Si në një lojë shahu, ku të drejtën për të bërë më shumë lëvizje e ka mbretëresha, edhe në tregun e sigurimeve duket se këtë avantazh e gëzon MTPL-ja, sigurimi i detyrueshëm motorik i automjeteve. Pas liberalizmit të tarifave në gusht të vitit
2011, çmimi i këtij sigurimi pësoi disa luhatje, në fillim u ul me pothuajse 50% (niveli që shitej “de facto”), më pas në muajin shkurt të vitit 2012, u dyfishua (duke arritur në rreth 14,000 lekë) dhe vetëm pak ditë më parë, u rrit përsëri me rreth 1,000 lekë (duke arritur në rreth 15,000 lekë).
Në shkrimet e mëparshme (në muajin prill), “Monitor” e kishte paralajmëruar këtë lëvizje të radhës, si reflektim i ecurisë
së të ardhurave të shoqërive të sigurimit që operojnë në tregun e “Jo-Jetës”. Madje, drejtues të disa shoqërive në atë kohë u shprehën se ky çmim mund të rritej edhe më shumë, për të arritur në nivele nga 25,000-30,000 lekë, mendim i cili duket se edhe sot nuk ka ndryshuar. Në atë periudhë, por edhe tani shtruam pyetjen nëse do të jenë në gjendje shqiptarët ta përballojnë këtë rritje dhe a do t’i përgjigjen kompanitë e sigurimeve, me rritje po në këtë masë të pagesës së dëmeve?
Një pyetje e cila qëndron edhe sot, për përgjigjen e së cilës do të duhet edhe pak kohë për të parë se si do të reagojë konsumatori, por edhe biznesi.
Pas liberalizimit të tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik, çmimet përcaktohen nga vetë kompanitë, por bazuar mbi një analizë aktuaristike, që duhet të miratohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Me ligj është përcaktuar një vlerë nën të cilën sigurimi i detyrueshëm për automjetet (MTPL) nuk shitet. Përtej këtij kufiri, ai mund të ndryshojë, por duke marrë për bazë disa aspekte që kanë të bëjnë edhe me treguesit financiarë të vetë kompanive, por edhe me analizën e rrezikut.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk vonoi të mbledhë në një takim drejtues të shoqërive të sigurimit, për t’iu kërkuar që të jenë më transparentë ndaj konsumatorëve.
Megjithatë bën përshtypje fakti se shoqëritë e sigurimit i rritën çmimet e MTPL-së në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin nivel, një dukuri që u vu re edhe në muajin shkurt.
Nga ana e tyre, drejtuesit e shoqërive thonë se rritja e çmimit të policës së sigurimit ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të aksidenteve dhe veçanërisht të atyre me dëmtime në njerëz, çka përkthehet në më shumë dëme për kompanitë e sigurimit.
Në fakt, për tetë muajt e parë të këtij viti, vlera e dëmeve në segmentin e sigurimit motorik është rritur me rreth 32% në krahasim me një vit më parë.
Kjo rritje, siç duket ka ardhur edhe nga fakti që përmbarimi ka bërë punën e vet, pra jo shumë nga dëshira e kompanive të sigurimit për të paguar dëmet shpejt dhe siç duhet.
Ato përbëjnë rreth 72% të totalit të dëmeve të paguara. Por, në thelb, treguesi më domethënës në përcaktimin e çmimeve është raporti mes dëmeve dhe primeve, që vazhdon të jetë i ulët, krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit. Por, ajo që është më e rëndësishme, klientët e këtyre shoqërive duhet të kalojnë shumë “pengesa” deri në marrjen e dëshmpërblimit dhe këtë shumë herë e marrin të cunguar apo në rastin më të keq të munguar.
AMF shoqërive, rrisni transparencën
Në jo pak raste, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u ka tërhequr vëmendjen shoqërive të sigurimit në lidhje me tarifat e sigurimit të detyrueshëm motorik të automjeteve, që të ndjekin sjelljen e një tregu të lirë dhe të jenë sa më transparente me konsumatorin.
