Flet Stela Dhami, drejtore menaxhuese e Colliers International
Shqipëria për herë të parë po shikohet me interes nga investitorët, por përsëri përfaqëson një vend me profil risku politik dhe ekonomik…
E sapokthyer nga konferenca e “Adria Hotel and Forum”, që u zhvillua në Kroaci, Stela Dhami, drejtore menaxhuese e Colliers International në Shqipëri ka mbetur e habitur për interesin dhe njohuritë që kishin të huajt për bregdetin shqiptar, sidomos Sarandën. “Shqipëria për herë të parë po shikohet me interes nga investitorët, por përsëri përfaqëson një vend me profil risku politik dhe ekonomik. Interesante për të theksuar është se investitorët vlerësojnë shtete pro biznes dhe pro turizëm si Mali i Zi dhe jo shtete me administratë burokratike si Kroacia. Kjo qasje ngadalëson investimet pavarësisht bukurisë natyrore që mund të ketë vendi”, thotë ajo.
Sa potencial ka Shqipëria për zhvillimin e turizmit?
Shqipëria ka një potencial për të zhvilluar turizëm me një strategji të qartë e cila duhet të insistojë në ndërtimin e hoteleve sipas parametrave dhe standardeve ndërkombëtare, ndryshe markat ndërkombëtare nuk do të jenë të interesuara për të investuar apo për të menaxhuar këto asete. Infrastruktura gjithashtu është një term kyç për t’i sjellë investitorët sa më pranë. Është thelbësore ndërtimi i aeroporteve afër bregdetit sepse shumica e turistëve nuk udhëtojnë me makinë për një distancë të gjatë. Autoritetet vendore duhet të jenë në mbështetje të plotë të investitorëve të cilët bëhen taksapaguesit dhe punëdhënësit më të mëdhenj të këtyre zonave.
Disa në konferencë ishin të idesë që aeroportet nuk duhet të shihen si biznese private me qëllim maksimizimin e fitimit por duhet të shihen si mekanizma që duhen subvencionuar nga qeveria për të sjellë fluks turistësh. Kjo është edhe më e rëndësishme për operatorët low cost.
Çfarë duhet bërë për të nxitur sektorin?
E rëndësishme është edhe ngritja e kapaciteteve akademike të specializuara për sektorin e turizmit, sepse mungesa e stafit të kualifikuar mbetet një problem në të gjithë rajonin. Pra mbetet detyrë e qeverisë qendrore dhe vendore të krijojë strategji afatgjata të qëndrueshme dhe njëkohësisht përveç mbështetjes dhe incentivave për investitorët të marrë dhe rolin e monitoruesit, në mënyrë që stoku i strukturave hotelierë që do të ndërtohen të mos zhvlerësohet për një periudhë të shkurtër dhe investitorët të marrin kthimin e duhur në investim dhe ky sektor të mbetet kompetitiv në të ardhmen.
Sa mund të fitojë Shqipëria nga kriza e turizmit që po kalon Turqia?
Vende si Kroacia që kanë kapacitet hotelier patjetër që po përfitojnë. Operatorë turistikë të mëdhenj kërkojnë kapacitet të cilin shumë pak hotele me bregdet e ofrojnë. Interesante ishte që shumë nga hotelierët dhe operatorët kishin dëgjuar për Sarandën. Hera e parë që më ndodh në konferenca që ta dëgjoj.
Në raport me vendet e tjera të rajonit, çfarë avantazhesh dhe dizavantazhesh ka Shqipëria?
Hotelet tona ofrojnë kapacitet të vogël. Për të tërhequr markat, investitorët lokale duhet të ndërtojnë godina sipas standardeve ndërkombëtare të ndërtimit të hoteleve duke marrë edhe konsulentë si Colliers me praktika ndërkombëtare të konsoliduara në hoteleri e turizëm. Investitorët ndërkombëtarë do të vijnë të blejnë ose godina ekzistuese të ndërtuara që operojnë si hotele ose do të vijnë më vonë direkt me investimet e tyre pasi tregu të jetë maturuar.
Potenciale për investime mbetet edhe investitorët rajonalë të hotelerisë të cilët duan të diversifikojnë portofolin e tyre në shtetet përkatëse dhe të maksimizojnë fitimin.
Avantazhet e Shqipërisë janë një bregdet i bukur i pa zhvilluar më saktësisht pjesa e Rivierës Shqiptare nga Vlora në Sarandë. Po ashtu, mësimi edhe nga gabimet që kanë fqinjët dhe vetë me modelin e zhvillimit negativ të bregdetit të Durrësit. Turizmi elitar mbetet të zhvillohet në Rivierën Shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.