Intervistë me Artan Gjergji, ish-Drejtor i Bursës ALSE dhe ekspert i tregjeve të kapitalit në Credins Bank
Shtrëngimi monetar dhe rritja e normave të interesit mund të jenë shtysë që bizneset të kërkojnë alternativa financimi më të leverdishme.
Artan Gjergji, ish-Drejtor i Bursës ALSE dhe ekspert për tregjet e kapitalit në Credins Bnk, thotë se cikli i ri i normave të interesit mund t’i nxisë bizneset që të eksplorojnë më shumë instrumentet e borxhit korporativ, me qëllim uljen e kostos së borxhit dhe rritjen e eficiencës.
Sipas tij, rritja e tregut dhe emetimi i këtyre instrumenteve me ofertë publike do të zgjeronte alternativat e investimit për qytetarët shqiptarë.
Në ç’mënyrë do t’i ndikojë normalizimit monetar dhe rritja e normave të interesit alternativat e investimit në tregun financiar vendas? Cilat produkte mund të bëhen më atraktive nga ky proces?
Politika monetare shtrënguese, ose siç njihet ndryshe edhe nëpërmjet instrumentit kryesor të saj “rritja e normave të interesit” do të ketë ndikim të dukshëm në ekonominë e vendit, kryesisht për shkak të kthesës së trajektores dhe kthimit të rritjes së tyre pas më shumë se një dekade.
Ndikimet që sjell kjo politikë kanë efektet e saj pozitive (parë në këndvështrimin e qytetarit të thjeshtë), duke filluar që te rritja e normave të interesit të depozitave, apo rritja e normave të titujve të borxhit të qeverisë, ku qytetarët alokojnë një pjesë të konsiderueshme të kursimeve të tyre.
Rritja e normave të interesit nga banka qendrore ka ndikim pozitiv në lidhje me presionin që bën mbi inflacionin, duke e ulur drejt niveleve më të pranueshme në treg nga agjentët ekonomikë.
Megjithatë, shtrëngimi i politikës monetare në thelb rrit koston e parasë, ose thënë ndryshe çmimin me të cilin operatorët ekonomikë i japin hua njëri-tjetrit.
Ndikimi është më i prekshëm te normat e kredive që marrin operatorët ekonomikë, duke frenuar apo sadopak, duke stepur nivelin e kredive të reja, apo duke bërë më të kushtueshme kreditë e mëparshme të agjentëve ekonomikë. Gjithashtu, për shkak të mungesës së alternativave të investimit, pjesa më e madhe të Aktiveve nën Administrim (AUM) që kanë fondet e investimit dhe/apo fondet e pensionit në vend janë shumë të ekspozuara ndaj investimit në titujt e borxhit.
Në këtë situatë, rritja e normave të interesit ul vlerën e obligacioneve e për rrjedhojë, indirekt redukton vlerën e aktiveve në këto fonde.
Megjithatë, duhet thënë që kjo situatë është e përkohshme dhe afatshkurtër, sepse fondet e investimit/pensionit, në një periudhë relativisht të shkurtër, mund të nxjerrin nga portofoli titujt me emetim të hershëm dhe t’i zëvendësojnë me emetime të reja, duke amortizuar në afatmesëm rrezikun që vjen nga rritja e normave të interesit.
Një nga risitë e pakta në tregun financiar në dekadën e fundit kanë qenë obligacionet me ofertë private, të emetuara kryesisht nga bankat dhe institucionet e tjera financiare. Si mund të ndikojë rritja e normave të interesit në këtë segment të tregut? A mund të sjellë frenim?
Obligacionet e korporatave janë thjesht një instrument ndryshe nga kredia që ndihmon biznesin të marrë hua nga tregu për financimin e aktivitetin e tij.
Për rrjedhojë, ndikimi i rritjes së kostos së parasë (kapitalit është i njëllojtë). Normat e interesit të emetimit të obligacioneve të korporatave do të rriten, duke shtuar kostot e huamarrjes për biznesin, por duke paraqitur një alternativë pak më të mirë për qytetarët që investojnë kursimet e tyre.
Kur krahason kredinë si instrument financimi për biznesin dhe emetimin e obligacioneve, dihet që obligacioni është një produkt më pak i kushtueshëm, pasi investohet direkt nga qytetarët. Parë në këtë këndvështrim duhet që biznesi ta marrë në konsideratë emetimin e një obligacioni korporate më pak të kushtueshëm se sa një kredi nga banka.
Bizneset duhet të marrin në konsideratë emetimin nëpërmjet një oferte publike dhe listimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE si një formë mjaft efektive dhe më pak të kushtueshme me obligacionet me ofertë private, apo kredia bankare.
Deri tani, përpjekjet për një treg funksional kapitalesh të sektorit privat kanë dështuar. Besoni se rritja e normave të interesit mund të ndikojë në rritjen apo uljen e shanseve për të pasur një bursë funksionale?
Në doktrinën ekonomike që u përket tregjeve financiare, tregu monetar dhe tregu i kapitaleve funksionojnë si enë komunikuese, ndërsa norma e interesit (instrument i politikës monetare) shërben si çelësi që ndryshon kahun e rrjedhjes së fondeve të lira.
