Austria rifut në fuqi vendimin për përdorimin e maskave në supermarkete, bankat e zyrat postare, për shkak të një rritje të infektimeve të Covid në javët e fundit.
Austria hyri në izolim në fillim të shpërthimit të pandemisë në mes të marsit dhe filloi të heqë kufizimet e saj një muaj më vonë, ndërsa rrëzoi kërkesën për përdorimin e maskave në dyqane e shkolla më 15 qershor.
Maskat për fytyrën vazhdojnë të kërkohen në transportin publik, farmacitë e sallonet e bukurisë.
Ndërsa numri i infeksioneve ditore ka qënë rregullisht nën 50 raste në maj dhe qershor, ai është rritur në tre javët e fundit, duke shënuar mbi 100 raste çdo ditë.
“Ka fusha të jetës së përditshme ku nuk mund të zgjedhim të shkojmë apo jo, supermarketi, bankat, zyra postare,” tha kancelari Kurz.
“Prandaj ne kemi vendosur që do t’i bëjmë përsëri maskat e detyrueshme në supermarkete, në banka, dhe në zyra postare”.
Kohët e fundit janë shfaqur vatra brenda dhe afër Vjenës, si dhe në provincën e Austrisë së Epërme, e cila kufizohet me Gjermaninë dhe Republikën Çeke. Disa nga këto vatra janë të lidhura me kishat. Gjithashtu Austria ka raportuar një rritje të rasteve të importuara nga Ballkani, vende për të cilat ka vendosur kufizime të udhëtimit.
Kurz tha se do të ashpërsohet kërkesa për testime për çdo person që futet nga Ballkani, si dhe do të vihen kufizime për madhësinë e shërbesave fetare deri në mbylljen e kishave nëse rezulton një rast pozitiv./Reuters