Kompanitë e sigurimeve kanë shitur rreth 26 300 polica të sigurimit të jetës së debitorit për gjysmën e parë të këtij viti.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri i kontratave të sigurimit për këtë produkt ka rënë me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse plotësisht me ecurinë e kredisë. Ky produkt është në fakt kolona kryesore ku mbahet tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri. Aktualisht, ai siguron rreth 66% të numrit të përgjithshëm të kontratave dhe rreth 68% të volumit total të primeve.
Bankat kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë bankare afatgjata dhe në shuma të mëdha. Sigurimi duhet rinovuar çdo vit, për të gjithë kohëzgjatjen e kredisë. Rrjedhimisht, ecuria e numrit të kontratave të sigurimit të jetës krijon një ide edhe për numrin aktiv të kredive afatgjata për individët. Përgjithësisht, bëhet fjalë për kreditë me qëllim blerjen e pronave nga individët ose nga bizneset me formë ligjore person fizik. Megjithatë, ka banka të veçanta që mund të kërkojnë sigurim jete edhe për kreditë konsumatore, që zakonisht kanë një kohëzgjatje afatshkurtër ose afatmesme në kohë.
Rënia e numrit të kontratave tregon se me shumë të ngjarë këtë vit ka një ngadalësim të kreditimit në këtë segment, çka ishte e pritshme, po të kemi parasysh se gjysma e parë e vitit përfshiu një periudhë afërsisht tremujore të mbylljes së aktiviteteve të biznesit dhe kufizimeve të lëvizjes.
Për vitin e kaluar, kompanitë e sigurimit shitën rreth 59 mijë polica sigurimi të jetës, në rritje me 1% krahasuar me një vit më parë. Kjo shifwr jep një ide të përafërt për numrin e kredive aktive hipotekore në të sektorit bankar në një vit. Portofoli i kredisë për blerje të pasurive të paluatjshme në segmentin retail arriti në fund të korrikut vlerën e rreth 122 miliardë lekëve, pothuajse një miliardë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.