Sipas informacionit nga Ambasada Amerikane, “Sistemi i Përgjithësuar i Preferencave” (Generalized System of Preferences) është një program preferencial, që mundëson hyrjen pa dogana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për më shumë se 3,500 produkte nga 127 vende në zhvillim, përfshirë Shqipërinë. Qëllimi i programit është të mbështetet rritja ekonomike, duke u dhënë shteteve një avantazh special në tregun amerikan. Në të njëjtën kohë, kjo ul gjithashtu koston e bizneseve amerikane dhe konsumatorëve amerikanë. Lista e produkteve miratohet çdo vit nga Presidenti.
Shqipëria është një nga vendet që mund të përfitojë nga ky sistem dhe shumë produkte, si perime dhe fruta të përpunuara, ujë mineral, bimë medicinale, erëza apo minerale e shumë të tjera që prodhohen dhe përpunohen në vend, janë në listën e produkteve që mund të eksportohen në Amerikë me trajtim preferencial.
Programi GSP
“Sistemi i Përgjithësuar i Preferencave” (Generalized System of Preferences- GSP) është një program preferencial që mundëson hyrjen pa dogana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për më shumë se 3,500 produkte nga 127 vende në zhvillim, përfshirë Shqipërinë.
Në vitin 2011, Shqipëria eksportoi në Shtetet e Bashkuara 26.5 milionë dollarë, nga të cilat 14.3 milionë dollarë ishin produkte që plotësonin kushtet e GSP dhe prej të cilave, 13.5 milionë dollarë përfituan nga programi GSP. Përqindja e përdorimit të GSP për Shqipërinë është 94.5% kundrejt një mesatareje prej 70%. Taksat e kursyera për tregtinë prej 13.5 milionë dollarësh janë 275,000 dollarë.
Bill Jackson, zëvendësdrejtuesi i Programit të Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave në Zyrën e Përfaqësuesit Tregtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte në Tiranë javën e kaluar dhe u takua me shoqata dhe përfaqësues të biznesit, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për këtë program. Në fakt, Shqipëria e ka shfrytëzuar më mirë këtë sistem, por ky ndërgjegjësim do të shërbejë dhe për të zgjeruar gamën e produkteve që plotësojnë kushtet e GSP për t’u eksportuar në tregun amerikan.
Produktet kryesore të eksportuara në SHBA gjatë vitit 2011 janë ferrokromi (që mban pjesën e luanit me rreth 13 milionë euro) dhe disa bimë mjekësore, po ashtu dhe fruta dhe zarzavate.
Intervistë me z. Bill Jackson, zëvendësdrejtuesi i Programit të Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave në Zyrën e Përfaqësuesit Tregtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Potencialet e zgjerimit të tregtisë
Si do t’i vlerësoni marrëdhëniet e ekonomisë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë shumë të mira në aspektin politik dhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare ende nuk kanë arritur në nivelin e atyre politike. Shtetet e Bashkuara nuk janë një treg tradicional për produktet shqiptare, pasi pjesa më e madhe e tyre shkojnë në vendet europiane ose në zona të rajonit, në kuadër të CEFTA, apo në Turqi.
Vizita ime këtu lidhet pikërisht me synimin për të ndihmuar eksportuesit shqiptarë të mendojnë më shumë për të eksportuar produktet e tyre në SHBA dhe gjithashtu, për të përdorur këtë avantazh që programi GSP u jep atyre në tregjet amerikane, duke eliminuar tarifat në pothuajse çdo produkt që Shqipëria eksporton në SHBA.
Ne kemi parë që eksportet nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara janë rritur në mënyrë dramatike gjatë dy viteve fundit, janë dyfishuar në vitin 2011 në krahasim me 2009-n. Për sa i përket programit GSP ato janë rritur 12 herë. Një pjesë e madhe e kësaj rritjeje ka ardhur si rrjedhojë e eksporteve të ferrokromit, por ka gjithashtu shumë produkte që Shqipëria eksporton në SHBA, si prodhime të ndryshme ushqimore si reçeli, kërpudhat e thara, boronicat e thara, ujë mineral, lëngje frutash dhe gjithashtu erëza, përfshirë bimët mjekësore. Këtu mësova se Shqipëria është një tregtues kryesor i bimëve mjekësore në tregun amerikan.
Ne shohim që tregtia po rritet, por gjithashtu ka potenciale shumë të mëdha për t’u shtuar më tej, duke i dhënë mundësi Shqipërisë që të zgjerojë tregjet. Ne e dimë se një prej objektivave të qeverisë shqiptare është të diversifikojë tregtinë si për sa i përket llojeve të produkteve, ashtu dhe tregjeve.
Ju përmendët se shikoni shumë potencial në rritjen e mëtejshme të eksporteve. Ku e shihni këtë potencial?
