Largimi nga tregu i kompanisë më të madhe ajrore në vend, Belle Air, që prej më se 6 vjetësh dominoi hapësirën ajrore shqiptare ka “ndezur” konkurrencën ndërmjet linjave ekzistuese dhe atyre të reja.
“Monitor” detajon se si u nda tregu pas “ikjes” së Belle Air, cila e “rrëmbeu” tregun e saj dhe çfarë pritet për këtë vit
Nga Laura Çela
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mundur të mbyllë një bilanc pozitiv për vitin 2013, duke regjistruar rritje prej 5.5% në numrin e pasagjerëve që kanë udhëtuar përmes tij jashtë vendit.
Gjatë vitit të kaluar nga Rinasi fluturuan rreth 1.75 milionë pasagjerë, duke kthyer kështu sërish në një performancë të mirë aeroportin pas rënies në 2012-n. Gjithsesi ende nuk është arritur niveli më i lartë i shënuar në 2011-n, si pasojë e ndikimit negativ të krizës ekonomike në shpenzimet e konsumatorëve dhe për pasojë dhe në tregun e fluturimeve.
Shifrat e konfirmuara nga Tirana International Airport për “Monitor” tregojnë se megjithëse numri i pasagjerëve ka mundur të rikuperohet, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me numrin e fluturimeve, që kanë zbritur 3% kundrejt vitit të mëparshëm.
Shkaku për këtë është vetëm një: largimi nga tregu i kompanisë ajrore dominuese në vend, Belle Air.
Në fund të muajit nëntor (datë 24), Belle Air shpalli falimentimin dhe u largua nga tregu pas më shumë se 7 vite aktivitet dinamik, me dhjetëra destinacione dhe duke lënë kështu “të lirë” mbi gjysmën e tregut të fluturimeve në vend dhe duke ndezur fort konkurrencën ndërmjet kompanive të tjera ajrore.
Gara gjatë këtyre dy muajve të fundit ka qenë e ashpër ndërkohë që një numër i ri kompanish “u sulën” të uzurponin destinacionet e kompanisë shqiptare.
Si u nda tregu
Kompanitë që vërshuan në tregun vendas të fluturimeve ishin disa gjatë muajve nëntor-dhjetor. Blue Panorama, shoqëria italiane, nisi për herë të parë operimet në tregun vendas duke “marrë përsipër” të zëvendësonte të gjitha fluturimet e rezervuara nga pasagjerët tek kompania Belle Air.
Të tjera linja si Meridiana dhe Fly Albania, kjo e dyta kompania nga Kosova, nisën gjithashtu operimet, duke ofruar fluturime ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
Shifrat për ndarjen e tregut sipas kompanive për vitin 2013 ende nuk janë publikuar nga TIA (të dhënat do të publikohen ditën e hënë, datë 24 shkurt) por të dhënat nga agjencitë e udhëtimit vendase japin një detajim mbi ndarjen e tregut pas largimit të Belle Air.
Gëzim Hajdini, drejtues i një prej agjencive më të mëdha të udhëtimit në vend, Union Travel, thotë se konkurrenca ndërmjet kompanive ka qenë e ashpër, qoftë për ato ekzistuese në treg, qoftë për të rejat.
Alitalia është shoqëria që ka mundur të marrë numrin më të madh të rezervimeve pas ikjes së Belle Air, duke rritur me shpejtësi numrin e tyre gjatë dhjetor-janar. Pesha më e madhe e tregut vendas ajror për dhjetor-janar i përket pikërisht shoqërisë italiane.
Shoqëria operon edhe me Air One që ushtron aktivitet si operator më vete dhe që ofron çmime më konkurruese se vetë Alitalia. Kjo ka sjellë edhe një lloj konkurrence ndërmjet dy firmave me të njëjtin “pronar”, por ka rritur edhe numrin e fluturimeve dhe pasagjerëve për to.
Rritja ka ardhur edhe si pasojë e vendimit të shoqërisë për të njohur biletat e Belle Air, duke bërë transportin e udhëtarëve drejt Italisë. Kundrejt një pagese shtesë, udhëtarët mundën të shkojnë në destinacionet e tyre të mëparshme përfshirë dhe Brukselin dhe Londrën.
Alitalia dhe AirOne numërojnë rreth 114 fluturime direkte, duke i rritur ato me 128% kundrejt muajve të mëparshëm, kur tregun e kryesonte BelleAir.
Destinacionet kryesore që shërbehen nga kompanitë e mësipërme janë Milano, Roma, Venecia, Bolonja, Verona, Piza, Bari, Torino, Xhenova dhe Napoli. Pesha e kwsaj kompanie vlerwsohet tw ketw arritur nw 12-13% tw totalit nw fund tw 2013-s.
Një tjetër kompani shumë aktive ishte gjithashtu një “italiane”, Blue Panorama, që erdhi në kohë rekord në tregun ajror shqiptar për të mbuluar fluturimet e pasagjerëve të kompanisë ajrore shqiptare.