Në muajin shkurt të këtij viti (pas uljes që pësoi nga liberalizimi tarifa e sigurimit), AMF-ja, përmes një komunikimi zyrtar, sqaroi se “pas heqjes së regjimit të tarifave fikse në gusht të vitit 2011, tendenca në tregun shqiptar e sigurimeve ka qenë drejt uljes së çmimeve, tendencë e kundërt krahasuar me vendet që e kanë kaluar më parë këtë proces”. Sipas AMF-së theksi në tregjet e lira vendoset tek tarifimi i kujdesshëm dhe i drejtë i produktit dhe jo tek miratimi i çmimeve. Autoriteti sjell në vëmendje faktin se, historia e tarifimit të sigurimeve në vendet e tjera të Europës dëshmon se zbatimi i tarifave, sipas rregullave të tregut, është e vetmja mënyrë për të shtyrë shoqëritë e sigurimit që të ulin koston e sigurimit në afatgjatë, pavarësisht se historikisht në vitet e para pas liberalizimit, çmimet edhe në këto vende kanë pësuar rritje të ndjeshme”.
Rreth shtatë muaj më pas, AMF, (këtë herë pas rritjes së dytë të tarifave të sigurimit të brendshëm motorik) thirri në një takim drejtues të shoqërive të sigurimit. Në njoftimin zyrtar, thuhet: “Duke reflektuar mbi situatën e tregut të sigurimeve në javën e kaluar, kryetarja e Autoritetit tërhoqi vëmendjen e shoqërive për plotësimin e detyrimeve ligjore për raportimin brenda afateve të përcaktuara, në lidhje me ndryshimet e tarifave të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, MTPL”. Kryetarja e Autoritetit e theksoi këtë kërkesë në respekt të rritjes së transparencës dhe bashkëpunimit me shoqëritë, edhe pse sipas ligjit, tarifat e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, MTPL, janë të liberalizuara dhe shoqëritë e sigurimit kanë të drejtë t’i përcaktojnë vetë ato”.
Në lidhje me këtë çështje, drejtues të shoqërive të sigurimit u shprehën se gjatë këtij takimi u kërkua forcimi i mbrojtjes së interesave të konsumatorëve dhe “tërheqja e vëmendjes” kishte të bënte me faktin se një pjesë e shoqërive në muajin janar të këtij viti kishin deklaruar pranë AMF-së çmime fikse për
MTPL-në e disa të tjera, çmime me “diapazon” (intervale 11,000-15,000 lekë), duke krijuar handikapë në raportimin brenda afateve të përcaktuara.
Sipas rregullores, “shoqëritë e sigurimit kanë detyrim që të njoftojnë Autoritetin 10 ditë përpara fillimit të zbatimit të
tarifave të primeve të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Ndërsa në nenin 9 thuhet se “shoqëria e sigurimit mund të ndryshojë tarifat e primeve për sigurimin e detyrueshëm, por jo më shpesh se 1 (një) herë në 6 muaj”.
Çfarë vjen më pas…
Për periudhën janar-gusht 2012, ecuria e primeve të sigurimit të detyrueshëm motorik ishte pozitive, ato arritën në rreth 3,2 miliardë ose rreth 2.87% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të fundit, produkti MTPL e brendshme, gjatë së njëjtës periudhë, krahasuar me një vit më parë, pati rritje me rreth 29.3% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave u rrit me rreth 2%.
Shifrat konfirmojnë ecurinë pozitive të këtij produkti dhe rritjen e të ardhurave për shoqëritë e sigurimeve, që pas heqjes së tarifave fikse (kur ato ulën ndjeshëm çmimet), filluan të reflektonin pasi u përballën me bilance negative.
Por, për drejtuesit e shoqërive të sigurimit “i ashtuquajturi liberalizim” nuk solli as diversitetin e as përputhjen e strukturës së çmimeve me profilin e rrezikut që paraqet tregu.
Në fakt, një tjetër dukuri që ngjall habi ka të bëjë me faktin se pas rritjes së tarifës në muajin shkurt, për qindja e tregut që zinte çdo shoqëri që operon në këtë segment, ndaj totalit nuk shënoi ndryshime të forta (referuar statistikave të periudhës janar-maj 2012), çka krijon vend për pikëpyetje.