Unë shikoj shumë potencial në fushën e produkteve ushqimore të përpunuara, erëzave, produkteve të thara, produkteve tradicionale nga Shqipëria, që ndoshta po eksportohen me shumicë në Europë, por vetëm në sasi të vogla në SHBA. Gjatë seminarit me biznesmenët shqiptarë folëm për mundësitë e mëdha për të marrë pjesë në panaire në SHBA për të eksploruar mundësitë për produkte të reja, veçanërisht për ato bujqësore. Gjithashtu ka shanse për disa produkte artizanale, që janë karakteristikë e Shqipërisë dhe që mendoj se kanë potenciale të mëdha. Shqipëria është një vend i vogël dhe e ka të vështirë të konkurrojë me çmime, veçanërisht kur bëhet fjalë për produktet, ndaj sfida është të gjenden ato produkte në të cilat Shqipëria ka përparësi konkurruese dhe që mund të shfrytëzojnë më tej këtë aftësi përmes sistemit GSP. Një tjetër produkt në punimet artizanale do të ishin llojet e ndryshme të bizhuterisë.
Shfrytëzimi i avantazheve konkurruese
Shqipëria është një vend i vogël dhe e ka të vështirë të konkurrojë me çmime, veçanërisht kur bëhet fjalë për produktet, ndaj sfida është të gjenden ato produkte në të cilat Shqipëria ka përparësi konkurruese dhe që mund të shfrytëzojnë më tej këtë aftësi përmes sistemit GSP
Çfarë duhet bërë nga të dyja palët në mënyrë që të shfrytëzohen sa më mirë këto potenciale?
Gjëja e parë që duhet bërë është rritja e ndërgjegjësimit dhe unë jam këtu pikërisht për këtë. Hapi tjetër është që eksportuesit shqiptarë të identifikojnë mundësitë. Ne nuk mund ta bëjmë këtë për ata. Ne mund të sigurojmë informacion, t’i orientojmë deri diku, por në fund të fundit ata duhet të shesin produktet e tyre në tregun amerikan.
Një tjetër gjë që mund të bëjnë eksportuesit shqiptarë është të eksplorojnë më shumë mundësi, sidomos për bimët mjekësore mendoj se ka shumë potencial për t’u eksportuar në Amerikë.
Zgjerimi i tregjeve
Një tjetër gjë që mund të bëjnë eksportuesit shqiptarë është të eksplorojnë më shumë mundësi, sidomos për bimët mjekësore, mendoj se ka shumë potencial për t’u eksportuar në Amerikë
Nëse një biznesmen do që të zgjerojë tregun në Amerikë, çfarë mund të bëjë konkretisht?
Nëse jeni në këtë biznes dhe po eksportoni tashmë, ky është një hap përpara. Nëse e eksportoni produktin në Bashkimin Europian, tashmë e keni një ide lidhur me shijet e konsumatorëve, çfarë duhet të bëni për paketimin dhe për standardet. Nëse i keni përmbushur kushtet për të eksportuar në BE ose në rajon, kjo ju jep një fillim të mbarë për të plotësuar këto standarde në Amerikë. Më pas duhet të filloni të shfrytëzoni rrjetin e lidhjeve në Shqipëri apo në Europë, ose njohjet me biznese të tjera që eksportojnë në SHBA për të parë se cilat janë potencialet në atë treg. P.sh., duhet të studioni nëse do t’ju duhet në një lloj mënyre që të ndryshoni produktin, pasi ndonjëherë shijet e Europës janë të ndryshme nga ato të Amerikës, edhe paketimi është shpesh i ndryshëm. Një nga sugjerimet që unë bëj, – dhe me sa kam parë shumë eksportues shqiptarë e kanë bërë tashmë këtë, – janë panairet në Amerikë për produktet e veçanta, ku mund të shihni si është tregu, çmimet, paketimi dhe të krijoni një ide se si mund të konkurroni në këtë treg.
Unë gjithashtu dua të theksoj se, veçanërisht prodhuesit shqiptarë që në përgjithësi janë të vegjël, nuk duhet të tremben nga tregu amerikan, sepse ai është i madh, por nuk është vetëm një treg i madh po përbëhet nga mijëra tregje të vogla. Pra ka tregje për produkte të veçanta ushqimore, dyqane të veçanta që shesin produkte nga Mesdheu p.sh, dhe ky është një kufi më i lehtë për t’u kaluar sesa të përpiqesh të shesësh te tregtuesit e mëdhenj me pakicë të SHBA-ve.
Për sa u përket produkteve të GSP, ka faqe interneti ku të interesuarit mund të shohin nëse produktet e tyre janë të vlefshëm për këtë sistem dhe pjesa më e madhe e produkteve për të cilat ne bëmë kërkime në ueb gjatë seminarit me bizneset ishin të disponueshme, por disa të tjerë, si produktet tekstile dhe të këpucëve nuk janë në këtë sistem, sepse kongresi ynë i ka përjashtuar ato. Ne p.sh. pamë një lloj erëze, ku Shqipëria rezultoi se ishte furnizuesi numër dy i Amerikës pas Egjiptit. Ne pamë për bimët mjekësore dhe Shqipëria ishte furnizuesi i tetë, apo i nëntë në të gjithë botën, çka është një gjë shumë e mirë për një vend të vogël.