Me fjale më të thjeshta, rritja e normave të interesit tërheq likuiditetin nga qarkullimi (për rrjedhojë edhe nga investimi në Bursë) drejt një hapësire më komode e të sigurt siç janë depozitat bankare apo tregu monetar. E kundërta ndodh kur ulen normat e interesit, paraja del nga bankat dhe mjediset e qeta në drejtim të ekonomisë reale dhe tregut të kapitaleve. Por, kjo ndodh në tregje të zhvilluara dhe eficiente.
Ne në Shqipëri kemi pasur treg financiar të zhvilluar asimetrikisht (vetëm tregu monetar dhe sektori bankar) ndërkohë që tregu kapital është ende në një fazë modeste zhvillimi, edhe pse me mjaft potencial të panjohur ende nga biznesi dhe agjentët ekonomikë e financiarë.
Siç e thashë edhe më lart, rritja e normave të interesit rrit njëherazi koston e parasë, duke rritur koston e huamarrjes së biznesit.
Për rrjedhojë, logjika sugjeron që biznesi duhet të jetë i kujdesshëm dhe të veprojë me zgjuarsi, duke zgjedhur atë alternativë financimi që kushton më pak për të (norma më të ulëta huamarrjeje, afat më i shtrirë në kohë e pagesës së principalit, etj.). Dhe kjo alternativë është financimi nëpërmjet Ofertës Publike dhe listimi në bursë.
Hedhja e këtij hapi nga biznesi vendas do të çlironte energji të mëdha pozitive për të gjithë ekosistemin financiar dhe ekonominë e vendit, pasi jo vetëm bizneset do të përfitonin, por edhe qytetarët do të kishin më shumë alternativa për të investuar, si dhe fondet e pensioneve e investimeve me shumë instrumente për të diversifikuar portofolat e tyre, apo tregu financiar do kishte më shumë likuiditet.
A do jetë biznesi shqiptar aq largpamës dhe eficient në përzgjedhjen e mjeteve të financimit? Historia e deritanishme ekonomike ka treguar që jo, megjithatë kjo do të mbetet për t’u parë.
Duke pasur parasysh stadin e zhvillimit dhe ciklin e ekonomisë, cilat mund të jenë produktet e reja që do t’iu ofrohen investitorëve financiarë në të ardhmen e afërt?
Zhvillimi i teknologjisë dhe informacionit prej më shumë se 4 dekadash ka sjellë revolucion të jashtëzakonshëm në tregjet financiare dhe në ofrimin e shërbimeve financiare në mbarë botën. Megjithatë revolucioni që ka sjellë transformimi dixhital në shërbimet financiare është i jashtëzakonshëm, sidomos në dekadën e fundit.
Zhvillimi i teknologjisë së ofrimit të shërbimeve financiare (i njohur si FinTech) ka liberalizuar vrullshëm tregun, duke reduktuar ndjeshëm kostot e ndërmjetësimit dhe duke lehtësuar e duke rritur volumin e transaksioneve. Në vetëm pak vite, koncepte moderne si “mobile banking” apo “e-baking” ua kanë lënë vendin koncepteve më bashkëkohore si “open banking” apo “llogari virtuale”, apo “paraja elektronike”.
Megjithatë, pavarësisht se statusquo e tregut financiar shqiptar është në këtë nivel zhvillimi, duhet thënë se tregjet financiare ndërkombëtare janë të përfshira gjerë në 5 vitet e fundit në konceptin e dixhitalizimit, parasë dixhitale apo “erës së industrisë blockchain”, e cila edhe pse ende në hapat e parë të rregullimit, pritet të krijojë çrregullim të madh (disruption) në organizimin e tregut financiar tradicional.
Përdorimi i teknologjisë blockchain në shërbimet financiare dhe krijimi mbi këtë teknologji i mjeteve të pagesës apo vlerës (valutë), do të reduktojë nevojën për cash-in në ekonominë botërore, duke ulur në mënyrë drastike kostot dhe distancat e ndërmjetësimit. Gjithë ky revolucion nuk do të vijë pa kosto.
Bankat do të jenë bizneset më të prekura nga era e zhvillimit të industrisë blockchain, pasi mjaft shërbime s’do të kenë nevoje për ndërmjetësim në konceptin tradicional të fjalës.
Për rrjedhojë, sa më shpejt bankat klasike të kuptojnë fuqinë e erës dixhitale dhe industrisë blockchain, aq më shumë shanse do të kenë të mbijetojnë. Bankat e mëdha nëpër botë kanë filluar projektet e tyre të investimit në teknologjitë blockchain pasi janë të përfshira vrullshëm në procesin e dixhitalizimit.
Fatkeqësisht bankat tradicionale në rajon janë shumë pas këtij procesi. Kjo vjen sa për shkak të nivelit të zhvillimit të infrastrukturës bankare e financiare, aq edhe për shkak nivelit të edukimit modest të popullatës në lidhje me shërbimet financiare, nivelit të ulët të konkurrencës, si shkallës së ulët të penetrimit të shërbimeve financiare FinTech apo shërbimeve dixhitale. Megjithatë, nuk është kurrë vonë për të filluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.