakia, Kosova, Maqedonia etj.
Modeli i dytë është për një sistem dykolonësh, që përbëhet nga një skemë bazë shtetërore e konsoliduar, e cila të përballojë 55-60 për qind të pensionit dhe një skemë e sigurimit privat vullnetare të zhvilluar,
ku t’i krijohet mundësia nëpërmjet lehtësirave fiskale së gjithë popullsisë aktive të përfshihet në këtë skemë dhe të mbulojë 15-20 për qind të pensionit. Këtë sistem të miradministruar e gjejmë në Çeki,
Slloveni dhe jo të zhvilluar në Shqipëri.
Skema publike në një sistem pensionesh të përbërë ka dy misione: së pari, t’i garantojë brezit të pensionuar, i cili ka qenë pjesëmarrës vetëm në këtë skemë, një nivel të pranueshëm të ardhurash,
duke i mbuluar totalisht pensionet e tyre. Dhe së dyti, t’i ofrojë brezit që do të dalë në pension, pjesëmarrës edhe në skemat e tjera të pensionit, një nivel pensioni bazë që të garantojë në çdo rast minimumin jetik.
Zhvillimi i sistemit privat të pensioneve jep zgjidhje për mjaft probleme që janë krijuar në këtë stad të zhvillimit shoqëror.
Së pari, skema private u jep zgjidhje problemeve demografike. Dihet që plakja e popullsisë redukton fuqinë punëtore dhe si rezultat prodhimin e një vendi. Efekti në skemat PAYG është shumë i ndjeshëm, pasi baza e kontributeve zvogëlohet,
ndërsa në skemat private është më pak i përfillshëm. Kur një brez shumë i madh punëtorësh del në pension, në skemën PAYG efektet financiare do të përballohen nga brezi aktual i zvogëluar i të punësuarve, ndërsa në skemat private,
ai likuidon aktivet e tij financiare në mënyrë që të paguajë pensionin e tij.
Së dyti, skemat private ofrojnë stimuj më të fuqishëm në tregun e punës. Shtrembërimet në tregun e punës minimizohen kur kontribuuesit arrijnë të dallojnë një lidhje të qartë ndërmjet kontributeve aktuale dhe përfitimeve të ardhshme.
Në skemat e solidaritetit mungon ky interesim, pasi shihet një shkallë rishpërndarje e lartë, ndërsa skemat private mund t’i kenë këto karakteristika.
Së treti, duhet pranuar, sistemi privat afron përfitime më të larta se sistemi shtetëror, që për kohën e sigurimit dhe masën e kontributit shkon disa herë më shumë.
Në këtë kontekst, nga dy modelet që aplikohen sot në botë mendoj se më i përshtatshëm, për kushtet e vendit tonë, me një popullsi të re do të ishte modeli i parë, pra vendosja edhe e sistemit të detyruar privat,
ku për momentin një pjesë e kontributit të punëmarrësit 3-5 për qind mund të kalojë në administrim në këto skema.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare jep tri licencat e para për 6200 anëtarë
Pensionet private, me skemë dhe ligj të ri
Duke parë raportin e kontributeve te fondi, duket që kemi rritje, por në total numri konsiderohet i vogël në raport me potencialin.
Si mendoni, çfarë e pengon tregun të zgjerohet më tej? A është e nevojshme të bëhen ndryshime?
Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 10197, datë 10.12.2009 “Për fondet e pensionit vullnetar” është ndërmarrë një nismë e rëndësishme për përmirësimin e sistemit ekzistues të pensioneve vullnetare në Shqipëri.