Pagesa e dëmeve, edhe pse u rrit, nuk reflekton domosdoshmërisht rritjen e aftësisë paguese, më së shumti, siç shprehen ekspertët janë detyrime të mbartura, që prisnin prej vitesh të zbatoheshin dhe futja në “lojë” e përmbaruesve privatë nuk ishte gjë tjetër veçse një instrument më shumë garancie për t’i marrë ato. Ekspertët e sigurimeve thonë se në Shqipëri, raporti dëme/prime është nën mesataren europiane, ndaj dhe kjo sjellje nuk është e papritur, por “ngërçi” kryesor i këtij tregu, problemet e të cilit nuk kanë të mbaruar. Drejtuesit e shoqërive të sigurimit thonë se duhet të merren në konsideratë edhe fakte të tjera, si ai që në Shqipëri, rreth 20% e mjeteve janë të pasiguruara dhe dëmet e papaguara nga mjetet e pasiguruar janë mbi 3 milionë euro. Po sipas tyre, problematike paraqiten edhe dëmet që duhet të paguhen sipas vendimeve të gjykatave, veçanërisht të Gjykatës së Lartë.
Nga ana tjetër, sipas drejtuesve të shoqërive të sigurimit, çmimi i TPL-së duhet parë në kontekstin e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve kur ndodh një dëm, dhe jo si një shpenzim i papërfillshëm në raport me shpenzimet e tjera.
Po çfarë ndodh realisht? Drejtues të shoqërive të sigurimit thonë se tregu shqiptar i sigurimeve ka raportin më të lartë të shpenzimeve (që arrijnë në 50-65%) dhe kjo sipas tyre përbën “thembrën e Akilit”. Një sjellje e tillë sjell mjaft anomali, pasi ka më shumë shpenzime sesa dëme të paguara. Një zgjidhje e mundshme, thonë ekspertët, do të ishte ristrukturimi i shpenzimeve (ku futen ato administrative, komisione të ndryshme, marketing etj.) Ndaj, sipas tyre, sfida e së ardhmes duhet të jetë menaxhimi më i mirë i shpenzimeve dhe dëmeve. Ata thonë se kjo mund të shërbejë si një formulë për të bërë biznes, në një treg i cili ende vuan probleme të mbijetesës, mungesës së produkteve, por edhe të mosnjohjes nga ana e konsumatorëve.
Zgjidhjet janë të mundshme nëse do të ketë vullnet për t’i parashtruar ato me transparencë përpara AMF-së dhe konsumatorëve.
Një zgjidhje qe mund t’i jepte fund problemeve me dëmet dhe t’i sillte çmimet e MTPL-së aty ku duhet mund të ishte që pagesa e dëmeve të bëhej nga ajo shoqëri ku klienti është siguruar dhe jo tek ajo ku është siguruar shkaktari i dëmit. Kjo është një praktikë që përdoret në Europë gjerësisht sot (si në Gjermani).
Një zgjidhje tjetër e cila do të bënte edhe seleksionimin e kompanive të sigurimit sipas cilësisë së shërbimit do të ishte që të vendosej një interes shumë i lartë në rast vonesash në pagesën e dëmshpërblimeve, siç ndodh për shembull në vendet anëtare të Byrosë së Kartonit Jeshil (në mbi 20 vende).
Rritja
15,000 lekë është çmimi për sigurimin e automjeteve deri në 1.600 kubikë
15,600 lekë është çmimi për sigurimin e automjeteve me motor mbi 1.600 kubikë.
1,000 lekë është rritja (krahasuar me tarifat e zbatuara në muajin shkurt) për të dyja klasat e mjeteve.
Kartoni Jeshil, sinjalizohet rritja
Produkti i “Kartonit Jeshil”, një sigurim i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë jashtë territorit të vendit, pas liberalizimit të tarifave një vit më parë, po njeh vetëm tendencë në rënie. Të dhënat e fundit të AMF-së tregojnë se primet e shkruara bruto gjatë periudhës janar-gusht 2012 u ulën me rreth 50%, krahasuar me periudhën janar-gusht të 2011-s, ndërsa numri i kontratave pati rritje prej 21% krahasuar po me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Drejtuesit e shoqërive të sigurimit, edhe pse nuk japin një afat, thonë se tendenca do të shkojë drejt rritjes së çmimit për këtë klas sigurimi. Sipas tyre, rënia e ndjeshme e të ardhurave po dikton nevojën për të marrë masa.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.