Bardhyl Minxhozi, drejtori ekzekutiv i shoqërisë së sigurimeve “Interalbanian” nuk do të jetë më në krye të kompanisë që themeloi dhe drejtori për dhjetë vjet me radhë. Minxhozi e bëri të ditur këtë në një komunikim elektronik drejtuar miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Mësohet se pas kësaj Minxhozi do të punojë si konsulent i pavarur.
Kompania e sigurimeve Interalbanian u themelua në vitin 2004 dhe operon në tregun e sigurimeve të Jo Jetës. Pak kohë më parë drejtuesit e kompanisë bënë të ditur se vendimin për bashkimin në një të “Interalbanian” dhe “Sigma”. Kjo është hera e parë që në tregun shqiptar të sigurimit ndodh bashkimi i dy kompanive.
Në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës operojnë në total tetë kompani (Insig operon si në segmentin e Jo-Jetës ashtu edhe të Jetës) dhe grupi “Vienna Insurance” zotëron aksione në tri prej tyre: Sigma, Interalbanian dhe Intersig.Vienna Insurance Group është që nga viti 2007 aktive në Shqipëri përmes sigurimit të Jo-Jetës Sigma sh.a. (Sigma). Ndërsa më vonë bleu edhe 75% të aksioneve të “Interalbanian”. Pas blerjes së “Sigma” dhe “Interalbanian” grupi vjenez bleu edhe “Intersig” ( 2011), gjë që bëri që të rritej prezenca në treh, duke kaluar edhe grupin austriak.
Në vitet e fundit dy kompanitë e mëdha austriake “Uniqa Group Austria” dhe “Vienna Insurance Group” kanë blerë tre kompanitë më të mëdha të sigurimeve në vend. Shifrat tregojnë se së bashku, dy grupet zotërojnë afërsisht rreth 70% të tregut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.