Zhvillimet në këtë treg, që nga hyrja në fuqi e ligjit, kanë pasur dinamikë tepër pozitive, ku jo vetëm është reformuar skema sipas direktivave të BE-së,
por gjatë vitit 2011 janë dhënë dhe tri licenca për shoqëritë e para të administrimit të fondeve të pensioneve vullnetare. Përkatësisht: “Raiffeisen Invest – shoqëri administruese e fondeve të pensionit dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive”
sh.a, shoqëria administruese e fondeve të pensionit “Sigal-Life Uniqa Group Austria” sh.a dhe shoqëria administruese e fondeve të pensionit “SiCRED” sh.a. Këto zhvillime pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në maturimin e këtij tregu,
duke rritur më tej besueshmërinë e publikut në investimin e fondeve në skemën e pensioneve private vullnetare. Kuadri ligjor në fushën e pensioneve private paraqitej i vjetruar me ligjin nr. 7943, datë 01.06.1995 “Për pensionet suplementare
dhe institutet private të pensioneve” (i shfuqizuar), i cili nuk përshtatej me standardet ndërkombëtare dhe direktivat europiane. Ligji i ri i krijon të gjitha hapësirat e nevojshme për lehtësimin në planin afatgjatë të kostove sociale,
duke stimuluar shtetasit të kursejnë privatisht dhe vullnetarisht për të shtuar pensionin e tyre. Një aspekt tjetër i rëndësishëm në punën e AMF-së pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10197, datë 10.12.2009
“Për fondet e pensionit vullnetar”, ka qenë plotësimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor. Skema e re e organizimit dhe funksionimit të pensioneve private vullnetare,
e sanksionuar në ligjin e ri, përbën një risi për tregun financiar shqiptar. Përmirësimi është një proces i vazhdueshëm dhe dinamik, sikurse është dhe legjislacioni i BE-së,
i cili ka qenë dhe referenca kryesore e punës së AMF-së në hartimin e këtij ligji, krahas nevojave të tregut për reformim. E rëndësishme në këtë periudhë është nxitja e pjesëmarrjes së publikut në këto skema, të cilat janë risi për tregun shqiptar.
Duhet thënë se për pensionet vullnetare flitet shumë pak, nuk reklamohet, cilat janë shoqëritë, avantazhet, etj. Ndoshta kjo lloj sjellje e shoqërive nuk ka dhënë rezultatin e duhur?
Ligji është relativisht i ri dhe vendos kërkesa të forta për funksionimin e shoqërive administruese, në përputhje me direktivat e BE-së. Për këtë arsye, 2011-a ka qenë kryesisht vit i transformimit dhe kërkesave për licencim.
Në periudhat në vijim, besojmë që do të forcohet dhe reklama e operatorëve të rinj në treg, pasi ende nuk ka kaluar një vit nga marrja e licencave. Pavarësisht kësaj, AMF ka qenë tepër aktive në median e shkruar dhe atë vizive,
duke dhënë vazhdimisht të rejat dhe zhvillimet në këtë segment të tregut financiar jobankar. Po kështu në faqen zyrtare të AMF-së ka informacion të vazhdueshëm në lidhje me ecurinë e këtij tregu, operatorët, zhvillimet e fundit, etj.
Cili është komenti juaj për skemën aktuale të detyrueshme të pensioneve?
AMF ka qenë pjesë e debatit për skemën e pensioneve dhe ka ndjekur me interes zhvillimet në këtë drejtim. Pa dyshim, që një reformë e mundshme do të ishte me përfitime për të gjitha palët e interesit,
nën orientimet dhe të partnerëve strategjikë si Banka Botërore etj.
Majlinda Gjata, Administratore e Përgjithshme e “Raiffeisen Invest”
Duhet stimuluar individi, fitohet më tepër
Si paraqitet ecuria e pensioneve vullnetare për shoqërinë tuaj?
Shoqëria jonë ka pasur rritje si në numrin e klientëve ashtu edhe në volumin e aseteve.
Numri i klientëve në vitin 2011 është rritur 26 për qind krahasuar me vitin 2010. Volumi i aseteve në menaxhim në vitin 2011 është rritur 13 për qind në krahasim me vitin 2010.
Ne kemi arritur t’u sigurojmë klientëve tanë një kthim nga investimi në masën 8,1 për qind neto, pra pasi është zbritur më parë komisioni i administrimit. Kjo është norma më e lartë e kthimit nga kompanitë private të pensionit në treg.
Gjithashtu ne konsiderojmë që një arritje për vitin 2011 është edhe fakti i rritjes së numrit të klientëve, të cilët kontribuojnë rregullisht në fond dhe si rrjedhojë, shumat e akumuluara në llogarinë e tyre personale,
dëshmojnë për mundësinë e përfitimit të një pensioni privat të kënaqshëm.
