Ndërtimi i strehëve të përkohshme nga pushteti vendor apo privatët për pritjen e flukseve të pastrehëve dhe refugjatëve në rast të fatkeqësive natyrore, krizave humanitare dhe situatave të tjera emergjente do të kryhet sipas kritereve të miratuara nga Ministria e Financave.
Në Fletoren Zyrtare u botua udhëzimi i Ministrisë të Financave që përcakton kushte të tjera që duhet të përdoren gjatë projektimit, ndërtimit, rinovimit, blerjes ose marrjes me qira të hapësirave për programin e strehëve të përkohshme. Pushteti vendor, por edhe privati që do të financojë ndërtimin e fjetoreve të përkohshme duhet të plotësojë kushtet për sigurimin e hapësirës minimale për banor. Sipas kritereve të reja të vendosura, hapësira minimale për person nuk mund të jetë më pak se 3,5 m2, duke përjashtuar hapësirën për shërbimet sanitare dhe të gatimit.
Sakaq në rastin e kampeve të strehimit apo të fjetoreve me numër të lartë banorësh, për çdo grup prej 15–60 banorësh, duhen të ofrohen hapësira dhe shërbime shtesë, si: për gatim, ngrënieje/mensa, për kujdes mjekësor apo psikologjik dhe për fëmijët.
Njësitë përgjegjëse, për ngritjen e kampeve të strehimit, gjithashtu duhet të zgjedhin zona që mundësojnë të paktën 30 m² sipërfaqe trualli për banor, si dhe drenazhim të lehtë dhe sipërfaqe toke të përshkueshme. Pjerrësia e rekomanduar është nga 1% deri në 5%.
Udhëzimi thekson se vendosja e strehëve të përkohshme bëhet në hapësira, që plotësojnë kushtet për hapësira private dhe higjene, mbrojtje ndaj zjarrit dhe evakuim të lehtë.
Strehët e projektuara, të ndërtuara ose të përshtatura për programin e strehëve të përkohshme, sipas ligjit “Për strehimin social”, mund të jenë struktura të posaçme, ndërtesa të përshtatura, si dhe ndërtime të përkohshme që mund të montohen, çmontohen dhe transportohen sipas nevojave. Tendat, shtëpizat e parafabrikuara, strehët e ndërtuara me materiale lokale etj. Janë, gjithashtu, disa nga format alternative të ndërtimit që mund të përdoren për të ofruar strehë të përkohshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.