SHBA-të, jo një treg për t’u pasur frikë
Unë gjithashtu dua të theksoj se, veçanërisht prodhuesit shqiptarë që në përgjithësi janë të vegjël, nuk duhet të tremben nga tregu amerikan, sepse ai është i madh, por nuk është vetëm një treg i madh, po përbëhet nga mijëra tregje të vogla
Cili është synimi i programit GSP?
Programi GPS funksionon vetëm në një drejtim. Ne i kemi hapur tregjet për mallra nga vendet në zhvillim dhe ata nuk janë të detyruar që të hapin tregjet për ne, pra është një marrëdhënie e njëanshme. Shqipëria është një prej 180 vendeve që janë pjesë e këtij programi. Ky program eliminon tarifat doganore për 3500 produkte. Nëse për shembull është një produkt që prodhohet në Shqipëri, por dhe në vende të tjera si Italia apo Hungaria, shtetet e tjera duhet të paguajnë tarifa, ndërsa Shqipëria jo. Për disa produkte tarifa është vetëm 1 apo 2%, por për disa të tjera si p.sh. bizhuteritë, mund të jetë 10%, çka i jep një avantazh të madh Shqipërisë. Synimi është që vendet të eksportojnë më shumë, të zhvillojnë ekonominë e tyre dhe të rriten.
Cilat janë shanset që të zgjerohet gama e produkteve që eksportohen pa tarifa?
Shanset janë të mëdha, sepse tani ka rreth 30 produkte, që hyjnë në SHBA përmes programit GSP dhe mendoj se ka potencial për shumë më tepër, veçanërisht në fushën e bujqësisë, gjithashtu disa prodhime të lehta, produkte të tjera minerale, përveç ferrokromit, që është një produkt me peshë të madhe. Mund të eksportohen gjithashtu gurë ndërtimi, gurë të ndryshëm monumentalë.
Unë shoh se nga bizneset shqiptare ka një uri të madhe për më shumë informacion. Unë do të theksoja se kisha më shumë pyetje nga Shqipëria sot, sesa kam pasur nga të gjitha shtetet që kam vizituar në Ballkan. Nëse shikoni të dhënat, konstatohet se tregtia dhe përdorimi i GSP janë rritur dhe kjo na bën shumë entuziastë.
Tregtia Amerikane dhe Shqiptare
-Importet amerikane nga Shqipëria për vitin 2011: 26.5 milionë dollarë
-Importet GSP: 13.5 milionë dollarë (51% e importeve totale)
-Përqindja e përgjithshme e përdorimit të GSP: 94.8%
-Importet kryesore GSP për vitin 2011:
Produktet Taksa KMF Vlera totale
Ferrokrom 1.9% 13.1 milion USD
Vajra bimorë 3.2% 200 mijë USD
Perime të konservuara 9.6% 65 mijë USD
Si mund të kualifikohemi për trajtimin pa taksa sipas programit GSP
-Duhet të jetë një produkt i pranuar nga programi GSP
-Duhet të jetë një produkt shqiptar
-Nëse nuk përdorni produkte vendase, përmbajtja lokale dhe përpunimi nuk duhet të jetë ≥ 35% e vlerës
-Importet duhet të mbërrijnë direkt në SHBA pa hyrë në tregti me një vend tjetër
-Përfitimi duhet të kërkohet nga importuesi
-Mbani të dhëna për prodhimin/financat, për të ndihmuar importuesin të vërtetojë deklarimin GSP
-Mënyra më e lehtë për të marrë informacion është duke klikuar http://dataweb.usitc.gov/scripts/ tariff_current.asp
-Lista e produkteve të pranueshme të programit GSP gjendet në
Eksporti GSP i produkteve dekorativë shtëpiakë dhe artizanalë pa taksa
-Statuja druri, vazo, kuti, mobilie & takëme (3.2-10.9% taksë doganore)
-Vazo qeramike dhe artikuj zbukurimi (6-9.8% taksë doganore)
-Shporta dhe çanta të endura (6.6% taksë doganore)
-Punime qelqi me vizatime (6.4% taksë doganore)
-Tapete dhe qilima (6% taksë doganore)
-Punime me tunxh, rruaza, argjend & stoli të tjera (5-11% taksë doganore)
-Instrumente frymorë dhe me tela (2.9-8.7% taksë doganore)
-Piktura & këllëf jastëku (3.8% taksë doganore)
-Letër dhe karton i punuar me dorë (Pa KMF)
Programi GSP
Produktet e pranueshme
-Shumë produkte të prodhuara dhe inpute
-Shumica e stolive
-Shumë produkte bujqësore
-Kimikate
-Minerale
-Mermer
-Shumica e tapeteve
Të papranueshme
-Shumica e produkteve tekstile dhe veshjeve
-Orë
-Këpucë
-Çanta
-Valixhe
-Disa dorashka & produkte lëkure
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Kam produkte ne kavanoza qelçi me djathe dhe shume te tjera qe jane produkte natyrale. kerkoj partneritet ne Shtet e BAshkuara te Amerikes per ti trgetu
A keni mundësi të i shikojmë në fotografi dhe një përshkrim të prodhimeve