Vetëm shtatë javë nga fillimi i operimeve të fluturimeve nga Shqipëria, kompania Blue Panorama është optimiste për rezultatet e arritura në fazën fillestare të operimit, ku korrektesa në orar ka qenë mbi 90% dhe kapaciteti i pasagjerëve mesatarisht prej 82%.
Gjatë kësaj periudhe janë transportuar më shumë se 70,000 pasagjerë nga Tirana drejt 7 destinacioneve italiane: Milano, Malpensa, Bergamo Orio al Serio, Venecia, Verona, Bolonja, Piza dhe Roma Fiumicino. Në më shumë se një muaj aktivitet, pesha e kompanisë për vitin 2013 vlerësohet të ketë arritur në mbi 2%.
Kapaciteti i flotës dhe rrjeti i destinacioneve të vëna në dispozicion për pasagjerët nga kompania Blue Panorama është më i gjerë ndër kompanitë transportuese ajrore që operojnë midis dy shteteve.
Gjatë vitit 2014, kompania ka planifikuar të ndërmarrë një seri nismash marketingu e të zgjerimit të aktivitetit në territorin e Shqipërisë, me qëllim ofrimin e aksesimin e shërbimeve të saj. Blue Panorama është një kompani italiane me një përvojë të gjatë dhe që prej datë 2 shkurt ka mundur të marrë edhe një leje afatgjatë nga Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil për të operuar në hapësirën ajrore shqiptare.
Operatorët presin, që pas marrjes së kësaj licence, kjo kompani të zgjerohet edhe më shumë në tregun vendas, pasi ka ngritur një rrjet të mirëstrukturuar rezervimesh e fluturimesh, që i përshtatet deri diku hapësirave që mbulonte Belle Air. Gjatë 2014-s, Blu Panorama parashikohet të garantojë një peshë të mirë në tregun shqiptar ajror.
Pjesa tjetër e tregut të Belle Air, sipas të dhënave nga agjencia Union Travel, është ndarë nga kompania nga Kosova, Fly Albania, e cila mbulon destiancione në shtete të ndryshme të botës. Por megjithëse kjo shoqëri pritej të kishte ecuri më agresive në tregun vendas, ajo ka mbetur në nivele ende modeste, kundrejt konkurrenteve italiane.
Por mbrapa nuk ka mbetur as kompania greke Olympic Air, e cila shtuar frekuencën e fluturimeve, duke filluar nga 11 dhjetori. Kompania ka përfituar nga largimi i Belle Air, që kishte gjithashtu një numër të konsiderueshëm fluturimesh drejt Greqisë për të shtuar numrin e avionëve dhe për të përfituar pjesën e lënë bosh prej saj për tregun helen.
Ndërkohë, pesha e belle Air për gjithë vitin 2013 vlerësohet të ketë arritur në rreth 45%, nga rreth 52% që ishte për 9 mujorin.
Por çmimet nuk ndryshojnë
Falimentimi i kompanisë ajrore Belle Air, që hapi rrugë për futjen e operatorëve të rinj duket se pak është reflektuar në “xhepat” e konsumatorëve.
Që prej fundit të vitit që lamë pas, kompani të tilla si Blu Panorama, Meridiana, Fly Albania dhe Planet Airlines filluan të kryenin udhëtimet e tyre të para drejt qyteteve italiane.
Pritshmëria e të gjithëve ishte që të merrte fund monopoli disavjeçar i krijuar nga Belle Air dhe futja e disa kompanive të reja në treg ndikonte në uljen e çmimeve të udhëtimeve ajrore.
Por futja e kompanive të reja në treg nuk ka përmbushur ende pritshmëritë e udhëtarëve për të pasur çmime më ekonomike për biletat që blejnë.
“Me gjithë pritshmëritë apo nga ato që thuhen, çmimet kanë ngelur në të njëjtat nivele. Nga të gjitha rezervimet që ne bëjmë, vihet re se çmimi është thuajse në nivelet e kompanisë Belle Air. Ka kompani që ofrojnë bileta me çmim më të lirë, por nuk lejohen bagazhet, çka automatikisht shoqërohet më pak me pagesa të tjera nga ana e klientëve në momentin kur udhëtojnë”, tregon Gëzim Hajdini për Union Travel.
Nga ana tjetër, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinastro, në një reagim zyrtar për këtë çështje, është shprehur optimist për hapjen e tregut të fluturimeve. Sipas ministrit Haxhinastro, hyrja në treg e disa kompanive të reja të fluturimeve ka rritur ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve dhe ka ulur kostot. Çmimi i biletave krahasuar me një vit më parë është ulur 50%”, ka thënë ministri i Transporteve.
Biletat për avionët nga Rinasi janë rreth 50 deri në 100 për qind më shtrenjtë se linjat ajrore nga Aeroporti i Prishtinës. Për këtë arsye ka një numër të madh shtetasish shqiptarë, që kalojnë në pikat kufitare në drejtim të Aeroportit të Prishtinës.
Rinasi jo me monopol, aeroport i ri në Jug
Në gjysmën e parë të këtij viti, qeveria pritet të ketë një marrëveshje me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit për të ulur kostot dhe tarifat e shërbimeve për qytetarët. Ky fakt është pohuar nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i cili ka thënë se po zhvillohen bisedime edhe me koncesionarin e aeroportit të Kukësit për ta bërë efektiv, si dhe për ndërtimin e një aeroporti të ri në Jug të vendit.
