Presidenti i zgjedhur ka një qasje të re të negocimit me korporatat në Amerikë. Ky nuk është plotësisht një lajm i mirë
Ende pak javë larg nga marrja e detyrës, Donald Trump që tani ka përcjellë valë shokuese te biznesi amerikan, shkruan The Economist. Drejtuesit ekzekutivë dhe aksionerët e kompanive, janë të trullosur nga premtimet e presidentit të zgjedhur se do të zbusë barrën ligjore, do të shkurtojë taksat dhe do të nxisë ekonominë me anë të shpenzimeve për infrastrukturë. Shtresa e mesme e punëtorëve janë shumë të kënaqur me gatishmërinë që ka dhënë presidenti për të detyruar firmat që të ruajnë vendet e tyre të punës.
Në javët e fundit, Trump ka kritikuar Apple se nuk prodhon më shumë pjesë të celularit iPhone në Amerikë; Ford-in se kërkon të shpërngulë prodhimin e pjesëve të makinave sportive Lincoln, si dhe sulmoi Boeing (kompaninë e prodhimit të avionëve), jo shumë kohë pasi drejtori ekzekutiv e kishte pyetur në lidhje me rreziqet e një politike protektoniste. Ajo që të trondit është se Trump dha ryshfet dhe ushtroi presion ndaj Carrier, prodhues i pjesëve të kondicionerëve në Indiana, që të ndryshojë planet e saj dhe t’i mbajë 800 vendet e punës brenda shtetit në vend që të transferojë në Meksikë. Sondazhet tregonin se gjashtë nga dhjetë amerikanë e pëlqenin më shumë Trump-in pas marrëveshjes me Carrier.
Popullore apo problematike. Strategjia në zhvillim e Trump-it ndaj biznesit ka disa elemente premtuese, por të tjerët janë shumë të shqetësuar. Premtimi mbështetet në entuziazmin e Trump-it për reformën e taksimit të bizneseve, përqasjen e tij ndaj investimeve në infrastrukturë dhe në disa pjesë të axhendës së tij. Burimi i rrezikshëm, së pari, nga merkantilizmi i bërë lëmsh që qëndron pas sjelljes së tij ndaj biznesit dhe, së dyti taktikën që ai përdor për të arritur qëllimet e tij. Kapitalizmi amerikan ka lulëzuar falë aplikimit të ligjeve. Në qoftë se sistemi i bazuar në ligje zëvendësohet nga një qasje e ndryshme, në të cilën biznesmenët duhet të bëjnë kujdes dhe nderime ndaj tekave të “mbretit” Donald, dëmi i shkaktuar në afat të gjatë ndaj ekonomisë amerikane do të jetë i rëndë.
Të ndihmojmë pakicën në kurrizin e shumicës
Fillon me çoroditjen në filozofinë e Trump-it. Presidenti i zgjedhur beson se punëtorët amerikanë dëmtohen kur firmat e zhvendosin prodhimin në vende më të lira. Për këtë arsye, ai do të vendosë 35% tarifa në produktet e çdo kompanie që lëviz prodhimin jashtë.
Tarifa të tilla do të jenë përçarëse. Ato do t’i bëjnë të mirat materiale më të shtrenjta për konsumatorët amerikanë. Duke ndaluar firmat amerikane nga maksimizimi i efikasitetit të tyre me anë të përdorimit të zinxhirit furnizues, ata do të pakësojnë konkurrueshmërinë, do të frenojnë investimet e reja dhe rrjedhimisht do të dëmtojnë pagat e punëtorëve në ekonomi. Gjithashtu do të inkurajojnë një përgjigje dhëmbë për dhëmbë.
Pikërisht se tarifat do të jenë shumë të kushtueshme, shumë biznesmenë e marrin proteksionizmin e Trump-it si një retorikë e pastër. Shumë prej tyre e shikojnë fokusin në firma të veçanta si zhvendosje shumë dinake politike. Nëse zoti Trump i bind punëtorët amerikanë se ai është në anën e tyre duke lënë një breshëri statusesh në “Tëitter” dhe ndonjë marrëveshje tek-tuk si ajo me kompaninë Carrier, nuk do të jetë e nevojshme që të vendosen tarifa. Për të përfituar nga një burim fitimi si biznes miqësor, logjika na çon, se drejtuesit e zgjuar thjesht duhet të sigurohen që të jenë pjesë në listën e bizneseve të mira që mban presidenti.
