Furnizuesi i Tregut të Lirë ka siguruar tashmë energjinë e nevojshme për furnizimin me energji të subjekteve të lidhura në 35 kilovolt të cilët sipas ligjit janë në treg të liberalizuar nga viti 2018 por për shkak të krizës po mbahen ende nga kompania publike e shpërndarjes.
Energjia e siguruar periudhën 1 mars-31 mars përmes platformës elektronike kap një sasi prej 3720 MWh.
Burime pranë shpërndarjes thanë se pjesëmarrës në procedurë ishin shtatë kompani.
“Në datë 20.02.2023 në platformën online të blerjes së energjisë elektrike u zhvillua procedura “Blerje Energjie për periudhën 01-31 Mars 2023 “. Pjesëmarrës në procedurë ishin 7 shoqëri : INFO –Telecom SH.P.K; EZ-5 Energy SH.P.K; NOA Energy SH.P.K; Ayen Energy Trading SH.A.; GSA SH.P.K; ReNRGY Trading Group SH.P.K; Future Energy Trading and Exchange Dinamics SH.P.K.
U sigurua sasia prej 3,720 MWh , me cmim 146 Eu/MWh , vlere totale 543 mijë euro. Shoqëria fituese u shpall shoqëria INFO – Telecom SH.P.K” thanë burime nga kompania.
Të lidhurit në 35 kilovolt po furnizohen nga kompania publike e shpërndarjes për shkak të vështirësive për të gjetur furnizues. Sasia e tyre e konsumit në disa raste është e vogël duke e bërë hyrjen në kontratë të paleverdishme për furnizuesit të cilët evitojnë këto marrëdhënie. Nga ana tjetër edhe sasia e dispinueshme e energjisë me çmim të leverdishëm në kushtet e krizës është bërë e limituar.
Qeveria njoftoi se njëlloj sikurse po ndodh me bizneset e lidhura në tension të mesëm 20,10,6 kv të cilët po mbahen me çmim pjesërisht të liberalizuar mbështetje do të ketë edhe për subjektet në 35 kilovolt deri në përfundim të gjendjes së emergjencës në furnizim që është në fuqi deri në fund të qershorit të këtij viti.
Aktualisht çmime kanë gjetur një lloj relaksimi edhe në bursa për shkak të dimrit më të butë në Europë por edhe rezervave të disponueshme të gazit teksa në vendin tonë kjo lidhet me përmirësimin e situatës hidrike që nisi nga nëntori i vitit të kaluar. Mungesa e shirave dhe borës po shihet si një problem madhor në Europë kjo e lidhur me efektet që do të ketë në ekonomi por sidomos në bujqësi teksa në Shqipëri reshjet e pakta dhe mungesa e borës mund të kthehet në një problem për furnizimin me energji duke qenë se prodhimi tek në është më shumë se 98 për qind hidro./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.