Shtrenjtohen edhe “tragetet”
Një përfitim nga largimi i Belle Air është shënuar edhe për kompanitë e linjave detare që kryejnë transport nga Shqipëria drejt Italisë, përmes Portit të Durrësit dhe atij të Vlorës. Gjatë kësaj periudhe është vënë re rritje e pasagjerëve që udhëtojnë drejt Italisë me linja autobusi që kapërcejnë kufirin nga Durrësi me traget drejt Barit.
Sipas agjencive, linjat e autobusit dhe pasagjerëve janë shtuar muajt e fundit dhe pritet të kenë ecuri të mirë edhe në 2014-n, si pasojë e çmimeve konkurruese dhe mundësisë për të transportuar bagazhe të rënda.
“Që me nisjen e lëvizjes së lirë, pa viza, ne kemi evidentuar një rritje të pandalshme të udhëtarëve me autobusë drejt Italisë, që udhëtojnë deri në Milano apo edhe Torino”, thotë z. Hajdini.
Ndërkohë, për sa u përket pasagjerëve me traget ka pasur rritje në numër, por jo në shifra të mëdha. Kryesisht ata që zgjedhin tragetin janë pasagjerë që vijnë në Shqipëri me makinë apo janë në distanca të afërta, kryesisht Italia e Jugut.
Por edhe në këtë rast klientët nuk kanë mundur të përfitojnë çmime më të lira. Çmimet për udhëtime me traget, sipas të dhënave nga agjencitë por edhe nga kërkime te rezervimet online konfirmohen se janë rritur 15-20% gjatë muajve të fundit.
Shkak për këtë është rënia e numrit të operatorëve, ku në treg numërohen vetëm dy linja tragetesh, Ventouries dhe Adria Ferries, ndërsa dy të tjerë nuk po ushtrojnë më aktivitet.
Falimentimi i Belle Air
Gjykata e Tiranës ka vendosur të shpallë falimentin e kompanisë ajrore Belle Air, duke caktuar ekspertë për të kryer administrimin e mëtejshëm të kompanisë.
Sipas vendimit, të gjithë kreditorët kanë të drejtë që brenda 90 ditëve të paraqesin para kompanisë kërkesat e tyre me shkrim.
Të gjithë kreditorët e shoqërisë kanë të drejtë të paraqesin brenda 90 ditëve nga shpallja e këtij vendimi, të gjitha pretendimet e tyre tek administratorja e falimentimit, duke i njoftuar asaj pretendimet dhe të drejtat e siguruara që kanë mbi pasuritë e personit të tretë në këtë gjykim. Gjithashtu, të gjithë personat që kanë detyrime ndaj debitorit duhet t’ia paguajnë dhe t’ia shlyejnë ato administratorit të falimentimit.
Mbledhja e kreditorëve të shoqërisë Belle Air sh.p.k., të mbahet brenda 90 ditëve nga shpallja e këtij vendimi.
Bilanc pozitiv, por shumë kredi nga bankat
Belle Air raporton të ardhura të qëndrueshme në bilancin e saj. Për vitin 2012, kompania rezultoi me të ardhura prej 15.3 miliardë lekësh, me një rritje prej 4.3% (rreth 634 milionë lekë më shumë) në raport me një vit më parë.
Përballë rritjes së shpenzimeve për karburante, atyre navigacionale dhe shpenzimeve aeroportuale, Belle Air nuk ka arritur të frenojë shtimin e shpenzimeve, që janë zgjeruar me 6.6% (apo rreth 930 milionë lekë), duke sjellë një fitim të reduktuar.
Fitimi operacional është përgjysmuar në 240 milionë lekë, ndërkohë që fitimi para tatimit zbriti në 50 milionë lekë (360 mijë euro), nga 312 milionë lekë (2.2 milionë euro) që ishte një vit më parë. Shtimi i shpenzimeve financiare ishte një tjetër element që ndikoi negativisht në tkurrjen e fitimit (shiko tabelën e të ardhurave dhe shpenzimeve).
Janë rreth 8.1 milionë euro, që Belle Air kishte detyrim huaje ndaj bankave në vend në fund të vitit 2012, shumë që vlerësohet të jetë rritur në fund të 9-mujorit të këtij viti.
Sipas shpjegimit të pasqyrave financiare të bilancit të Belle Air në fund të vitit 2012, “shuma prej 1.13 miliardë lekësh përfaqëson detyrimin e një linje overdrafti me Bankën Intesa San Paolo Albania dhe Raiffeisen Bank për një limit overdrafti prej 5 milionë eurosh, për një vlerë të mbetur overdrafti prej 767 milionë lekësh, si dhe pjesa afatshkurtër e qirasë financiare afatgjatë prej 312 milionë lekësh, si dhe pjesa afatshkurtër e kredisë afatgjatë prej 60 milionë lekësh. Overdrafti ka normën mesatare të interesit prej 7.25%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.