Merkantilizmi i Trump-it mund të jetë i gjatë dhe i ashpër, veçanërisht nëse dollari i fortë e rrit më tej deficitin tregtar amerikan. Kongresi do të ketë fuqi të kufizuara për të përmbajtur kërkesën e presidentit për të vendosur tarifa. Më e rëndësishmja, edhe në qoftë se proteksionizmi do të shmanget, një strategji e bazuar në dhënie ryshfeti dhe në ngacmimin e kompanive të veçanta do të jetë në vetvete një problem.
Trump nuk është politikani i parë amerikan që lajkaton firmat. Amerika ka një histori të gjatë për sa i përket ndërhyrjeve politike në biznes. Shtetet vazhdimisht u kanë ofruar subvencione kompanive në të njëjtën mënyrë si Indiana ia ka dhënë kompanisë Carrier.
Nga John Kennedy, që turpëroi firmat e çelikut në vitin 1960, deri te Barack Obama, i cili shpëtoi kompanitë e automobilave në 2009, të gjithë presidentët kanë ndërhyrë në tregje.
Edhe veprimet e Trump deri më tani nuk bëjnë përjashtim në lidhje me paraardhësit apo ndaj standardeve ndërkombëtare. Kryeministri i Britanisë ka bërë premtime ndaj Nissan, kompani japoneze e prodhimit të makinave, në mënyrë që të bindë firmën që të qëndrojë në Britani, pavarësisht daljes së saj nga Bashkimi Europian.
Edhe qeveria franceze është e njohur për miklimin e firmave të veçanta në mënyrë që t’i mbajnë vendet e punës në Francë. Ndër korporatat më klienteliste, nga Rusia deri në Venezuelë, mbështesin të favorizuarit dhe ndëshkojnë kundërshtarët në një shkallë që do të ishte turp dhe në kullën Trump.
Qasje problematike
Megjithatë, qasja e Trump-it është shqetësuese. Ndryshe nga periudha e Depresionit, kur Hoover dhe më pas Roosevelt i morën kompanitë për të vepruar sipas interesit kombëtar; apo në 2009-n, kur Obama bëri bashkë bankat dhe shpëtoi Detroitin, Amerika sot nuk është në krizë.
Ndërhyrja e Trump po e trajton këtë sikur të jetë diçka normale. Më keq, dëshira e paparashikueshme dhe shpesh hakmarrëse për të ngacmuar ka gjasa që të jetë më gërryese se sa lëmoshat që shumica e politikanëve favorizojnë.
Nëse ky do të jetë toni i presidencës Trump, bizneset e kujdesshme do të kenë si prioritet përfitimin e favoreve nga presidenti dhe do të shmangin veprimet që e acarojnë atë. Shenja të kësaj janë që tani të dukshme, duke filluar që me entuziazmin me të cilin drejtuesit më të lartë, shumica e të cilëve kanë qenë kritik të Trump gjatë fushatës, kanë nxituar të jenë pjesë e bordit të tij këshillues.
Ndihma ndaj Organizatës Trump apo të familjes Trump nuk do të jetë e gabuar apo e pavend. Ndikimi i lobingut do të rritet, kjo është ironike ndaj premtimit të Trump-it se do të pastronte Uashingtonin prej interesave klienteliste.
Kostot e këtij ndryshimi nuk do të jenë të dukshme në fillim, ato do të mbulohen prej stimulit ekonomik dhe reformës rregullatore.
Por, me kalimin e kohës, dëmi do të akumulohet, kapital i vendosur keq, konkurrueshmëri më e ulët dhe pakësim i besimit në institucionet amerikane. Ata që do të vuajnë më shumë janë klasa e mesme e punëtorëve, të cilët Trump ka premtuar se do t’i ndihmojë. Kjo është arsyeja pse, nëse ai dëshiron që të bëjë Amerikën të lavdishme përsëri, Trump duhet të lërë mënjanë proteksionizmin dhe të mos ushtrojë presion mbi bizneset.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.