Të gjithë klientët, të cilët janë anëtarë të Fondit Vullnetar të Pensioneve “Raiffeisen”, mund të hyjnë në faqen e internetit dhe të shikojnë të publikuar online çmimin e kuotës për çdo ditë.
Ata mund të hynë në llogarinë personale pranë “Raiffeisen Pensions” dhe të shikojnë të gjitha lëvizjet në llogarinë e tyre.
Cilat janë kategoritë e personave që besojnë në këto skema?
Klientët të cilët janë anëtarë të fondit janë shumë të ndryshëm, si nga shpërndarja gjeografike, mosha mesatare dhe profesioni.
Të gjithë personat të cilët kanë të ardhura të kënaqshme sot dhe mund të kursejnë në një skemë pensioni për ditën kur të ardhurat e tyre mund të bien në nivele të ulëta të atilla sa mund të cenojnë nivelin e tyre të jetesës,
janë dhe duhet të jenë personat që duhet të marrin pjesë në një skemë private pensioni.
Sidomos ne inkurajojmë shumë moshat e reja, pasi me kursime fare minimale sot, ata do të mund të sigurojnë një pension shtesë privat të kënaqshëm, pikërisht për shkak të kohës të gjatë të pjesëmarrjes në skemën e pensionit.
Duke parë të dhënat (për të gjithë) në tërësi, a mund të themi se trendi nuk është në nivelin e pritshëm?
Nuk duhet të harrojmë se 2011-a ishte vetëm viti i parë i implementimit të ligjit të ri të pensioneve, i cili është në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Sigurisht që trendi i rritjes së skemës nuk është në nivelet e pritshme, por interesi i kompanive për të financuar planin e pensionit për punonjësit e tyre dhe interesi i individëve është në rritje të vazhdueshme.
Kontributi i bërë nga kompanitë për punonjësit e tij është shpenzim i zbritshëm nga taksat, por edhe kontributi i bërë nga individi i njihet atij brenda disa limiteve të përcaktuara, si shpenzim i zbritshëm.
Çfarë e pengon tregun të zhvillohet dhe si mund të përmirësohet skema?
Skemat e pensioneve sipas përkufizimeve të Bankës Botërore klasifikohen në tri kolona:
• Kolona e parë: Menaxhim publik, (pay as you go,/DB)
• Kolona e dytë: Menaxhim privat, kontribut i detyrueshëm, (DC&DB)
• Kolona e tretë: Kontribut vullnetar, menaxhim privat (DC)
Sistemi i pensioneve në Shqipëri përbëhet vetëm nga kolona e parë dhe kolona e tretë. Kolona e dytë ende nuk është miratuar në vendin tonë. Miratimi i kolonës së dytë do t’i jepte zhvillim të mëtejshëm skemës së pensioneve në Shqipëri.
Gjithashtu, pjesëmarrja në skemat private të pensionit, në shtete të ndryshme të botës, por edhe në rajon, incentivohet nga shteti.
Edhe në vendin tonë, shteti është munduar ta incentivojë individin dhe kompaninë, duke e njohur kontributin e pensionit privat vullnetar si shpenzim të zbritshëm.
Një faktor tjetër, i cili do t’i jepte impakt pozitiv zhvillimit të mëtejshëm të tregut të pensioneve private, do ishte funksionimi i bursës. Në këtë mënyrë, ne do kishim mundësi të zgjeronim dhe diversifikonim llojet e investimeve në monedhën vendase, lek.
Nuk duhet harruar që skemat e menaxhimit privat të fondeve të pensionit janë një mënyrë e re e menaxhimit të kursimeve në vendin tonë, si rrjedhojë edhe njohuritë e individëve në këtë fushë janë të kufizuara.
Në takimet që zhvillojmë me punonjës të kompanive të ndryshme, synimi ynë është edhe rritja e nivelit të njohurive në treg për këto produkte të reja në vendin tonë, por që ekzistojnë prej shumë vitesh në vendet perëndimore.
Përgatiti: A.S
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.